Eko Higjiena

Barani: Ata që shkaktuan dhunë, janë banditë dhe hajna

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë, e dënon sjelljen e disa personave të dielën në Mitrovicë. Ai thotë se protestuesit e mirëfilltë nuk e shkaktuan dhunën por njerëz që kanë vepruar më shumë kundër pushtetit lokal sesa kundër barrikadës. Këta persona që Barani thotë se ka fakte që kanë qenë më shumë nga qytete tjera sesa nga Mitrovica, thotë se kanë qenë banditë dhe hajna.

Protesta e së dielës është kthim prapa. Ata njerëz nuk ia duan të mirën Kosovës e as Mitrovicës. Njerëzit që sulmuan policinë nuk janë njerëz normalë. Ata janë banditë dhe hajna. Kështu ka thënë në një intervistë për Tribunën Halit Barani.

Barani lavdëron punën e Policisë, ndërsa njerëzit që shkaktuan dhunë, thotë se janë njerëz që kanë punuar me direktiva nga Serbia por edhe kundër pushtetit lokal.

“Janë disa grupe që nuk u konvenon qetësia, nuk u konvenon largimi i barrikadës por janë grupe që merren me kontrabandë dhe bashkëpunojnë ngushtë me kontrabandistët serbë. Kur e them këtë, e kam parasysh faktin se në parkingun e komunës janë dëmtuar 18 automjete të ndryshme, 5 automjete të ATK-së, dy nga të cilat janë tërësisht të djegura. Kjo mbase e vërteton faktin se ato grupe janë kundër pushtetit lokal sepse ata e kanë ditur se parkingu është i Komunës”.

Tribuna: Ishte paralajmëruar protestë e qetë por ajo më vonë u shndërrua në dhunë. Ku qëndron shkaku i shpërthimit të dhunës?
Barani: Protesta e së dielës në kundërshtim të rivendosjes së barrikadës në urë mbi lumin Ibër ishte paralajmëruar e qetë dhe ashtu përfundoi. Organizatorët e kryen protestën në mënyrë të qetë ashtu qysh e kishin paralajmëruar dhe rreth 50-60 protestues që kishin marshuar nga stacioni i policisë në jug deri te Kuvendi Komunal janë shpërndarë të qetë. Mirëpo, pas shpërndarjes së tyre, tek ura filluan të vinin grupe të ndryshme dhe pa kurrfarë arsye sulmuan Policinë e Kosovës vetëm pse nuk i lejuan t’i afrohen urës edhe pse aty qëndronin forca të KFOR-it amerikan, gjerman dhe italian. Protesta u masovizua nga grupe që unë i kam quajtur grupe banditësh sepse njerëzit normalë nuk e gjuajnë policinë pa arsye madje me mjete të forta por këtë e bëjnë njerëzit që janë të paguar nga dikush. Mendoj se në momentin që është paralajmëruar protesta ata kanë gjetur elemente për ta përshkallëzuar situatën, ndërsa një pjesë tjetër mendoj se kanë vepruar kundër pushtetit lokal me qëllime të caktuara.

Tribuna: Po thoni se ata kanë punuar me direktiva të tjetër kujt?
Barani: Siç e theksova edhe më herët, një pjesë e tyre kanë qenë vegla qorre të paguara nga Serbia, ndërsa një pjesë tjetër kanë punuar kundër pushtetit lokal.

Tribuna: Kush janë ata, sipas jush?
Barani: Janë disa grupe që nuk iu konvenon qetësia, nuk iu konvenon largimi i barrikadës por janë grupe që merren me kontrabandë dhe bashkëpunojnë ngushtë me kontrabandistët serbë. Kur e them këtë, e kam parasysh faktin se në parkingun e komunës janë dëmtuar 18 automjete të ndryshme, 5 automjete të ATK-së dy nga të cilat janë tërësisht të djegura. Kjo mbase e vërteton faktin se ato grupe janë kundër pushtetit lokal sepse ata e kanë ditur se parkingu është i komunës.

Fundamenti

Tribuna: Pretendohet se në protestë kishte grupe edhe nga qytetet tjera të Kosovës. Cili është mendimi i juaj?
Barani: Kishte edhe grupe tjera që kanë ardhur nga qytete tjera, nga Ferizaj e Peja gjithsesi pasi që së paku ashtu janë prezantuar në pyetjen time drejtuar disave nga ta se prej kah jeni, por sigurisht se ka pasur edhe nga qytetet tjera.

Tribuna: Cili ishte veprimi i protestuesve pas përshkallëzimit të situatës?
Barani: Pas dëmtimit të veturave në parkingun e Komunës, kanë filluar dëmtimin dhe demolimin e dyqaneve, dëmtimin e kamerave të sigurisë në qytet dhe dëmtimin e kamerave të sigurisë në disa lokale përreth. Më pas kanë shkuar në kuartin e argjendarëve ku edhe atje i kanë thyer dyqanet e kjo bën të kuptosh se ata nuk kanë qenë të interesuar se a ka barrikada në urë apo jo, por iu ka interesuar vetëm plaçkitja.

Tribuna: Si ishte reagimi i policisë së Kosovës, me rastin e tentimit të shpërndarjes së turmës?
Barani: Policia ka reaguar ashtu si i ka hije organeve të rendit. Kanë kërkuar prej banditëve, prej plaçkitësve që të largohen, ndërsa ata mirësjelljes së policëve iu përgjigjën me gurë dhe mjete të forta në drejtim të tyre që rezultoi me lëndimin e disa policëve të Kosovës. Pastaj kanë ndërhyrë njësitet speciale të policisë polake dhe asaj ukrainase duke hedhur gazë lotsjellës të cilin e përdornin pa kurrfarë mase si dhe plumba gome. Personalisht jam dëshmitar dhe kam incizimet kur ata me arka bartnin plumba gome dhe gaz lotsjellës

Tribuna: Po Policia?
Barani: Më tragjike për Policinë e Kosovës ishte se ata të gjithë ishin pa pajisje të duhura mbrojtëse për raste të tilla të dhunës

Tribuna: Tani pas asaj dite si qëndron situata e sigurisë?
Barani: Situata në Mitrovicë në asnjë moment nuk mund të thuhet se është e qetë, por relativisht e qetë, sepse ajo në çdo moment mundë të shpërthejë. E them këtë duke pasur parasysh faktin se barrikada e rivendosur në urë u vu para organeve të sigurisë, para syve të KFOR-it, xhandarmërisë italiane dhe para Policisë së Kosovës dhe askush nuk e bëri as më të voglën ndërhyrje në pengimin e saj. Kjo të bën me kuptua se në këtë barrikadë që po quhet politike, pjesërisht kanë dorë edhe disa ndërkombëtarë. Unë e shoh si provokim për popullatën shqiptare përqendrimin shumë të madh të forcave ushtarake, policore të cilët janë koncentruar në jug e jo andej prej kah vijnë kërcënimet. Kjo së pari është provokim për mua e besoj se edhe për të tjerët. Së paku unë kështu e mendoj.

Tribuna: Një përkufizim i juaji për protestën e dhunshme.
Barani: Mendoj se kjo protestë na ka kthyer shumë mbrapa, sepse ka qenë e panevojshme dhe në kohë jo të duhur.