UBT

Barazia kushtetuese ende një ëndërr për shqiptarët e Maqedonisë se Veriut

/ 8 minuta lexim
Hidromorava

Nga Fatos Rushiti – Kur jemi kah fundi i fushatës parazgjedhore, në taborrin politik shqiptar sikur kemi një nënshtrim të heshtur të partive politike shqiptare ndaj dy partive më të mëdha maqedonase, LSDM dhe VMRO, të cilat dominojnë skenën politike maqedonase tre dekada me radhë.

Bazuar në premtimet e liderëve politikë shqiptarë, Badinteri në Qeveri, barazi buxhetore, nënshkrim i lidhur i zëvendëskryeministrit shqiptar me kryeministrin maqedonas, apo dhe hiper oferta për kryeministër shqiptar, dhe shumë kërkesa tjera që përsëriten ndër vite, ëndrra e shqiptarëve për barazi kushtetuese me popullin maqedonas sikur është venitur totalisht dhe as që shihet dritë në fund të tunelit se, vërtetë do të realizohet ndonjëherë.

Kur e ceka nënshtrim, e kam fjalën tek mungesa e një kauze të fortë politike për ndryshime rrënjësore politike dhe juridike në Maqedoninë e Veriut. E them këtë pasi Marrëveshja e Ohrit, për hyrjen e shqiptarëve në Administratën Publike, avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe, tanimë e nuk i bën punë as BDI-së, sepse kjo Marrëveshje edhe sot është diskrimuese në rrafshin vertikal e pak pozitive në atë horizontal, kjo në kuptimin e relacionit të shqiptarëve në raport me sistemin politik në vend.

Nëse vazhdohet me këtë ritëm të të bërit politikë, ku partitë politike shqiptare kërkojnë hise në pozicione të larta shtetërore dhe në buxhetin e shtetit që e mbushin dhe vetë, në stilin e lypasrit apo luftëtarit të dritës, sigurisht që do të vijmë në situatë ku më i nënshtruari nuk e duron më tutorin, dhe mund të shpërthej nga brenda e jo të vijë dikush nga jashtë për të kërkuar barazi mes dy popujve kryesor në vend.

Vetë fakti që ende quhemi populli i mbi 25 përqindëshit, ku gjatë kësaj fushate iu kujtua dhe VMRO-së të na e kujtojë, biles dhe të premtojë se do të heq nga kushtetuta këtë term tmerrësisht diskrimunues, ndërkohë që partitë politike shqiptare me premtimet e tyre të vogla duke mos guxuar të kërkojnë ndryshimin e sistemit juridiko kushtetues, tamam e konfirmojnë konkluzionin se ne shqiptarët nuk mundemi më shumë ose nuk dimë të mundemi më mirë e më shumë.

Ishte kjo VMRO, që kur ishte në pushtet granatoi e dogji dhjetëra shtëpi të qytetarëve të vetë, siç ndodhi në Kumanovë në vitin 2015-të, duke keqpërdorur shërbimin sekret në dëm të shqiptarëve e që deri më tani nuk ka dhënë llogari askush ndërsa tragjikomikisht personat e njëjtë duan ta reformojnë këtë shërbim.

Jo, liderët politikë shqiptar nuk kanë këllqe të flasin për tema të rënda, ata janë në hall se a do ti merr LSDM në Qeveri apo jo. Biles BDI duke u tutur që një pjesë e elektoratit shqiptar mund të votojë LSDM-në e që me shumë gjasa do të votojë, bëri hapin e ngutshëm duke e zgjedhur kandidat për kryeministër njeriun i cili ishte simbol i nënshtrimit të shqiptarit ndaj maqedonasit në politikë.

Kujtojmë këtu se, në kohën kur kandidati i BDI-së ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i punës dhe politik sociale, shqiptarët në Administratën Publike ishin nën 2 %. Anëtarësia e gjerë e BDI-së u befasua kur lideri i partisë Ali Ahmeti, në Prespë nxorrën emrin e kandidatit, sigurisht duke shpresuar se shqiptarër që emocionalisht kanë nostaligji për LSDM-në të votojnë BDI-në por që realisht nuk pritet do të ndodh në këto zgjedhje. Nga ana tjetër, kjo parti flet për parimin e Bandinterit në Qeveri ndërsa në Organin me të lartë në shtet, Kuvendin, për disa vite sa ishte në pushtet me VMRO-në e pasivizoi fare Komisionin për marrëdhënie ndëretnike aty ku duhej të funksiononte Badinteri.

Pa mos i lënë anash meritat e kësaj partie për shndërrimin e Sekretarit për impelmentimin e Marrëveshjes së Ohrit në minsitri për sistem politik dhe marrëdhenie midis bashkësive etnike, si dhe themelimin e Universitetin Nëna Terezë Kryeqytet, por kur dihet tashmë se partia e Ahmetit nuk shquhet për cilësi në Qeverisje, edhe nëse vërtetë do t’a merr postin e kryeminstrit, nuk do të jetë diçka ndryshe por do të jetë prapë njëjtë. Pësëri shqiptari i diplomuar para 10 a 15 viteve vetëm se është anëtar i PDSH- së në fshatin Opajë të Komunës së Likovës, nuk do të mund të punësohet në Shtet por do të presin radhë nipat e tezet e funksionarëve partiak të partisë së Ahmetit dhe Xhaferit.

RCCOLA

BDI edhe mund të merr kryeminstrin por shteg që e bind Ali Ahmetin dikush nga miqtë e tij të vjetër që të lëshojë linjat korruptive nëpër drejtori, ashtu siç nuk ia lëshoi as Aleancës për Shqiptarët për të udhëhequr më mirë para tre viteve, nuk ka shanse të ndodh.

Veç kësaj, humbi nga fjalori publik edhe Ridefinimi i shtetit i Lëvizjes BESA dhe i kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi. As Platforma e Tiranës nuk përmendet më, ndoshta nga fakti se dikush mendon se ligji për gjuhët u bë, edhe pse në drejtorinë e Agjencisë për zbatimin e ligjit, kemi një udhëheqje banditeske, dhe ligji nuk implementohet pothuajse nga shumica e organeve shtetërore. Kjo u pa edhe në Komisionin Shtetëror Zgjedhor që injoroi tërësisht ligjin duke mos votuar që fletëvotimet në nivel vendi të jenë në dy gjuhë, dhe liderët politikë shqiptarë, pra lypsarët tanë, heshtën në mënyrë të turpshme.

Kur jemi tek barazia kushtetuese, ai që flet më konkretisht për pozicione paraprake që do të ndikonin më pas për një barazi më të gjerë juridike dhe kushtetuese është kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi duke kërkuar nënshkrimin e lidhur me atë të kryeminstrit, apo siç quhet në fjalorin juridik kundërfirma me theks në sistemin gjysmëpresidencial francez. Megjithatë edhe Menduh Thaci nuk shihet që ka qëndrime të forta ndaj barazisë kushtetuese, ndoshta nga fakti se pret të jetë pjesë e Qeverisë së dytë të Zoran Zaevit.

Por ajo që mua më intrigon personalisht dhe më çuditë, është zbutja e fjalorit të liderit të ASH-s Ziadin Sela për barazi kushtetuese, e që në fillim të formimit të subjektit të tij politik megjithatë ishte kryefjalë e qëndrimeve të tij politike. Ndoshta ende në këtë parti vepron “Kali i Trojës”, i përshtatshëm dhe i lavdërueshëm nga LSDM për udhëheqje në qeverisje ndërsa barazia eventuale kushtetuese do të rriste konkurrencën mes mjekëve shqiptar në poste drejtuese. Edhe më komike duket takimi i Selës me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin i cili shquhet për qëndrime radikale ndaj keqqeverisjes, korrupsionit dhe nepotizmit, dhe qëndrime të forta ndaj oponentëve politikë, por që realisht nuk e ndjek fare shembullin e Kurtit të të bërit opozitarin e vërtetë dhe kërkuesin e pakompromis të pushtetit, për të qenë i sigurt në fitoren e zgjedhjeve të 15 korrikut.

Ndryshe, nëse ASH do të kishte qëndrime radikale ndaj politikës nënshtruese të BDI-së ndaj partnerit politik maqedonas, të kërkonte pandërprerë ndryshimin e sistemit kushtetues dhe politik, apo të n’a tregonte qartazi se si e sheh pozicionin e ardhshëm të popullit shqiptar në shtet, të thoshte se nuk do të jetë pjesë e pushtetit me çdo kusht pa i garantuar ndryshimet kushtetuese, me gjasë Sela do të fitonte në zgjedhjet e 15 korrikut Ali Ahmetin e BDI-së.

Ky i fundit, fakti që nxori një kandiat për kryeministër i afërt me LSDM-, flet qartë se hë për hë kjo parti nuk e ka në mend të ndryshojë kursin politik nga ai i Marrëveshjes së Ohrit.

Kur kësaj i shtojmë atë që elektorati shqiptar do të defaktorizohet edhe më tej sa i përket përfaqësimit në Kuvend, sepse janë katër subjekte politike që pretendojnë votën e tij, ku LSDM do të prekë thellë në vendbanimet e pastra shqiptare, do të përforëcon argumentin politik se shqiptarët, në tokat veta shekullore, me gjithë kontributin për krijimin shtetit të Maqedonisw së Veriut, prapë janë popull i dorës së dytë. Andaj, siç thash në fillim, barazia kushtetuese mbetet vetëm një ëndërr e parealizuar.

(Autori është pedagog i rregullt në Universitetin për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë, pedagog me kohë jo të plotë në Fakultetin e Administratës së Biznesit, Universiteti i Tetovës, ndersa është Doktor i Shkencave në Siguri Nacionale).