UBT

Basketbollisti që rrahu gjyqtarin, suspendohet përjetësisht

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Prishtinë – Basketbollisti i Dritës, Qëndrim Demi, është penduar që e rrahu gjyqtarin Xhavit Beqiri, gjatë ndeshjes të së dielës RTV 21 – Drita. Edhe skuadra i tij, Drita, ka kërkuar falje të hënën në mëngjes përmes një komunikate. Por këto nuk kanë mjaftuar.

Demi 20 vjeç, të hënën pasdite, është suspenduar përjetësisht nga çdo aktivitet që organizon Federata e Basketbollit e Kosovës, ndërkohë që klubi Drita është dënuar me mosdhënien e një pike që i takon çdo skuadre që humb ndeshjen.

Për shkak të sulmit të Demit mbi gjyqtarin, ndeshja është ndërprerë pak sekonda pa mbaruar çereku i dytë te rezultati 50:32 dhe kjo ka bërë që komisari i garave, Tajar Rifati, të regjistrojë ndeshjen me rezultat zyrtar 20:0 në favor të RTV 21.

Kontakti me Demin të hënën ishte i pamundur, por drejtori i KB Drita, Fazli Fazliu, vlerëson se dënimi është tepër i rëndë.

Fundamenti

“Dënim më të rëndë nuk ka, vetëm nëse e mbysin”, ka thënë drejtori Fazliu. “Ne nuk themi se nuk ka bërë gjest josportiv, por një lojtarit të ri t’i jepet një këso dënimi, është tepër e rëndë. Qëndrimi e pranon gabimin dhe është penduar shumë”.

Sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Nazmi Paçarada, ka mbrojtur dënimin për suspendimin e përjetshëm.

“Komenti është i tepërt për gjestin e tij, pasi gjyqtari është sulmuar dhe kjo dukuri nuk ka të bëjë asgjë me sportin. Mbi të gjitha, të tillët nuk e kanë vendin në basketbollin e Kosovës”, ka thënë ai.