RCCOLA

Bastisjet nga xhandarmëria, nënkryetari i Bujanocit thotë se përmes tyre Serbia po synon shpërnguljen e shqiptarëve nga Malësia

/ 4 minuta lexim

Xhandarmëria serbe ka bastisur shtëpinë e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, Nadir Sefedini dhe 11 prona të familjarëve të tij.

Bastisja u bë mëngjesin e së hënës së 6 marsit, me vendim të Gjykatës së Vranjës.

Kjo pasi Sefedini akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe posedim të substancave narkotike, të transportuara nga Serbia në Kosovë. Megjithatë, gjatë bastisjes nuk u gjet asnjë provë që i dëshmon këto akuza.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin nënkryetari i Bujanocit, Shqiprim Musliu, i cili shtoi se qëllimi i Serbisë është që t’i shpërngulë shqiptarët nga Malësia e Bujanocit, ku jeton edhe Sefedini.

Sipas Musliut, ky i fundit për shkak të frikës po jeton në Gjilan dhe nuk ka mundësi që të kthehet te familja e vet në Malësi.

“Sefedinit i është lëshuar fletë-arrest për bastisje nga 1 marsi deri më 10 mars 2023. Ai e ka kaluar kufirin për Shkup më 3 mars 2023 dhe nuk është ndaluar në kufi nga forcat policore. Ka udhëtuar për Zvicër, ndërsa sot jeton në Gjilan dhe frikësohet të kthehet në familjen e vet”, deklaroi nënkryetari i Bujanocit.

“Dyshohet për armëmbajtje pa leje dhe lëndë narkotike të transportuara nga Serbia në Kosovë. Ky jeton në Malësi të Bujanocit, pra është zonë kufitare. Interesi i Serbisë është që sa më shumë ta shpërngulin Malësinë nga shqiptarët. Serbia përmes këtij presioni dëshiron ta largojë nga ajo pjesë Sefedinin dhe ndaj i ka ngritur aktakuzë”.

RCCOLA

Tutje, ai tha se po presin konfirmim nga ndërkombëtarët pasi i janë drejtuar me një shkresë ambasadorit të OSBE-së në mënyrë që Sefedini të ketë mundësi që të kthehet në shtëpinë e tij.

“Iu kam drejtuar me shkresë edhe kryeministrit Albin Kurti, por skam marrë përgjigje. Ndërsa, kam kontaktuar edhe me këshilltaren e tij, Ardita Sinani, e cila më ka thënë që do ta shqyrtojnë por më s’kam marr përgjigje nga ajo. Janë bastisur 12 shtëpi që lidhen me të. Pra, janë bastisur edhe shtëpitë e familjarëve të tij. Janë demoluar, aty kanë qenë familjarët e ngushtë dhe nuk u kanë dhënë kohë as t’ua hapin dyert”.

Mes tjerash, Musliu tregoi se Sefedini është arrestuar edhe në vitin 2012 bashkë me disa ish-ushtarë të tjerë, si të dyshuar për krime lufte, por pas presionit ndërkombëtar janë liruar të gjithë.

“Personi në fjalë, ish ushtari i UÇPMB-së është arrestuar në vitin 2012 me një grup të konsiderueshëm të ish-ushtarëve. Pas presionit ndërkombëtar, janë liruar të gjithë”, tha ai, duke shtuar se si pasojë e traumave që kishe pësuar nga bastisja që kishte ndodhur vite më parë, nipi 4-vjeçar i Sefedinit ka ndërruar jetë.

“Traumat që e kanë përcjell familjen e ngushtë ka bartur pasoja që një nip i tij i cili ka qenë në moshën 4-vjeçare kur ka ndodhur bastisja, ka pësuar trauma dhe pas dy vitesh ka ndërruar jetë. I njëjti presion ndaj kësaj familje është edhe tani në vitin 2023”, shtoi Musliu.

Sipas tij, raste të ngjashme nga Serbia kanë ndodhur edhe më parë.

“Janë me dhjetëra raste, p.sh është rasti i Gjilanit ku janë arrestuar mbi 9 persona dhe janë liruar më pas, por jetojnë në mërgim sepse nuk guxojnë të kthehen në vendin e tyre”, përfundoi ai. /Telegrafi/