RCCOLA

Barrikadat e Prishtinës

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Blerim Shala- I harruam barrikadat në Veri, e në ndërkohë, kemi bërë goxha punë në ndërtimin e ‘barrikadave’ politike midis Prishtinës, të cilat sa vijnë e rriten, duke pamundësuar ‘lirinë e qarkullimit dhe të komunikimit’ në politikën kosovare.

Në shpartallim e sipër është politika kosovare e kohëve të fundit, me fare pak mundësi, së paku në rrethanat e tanishme, për të gjetur shtegdalje të mbarë dhe të mirë për vendin.

Në dy vitet e fundit, pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 2010 të cilat gjithsesi janë ai burimi themelor (apo, ‘nëna e të gjitha burimeve të tjera’), i të gjitha teposhtëzave politike që i ka përjetuar Kosova që prej atëherë, në katër raste ka dalë në shesh një pajtim i përgjithshëm politik, i cili megjithë mekanizmave të krijuar në ndërkohë, nuk prodhoi atë cilësinë aq shumë të duhur politike e cila do të këndellte politikën e Kosovës.

Rasti i parë që unifikon të gjithë është Agjenda Evro-Atlantike e Kosovës.

Rasti i dytë ishte vendimi për hyrjen në procesin e Reformimit të sistemit zgjedhor dhe të ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës, në kaptinën që përkon me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.

Rasti i tretë ishte intervenimi i ROSU-s në Veri të Kosovës, me 25 korrik të vitit të kaluar, i cili u kumtua nga Qeveria e Kosovës në trajtë të ndryshimit thelbësor të gjendjes në këtë pjesë të Kosovës.

Rasti i katërt ishte ndërmarrja e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, apo të përmbylljes së mandatit të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), me 10 shtator, 2012.

Sikur politika kosovare t’i mbante gjallë pajtimin për këto katër çështje, në këtë tetor, nuk do të mund assesi të flitej për krizë të thellë (të re) politike, dhe për gjendjen e cila shquan skenarët problematike për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës.

Ta zëmë, përfundimi i Mbikëqyrjes së pavarësisë, është dashtë të përcillet me një dialog intensiv të brendshëm politik për Agjendën e Kosovës pas 10 shtatorit.

Dialog të tillë nuk pati.

Për shembull, tema e integrimit të Veriut të Kosovës, e cila si kërkesë, si synim, si e drejtë dhe si obligim bashkon të gjithë faktorët kosovarë, poashtu është dashtë të sjellë rreth një tavoline kryepolitikanët e Kosovës.

UBT

Më në fund, edhe çështja tepër e rëndësishme e reformës zgjedhore dhe e ndërrimit të kushtetutës, pas ngecjes së madhe të verës së këtij viti, nuk ka rrugë të tjetër për të dalë nga qorrsokaku i tashëm, pos dialogut të brendshëm politik.

Të tillët që thirren në raportin klasik Qeveri – Opozitë edhe për këto tema që njëmend janë bashkuese, ose nuk marrin vesh fare në politikë, ose duan me çdo kusht që edhe më tej ta acarojnë këtë klimën edhe ashtu tensionuese politike në vend, me shpresë që thyerja e madhe që mund të ndodhë në atë rast, do të ndryshojë gjithçka. E ata nuk e dinë që ky ‘ndryshimi gjithçka’, mund të jetë njëmend çdo gjë pos diç që do të shquhej me të mirat e reja për këtë vend.

Aktualisht pra, politika kosovare është pa Agjendë të qartë sa i përket sprovave kyç ndërkombëtare, çfarë është dialogu i paralajmëruar tash e sa kohë me Beogradin, është pa ide fare se çka duhet bërë që të tejkalohet ngërçi politik që përkon me ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, nuk di fare se si ta ndreq raportin e prishur midis Qeverisë dhe Kuvendit.

Tash për tash, mungesa e këtij dialogu të brendshëm politik, i cili është obligim i të gjithë politikanëve të vendit, është pjesë e domosdoshme e një kulture dhe edukate politike, është nevojë që del nga synimi për ta stabilizuar këtë vend, veçmas nga pikëshikimi i periudhës pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, po ‘kompensohet’ me hapjen e fronteve të reja politike, pos atyre që ekzistojnë tash e sa kohë, me ngritjen e ‘aktakuzave’ të reja, me fuqizimin e mëtejmë të pafuqisë reale politike që sa po vjen e po bëhet tipari kryesor i politikës kosovare.

Nuk po shihet (së paku hë për hë), që Ambasadat dhe faktori ndërkombëtarë e kanë ndërmend të shqetësohen në atë masë me ne, sa të provojnë të ndërmjetësojnë në këtë rrëmujën politike vendore. Të mos harrojmë që pas 10 shtatorit, hiç punën e KFOR-it dhe EULEX-it, jemi vetë me vete (si thuhet), dhe vetë (pra), duhet të gjejmë zgjidhjet e duhura për temat e spikatura tashmë.

Në këtë kontekst ta zëmë, nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë mungesa e një dialogu të brendshëm për çështjen e dialogut që po na pret me Serbinë. Tek e mbrama, secili mund t’i mbajë qëndrimet e veta gjatë këtij dialogu, mund t’i ofrojë argumentet e tij për apo kundër bisedimeve, por vetë mungesa e takimeve të këtilla nuk i sjell gjë të dobishme vendit dhe politikës.

Pastaj, nuk ka dhe nuk mund të ketë arsyetim për një bllokadë të plotë që po i ndodhë procesit të reformimit të sistemit zgjedhor dhe të ndryshimit të Kushtetutës në segmentin e Presidentit të Kosovës. Nuk mund të ndodhë gjë e hairit për vendin përmes kushtëzimeve të prera drejtuar njërit apo tjetrit, sepse konsensus për asgjë nuk mund të ketë me kërcënime, shantazhe, kushtëzime, me ‘selame’ publike.

I harruam barrikadat në Veri, që kanë gjithsesi synime politike dhe të sigurisë, të cilat dëshirojnë që një herë e përgjithmonë ta ndajnë Veriun e Kosovës nga shteti i Kosovës, dhe në ndërkohë, kemi bërë goxha punë në ndërtimin e ‘barrikadave’ politike midis Prishtinës, të cilat sa vijnë e rriten, duke pamundësuar ‘lirinë e qarkullimit dhe të komunikimit’ në politikën kosovare.

Një gjendje e kësisojt nuk ndryshohet në mënyrë tjetër, pos përmes prishjes së këtyre ‘barrikadave’, heqjes dorë nga qasja e konfrontimeve totale politike, dhe instalimit të dialogut të brendshëm politik.

Por kjo perspektivë duket diç e barasvlershme me fantastikën shkencore. Tash për tash.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)