GRANDEMALL

Bastisen zyrat e deputetëve të Vetëvendosjes, Policia thërret deputetët për t’i marrë në pyetje

/ 5 minuta lexim
FITORJA

Sot rreth orës 18:00, pa praninë e deputetëve dhe pas orarit të punës, në zyrat e Kuvendit të Kosovës ka ndodhur një akt i paprecedent i ushtrimit të pushtetit autoritar. Policia e Kosovës e cila duhet të sigurojë paprekshmërinë e organit përfaqësues të sovranit, ka bastisur zyrat e deputetëve dhe të Grupit Parlamentar të subjektit më të madh opozitar në vend, Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Policia e Kosovës përveç bastisjes, ka filluar të ushtrojë presion ndaj vetë deputetëve, duke ftuar në intervistë deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu në lidhje me aksionet e opozitës në Kuvend.

Ky presion ndodh, pikërisht pas dorëzimit të padisë për Armend Zemajn, i cili ka shprehur publikisht qëllimin e tij për të goditur me gotë të qelqtë deputetët e VETËVENDOSJE!-s dhe për t’i dëmtuar fizikisht ata ndërkohë që Policia asnjë veprim nuk e mori ndaj tij.

Këto ndodhi të papranueshme vijnë menjëherë pasi që Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, organizoi një takim me ambasadorët e vendeve të Kuintit. Siç duket, Kadri Veseli po e përdor takimin me ambasadorët e Kuintit për të legjitimuar shtimin e represionit dhe dhunimin e opozitës. Ish-kryetari i SHIK-ut u përpoq për disa ditë të përdorë maskën demokratike e paqësore, por tashmë përballë vendosmërisë së opozitës, Veseli po e shfaq sërish fytyrën e tij të vërtetë, atë të vjetrën!

Pas thirrjes dhe presionit publik që ditët e fundit kryeministri Mustafa ia ka bërë policisë dhe gjyqësorit që të angazhohen kundër aktivistëve dhe anëtarëve të opozitës, këta institucione janë vënë krejtësisht në shërbim të pushtetit.

Mustafa, i cili veten e vet e ka vënë krejtësisht në shërbim e në mbrojtje të Zajednicës, tashmë po e vendos edhe Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe Sistemin Gjyqësor po ashtu në mbrojtje të projektit më të dëmshëm ndaj sovranitetit dhe integritetit të Republikës sonë. Por çdo përpjekje e tillë do të dështojë. “Zajednica” nuk do të kalojë!

Ne ia bëjmë të qartë Qeverisë dhe Kryetarit të Kuvendit se veprimet e tilla si dhe kërcënimet për arrestimin e deputetëve Albin Kurti dhe Albulan Haxhiu do ta tensionojnë edhe më shumë situatën dhe përgjegjësia për këtë i mbetet vetëm pushtetit.

Uji Dea

Policia konfirmon bastisjen në zyrat e deputetëve të VV-së në Kuvend

Policia e Kosovës konfirmon se në orët e mbrëmjes ka bastisur zyrat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që gjenden në Kuvendin e Kosovës.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, bastisja është bërë me urdhër të prokurorit kompetent.

“Konfirmojmë se sot në orët e mbrëmjes, me urdhër të prokurorit policia ka realizuar një kontroll në zyrat e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje që gjenden në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë zëdhënësi Kelani për KosovaPress.

Bastisja e zyrave të VV-së: Reagon AAK dhe Nisma

AAK i merr me shqetësim njoftimet se Policia e Kosovës, pas orarit të punës dhe pa praninë e deputetëve, i ka bastisur zyrat e Grupi Parlamentar të VV-së, në Kuvendin e Kosovës, thuhet në reagimin e këtij subjekti.
“Këtë veprim të policisë, e cilësojmë presion, politikisht të kalkuluar, mbi deputetët e Vetëvendosjes, të cilët tashmë janë pjesë e një fronti të përbashkët opozitar për kundërshtimin e Asociacionit dhe Demarkacionit. U bëjmë thirrje urdhërdhënësve të këtyre bastisjeve, që të merren me eliminimin e shkaqeve të një gjendjeje, aspak normale politike, e jo ta rrisin presionin mbi përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. Rendi dhe Ligji mbrohen duke filluar nga Kushtetuta, në mbrojtje të se cilës janë vënë këta deputetë, e jo duke i bastisur e përndjekur ata”, thuhet në reagim.

Edhe Nisma për Kosovën shprehet kundër bastisjes, ana e Policisë, të zyrave të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.

“Presioni policor ndaj deputetëve, duke i ftuar në intervistë dhe duke i kërcënuar me arrestim deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu në lidhje me veprimet e fundit të opozitës në Kuvend, janë veprime pa precedent të pushtetit aktual, veprime këto që nuk kanë guxuar asesi që të ndodhin. NISMA për Kosovën dënon veprimet tilla dhe i bën thirrje organeve relevante të zbatimit të ligjit që të mos lejojnë të përdoren nga politika. Veprimet e opozitës janë politike prandaj asnjë masë policore nuk do të mund të frikësoj dhe zbraps opozitën e bashkuar”, thuhet në reagimin e këtij subjekti. /Telegrafi/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.