Uji Dea

Bashkurti: Kosova të bëjë zgjedhje të parakohshme

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Lisen Bashkurti, një ndër diplomatët më të njohur shqiptar, njohës i mirë i çështjeve të rajonit, flet në një intervistë për KosovaPress mbi vizitën e kryeministrit Rama në Serbi.

Rëndësia dhe domosdoshmëria e kësaj vizite, çështjet që duhet të përfshihen në bisedime mes dy kryeministrave; njohja e Kosovës dhe problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por dhe situata aktuale politike në Kosovë… Për të gjitha këto prof.Bashkurti flet në këtë bisedë me KosovaPress.

Duke u ndalur te ngërçi politik në Kosovë, Bashkurti ka thënë se është krijuar një situatë mjaft e trazuar. Zgjedhjet përgjithësisht,sipas tij, shkuan mirë por se rezultati zgjedhor ishte mjaft delikat.

“Mendoj se u shteruan instrumentet kushtetues, jo vetëm bazuar në parimet e kushtetutës, por edhe në interpretimet e Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, mendoj se po shkon drejt dështimit dhe formula e bashkëpunimit politik. Mbas shterimit të mekanizmave kushtetues dhe mosrealizimit të marrëveshjes politike i hapet rrugë, alternativës së tretë që janë zgjedhjet e parakohshme. Unë i bëj vazhdimisht pyetjen vetes, përse ne hezitojmë për zgjedhjet e parakohshme? Zgjedhjet e parakohshme janë pjesë e rotacionit politik, rotacioni është ligj universal. I vetmi ligj që funksionon në demokraci dhe pa reshtur është rotacioni që sjell ide të reja, struktura të reja, qeverisje të re, institucione të reja. Kjo është karakteristikë vetëm e sistemit demokratik”,ka thënë ai.

Ai shtoi se është kohë që të gjithë të mendojnë për zgjedhje, sepse vetëm zgjedhjet mund të tejkalojnë këtë situatë.

“Prandaj nëse një palë zgjedhje nuk arrijnë të prodhojnë institucionet të qeverisjes së vendit për më shumë se 4 muaj, kjo do të thotë që as instrumentat kushtetues dhe as vullneti politik nuk prodhon dot me këtë konstelacion që kanë dhënë zgjedhjet e para katër muajsh. Është mendoj unë koha që nga të tërë aktorët politik, por edhe institucional në Kosovë të mendohet për zgjedhje e parakohshme, të cilat do të rilegjitimonin institucionet reja. Do të riafirmonin pozicionin e çdo force politike dhe mendoj se do pavarësisht se nuk pres ndonjë rezultat shumë variabël nga ky që është aktualisht, gjithsesi rilegjitimimi i subjekteve politike duket se po vjen në rendin e ditës”, ka thënë ai.

Bashkurti është ndalur edhe te vizita paralajmëruar e kryeministrit Edi Rama në Beograd, duke thënë se ai e sheh jo vetëm të domosdoshme por shumë të rëndësishme vizitën e kryeministrit shqiptar në Beograd.

“Vizita është e rëndësishme, është e domosdoshme, por edhe vendosja e çështjeve themelore në çështjet e bisedimeve, është po kaq e rëndësishme”, ka thënë ai.

Eco Higjiena

Ai thotë se nuk është në pozicionin që mund t’i sugjeroj kryeministrit shqiptar se çfarë pikash duhet të vendos në axhendë, por tregoi se cilat çështje i shqetësojnë opinionin publik dhe marrëdhëniet diplomatike.

“Së pari teza që marrëdhëniet Shqipëri-Serbi nuk mund të kushtëzohen nga çështja e Kosovës duhet të rrëzohet. Nuk është tezë realiste, nuk është tezë konstruktive, dhe është një tezë që mbart një farsë reminishence nga Lufta e Ftohtë. Pa pikë dyshimi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë, për rrjedhojë edhe bisedimet që do bëjnë kryeministrat lypen të kenë një nga pikat themelore të axhëndës njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, në kuptimin më të gjerë njohjen e realitet të ri, tashmë ndërkombëtarsisht të pranuar me më shumë se 100 shtete”, ka thënë Bushkurti.

Ai shtoi se sikur Shqipëria, ashtu edhe Serbia kanë probleme të pakicave, por se ajo që kërkohet te shqiptarët e Preshevës nuk është as më shumë e as më pak veç respektimi i të drejtave të njeriut dhe respektimi i të drejtave të komuniteteve pakicë siç e ka Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Konventa e Këshillit të Europës për të drejtat e komuniteteve pakicë.

Madje, sipas tij, kërkohet respektimi i vetë atyre konventave që shteti serb i ka firmosur, i ka ratifikuar, instrumentat e të cilave i ka depozituar nga këto organizata.

Ai ka komentuar edhe atë që ndodhi në Beograd, duke thënë se një dimension tjetër i madh i marrëdhënieve midis dy vendeve tona në përgjithësi, midis shqiptarëve dhe serbëve është normalizimi i marrëdhënieve të njerëzve ne nivelin njerëzor.

“Pa normalizim të marrëdhënieve njerëzore nuk mund të ngrihet superstruktura e marrëdhënieve institucionale qofshin politike, diplomatike, ekonomike apo të fushave të tjera. Fakti i fundit që tifozët shqiptarë kuqezinj nuk shkojnë në Beograd është shqetësim shumë i madh, për mua është një nga shqetësimet më të mëdha që reflekton marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, çka dëshmon se nuk kemi marrëdhënie “human relations, normal development”, pra nuk kemi marrëdhënie njerëzore të zhvilluara, kemi një mur të madh ksenofobish që ekzistojnë midis dy vendeve. Kur ka marrëdhënie njerëzore të qëndrueshme lehtësisht mund të zgjidhen problemet politike dhe të fushave të tjera”, ka thënë ai.

Një nga çështjet themelore që pengon zhvillimin e marrëdhënieve midis shqiptarëve, sipas tij, është çështja e edukimit, arsimit dhe shkollës, pasiqë po të shikohen me vëmendje kurrikulat e shkollave tona të dy vendeve, konstatohet se ka shumë frymë urrejtje, frike dhe armiqësie midis dy popujve dhe dy vendeve, ka mungesë informimi, keqinformim dhe dizinformim në tekstet respektive.