UBT

Baraliu: Presioni ndaj Kosovës i madh, Serbia përkëdhelet

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Kërkesa e faktorit ndërkombëtar për zgjedhje të reja në katër komunat në veri të vendit po shihet si spontante dhe e pastudiuar mirë nga profesori universitar dhe ish-kryetari i Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dje, në Kishinau të Moldavisë, zhvilloi një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me kërkesë të presidentit francez, Emanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ku i pranishëm ishte edhe Përfaqësuesit i Lartë i BE-së, Josep Borrell. Ky i fundit pas këtij takimi ka bërë të ditura tri kërkesat të cilat i janë paraqitur Kosovës për shtensionimin e menjëhershëm të situatës në veri të vendit: Zgjedhjet e reja lokale në veri menjëherë; – Sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës’ dhe fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

E këto kërkesa profesori Baraliu po i sheh si një përpjekje qëllimmirë të bashkësisë ndërkombëtare për uljen e tensioneve, por spontane dhe të pastudiuara mirë nga qendrat e vendosjes në Bruksel dhe në Uashington.

“Nga kërkesat e tilla spontane e të pastudiuara mirë mendoj se nuk mund të pritet shumë. Në propozimin e Macron dhe Scholz kemi një shpërputhje me kërkesat e diplomacisë amerikane për çështjen në veri”, ka theksuar Baraliu në RTK.

Ai e ka vlerësuar të gabuar politikën ndërkombëtare karshi Beogradit, teksa ka thënë se kemi vetëm “politikë joshëse ndaj Vuçiqit” por jo edhe ”ndëshkuese”. Madje, ka thënë se edhe pse Serbia ka qenë shkaktar i katër luftërave të fundit në Ballkan, ajo vazhdon të përkëdhelet dhe të përkrahet në mënyrë të pashembullt nga Evropa.

“Ne, fatkeqësisht jemi në pat pozicion dhe sjelljet e pashembullta që po i bën bashkësia ndërkombëtare ndaj Kosovës janë irracionale, të padrejta, jodemokratike dhe të pahijshme sepse Kosova nuk është shkaku i problemit. Shkaku i problemit është Serbia. Ajo po i shkakton këto probleme dhe këtë identifikim nuk e ka bërë bashkësia ndërkombëtare”, ka shtuar Baraliu.

Mobi Casa

Ai ka thënë se presidentja e vendit dhe kryeministri duket se në heshtje e kanë pranuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të vendit, por sipas tij edhe ky proces është problematik.

“Pengesa e parë është dinjiteti i shtetit dhe i atyre kryetarëve atje, sepse ata janë zgjedhur në mënyrë demokratike. Ata kanë legjitimet, jo të madh por e kanë dhe kanë legalitet, prandaj ata njerëz nuk mundet aq lehtë të manipulohen nga askush dhe mbase nuk do të manipulohen. Pengesa e dytë është se pa dorëheqjen e tyre s’mund të kemi zgjedhje atje. Në qoftë se serbët dëshirojnë të dalin e kanë mundësinë që 20 përqind e tyre, të cilët kanë të drejtë vote nga ajo pjesë e vendit të deklarohen me një peticion dhe t’i drejtohen kryetarit të secilës komunë, por kjo vështirë se ndodhë. Por, kjo duhet të ndodhë me ligj dhe nëse ndodhë atëherë kryetari e pranon atë listë si peticion për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme ia dërgon KQZ-së dhe ajo merr një vendim dhe pastaj e ka për detyrë ta njoftojë presidenten, e cila më pas e ka për detyrë t’i shpallë zgjedhjet e reja. Kjo procedurë është paksa e komplikuar, por ligjet tona e lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve. Këtë premtim duket se e ka dhënë presidentja dje”, ka nënvizuar Baraliu.

Ai ka thënë se nuk mund të kërkohet nga Qeveria e Kosovës që serbët të cilët manipulohen, shantazhohen, frikësohen në çdo mënyrë çdo ditë nga Beogradi që ta sigurojë daljen e tyre në zgjedhje.

Ai e ka vlerësuar këtë presion të ndërkombëtarëve si të padrejtë dhe të pashembullt, derisa ka kërkuar qasje ndryshe të politikës së BE-së ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit në përgjithësi.

“Politika e gabuar e BE-së gjatë gjithë këtyre viteve ndaj Kosovës dhe ndaj Ballkanit por edhe ndaj Ukrainës, është e tillë që duhet të ndryshohet. Evropa ka problemet e veta. Le të unifikohet Evropa, le të jetë ajo unike dhe kohezive në politikat e brendshme dhe të veprojë drejt për interes të popujve të Evropës dhe të Ballkanit në këtë rast. Këtë nuk po e arrin Evropa dhe po vjen e po bën presion e shantazh mbi një shtet të ri e të brishtë”, është shprehur tutje Baraliu.

Ai pret që zgjedhjet e reja në veri do të imponohet nga faktori ndërkombëtar, por ka thënë se me këtë humbet dinjiteti i shtetit.