Fundamenti

Barazia gjinore nuk është vetëm një e drejtë themelore, por një shtyllë e zhvillimit demokratik dhe social

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Kamenicë – Në Kamenicë është mbajtur një tryezë më temën: “Gratë në Shoqërinë Kosovare: Dje, Sot dhe Nesër”. Diskutimet nxorën në pah nevojën për politika më të fuqishme për barazi gjinore, më shumë mbështetje për gratë në ekonomi dhe përfshirje të gjerë në vendimmarrje.

Në kuadër të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Komuna e Kamenicës, përmes Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut dhe Zyrtares për Barazi Gjinore pranë DAP-së, me mbështetjen e OSBE-së, organizoi tryezën e rrumbullakët “Gratë në Shoqërinë Kosovare: Dje, Sot dhe Nesër”.

Ngjarja mblodhi bashkë përfaqësues institucionalë, aktivistë të shoqërisë civile, profesionistë dhe gra lidere nga fusha të ndryshme, të cilët diskutuan mbi progresin, sfidat dhe perspektivat e barazisë gjinore në Kosovë.

Tryeza u hap nga Nazmije Demolli Kastrati, Koordinatore e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, e cila theksoi rëndësinë e trajtimit të çështjeve gjinore me një qasje gjithëpërfshirëse. Ajo foli për rrugëtimin e grave në tri periudha.

“Sot, ne reflektojmë mbi rrugëtimin e grave në shoqërinë tonë, duke ndalur në tre periudha kyçe:
E kaluara – sakrificat dhe kontributi i grave në shoqëri, përfshirë periudhën e luftës dhe ndërtimin e paqes.
E tashmja – arritjet dhe sfidat që gratë përballen në fusha si politika, drejtësia, ekonomia dhe arsimi.
E ardhmja – strategjitë dhe hapat e nevojshëm për të siguruar një shoqëri më të barabartë dhe më gjithëpërfshirëse për gratë”, ka thënë ajo.

Igli Totozani, Drejtor i Qendrës Rajonale të OSBE-së në Gjilan, në fjalën e tij vuri theksin tek mbështetja e OSBE-së për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.

“Barazia gjinore nuk është vetëm një e drejtë themelore, por një shtyllë e zhvillimit demokratik dhe social. Ne duhet të vazhdojmë të krijojmë hapësira ku zëri i grave dëgjohet dhe përfaqësimi i tyre është i garantuar. Vetëm një shoqëri që investon në fuqizimin e grave mund të ecë përpara drejt progresit të vërtetë”, u shpreh ai.

UBT

Diskutimi vijoi me një panel të përbërë nga gra të suksesshme dhe me ndikim në komunitet, të cilat ndanë përvojat dhe perspektivat e tyre mbi sfidat dhe përparimin e barazisë gjinore në Kosovë.

Valbonë Dervodeli, Kryetare e Gjykatës – Kamenicë foli për pjesëmarrjen e grave në drejtësi.
“Pjesëmarrja e grave në drejtësi është një domosdoshmëri. Drejtësia duhet të reflektojë diversitetin e shoqërisë dhe të sigurojë mbrojtje të barabartë për të gjithë”, ka thënë ajo.

Nexhmije Kallaba, ish-nënkryetare e Komunës së Kamenicës foli për gratë në politikë.
“Gratë në politikë përballen me sfida të shumta, por me përkushtim dhe mbështetje të ndërsjellë, ato mund të ndikojnë në vendimmarrje dhe në krijimin e politikave më të drejta”, theksoi ajo.

E Kadrije Mustafa, fermere e suksesshme e Komunës së Kamenicës tregoi më shumë për gratë në këtë fushë.
“Bujqësia mbetet një nga sektorët ku gratë kanë një rol jetik, por sfidat për qasje në financa dhe mbështetje institucionale janë ende të mëdha. Duhet të krijojmë më shumë mundësi për gratë në ekonomi”, tha ajo.

Diskutimet nxorën në pah nevojën për politika më të fuqishme për barazi gjinore, më shumë mbështetje për gratë në ekonomi dhe përfshirje të gjerë në vendimmarrje.

Në përmbyllje të tryezës, Koordinatorja e NJKDNJ-së falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe theksoi se barazia gjinore nuk është një çështje vetëm për 8 Marsin, por një përpjekje e vazhdueshme që kërkon angazhim të të gjithë shoqërisë./rajonipress/