Banorët e Malësisë falënderojnë Komunën e Gjilanit për rregullimin e rrugëve

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka vizituar sot punimet në shtrimin e fazës së parë të disa rrugëve e rrugicave me zhavor në fshatrat e Malësisë: Gadish, lagja e “Dubovëve”, Sllakovc e Kishnapole.
Banorët e kësaj ane e kanë falënderuar kryetarin Haziri për kujdesin, duke thënë se tashmë do ta kenë shumë më lehtë jetën.
“Ju falënderoj shumë zoti kryetar që na keni shtruar rrugët. Deri tash kemi qenë në gjendje shumë të rëndë, e kemi pasur shumë të rëndë jetesën, ndërsa tash e tutje do ta kemi më të lehtë në të gjitha aspektet”, tha Rasim Ajvazi, i cili foli në emër të banorëve të Gadishit.
Nga ana e tij, kryetari Haziri tha se kjo është më e pakta që mund të bëjë për banorët e kësaj ane, të cilët kanë vuajtur shumë nga lënia pasdore.
Ai tha se e ka për obligim t’i kryej detyrat e tij, në rregullimin e infrastrukturës me të gjitha elementet e saj, duke shtuar se kujdesi i Komunës nën udhëheqjen e tij nuk do të mungojë asnjëherë për banorët e Malësisë./rajonipress/