Banorët e fshatit Malishevë marrin pjesë dhe vendosin

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Banorët e Malishevës, vendosën që në kuadër të projektit buxhetimi me pjesëmarrje nga Komuna e Gjilanit, të realizohet parku në hapësirën afër shkollës.

Bekim Salihu, drejtor për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, tha se ky projekt në vlerë 40 mijë euro është bonus për Malishevën.

“Buxhetimi me pjesëmarrje, siguron mundësinë që qytetarët të marrin rol aktiv dhe të përfshihen në vendimmarrje, duke vendosur përmes votimit për projektin me prioritet”, tha drejtori Salihu.

Arbenita Sopi Haziri, drejtoreshë e Administratës së Përgjithshme, tha se pas përfundimit të fazës së parë të aktiviteteve për buxhetimin me pjesëmarrje, tash po vazhdon votimi i projekteve.
Sipas saj votimi i këtij projekti, ka rëndësi për banorët e Malishevës.

ARKATANA

Drejtoresha e Administratës, tregoi se projekti buxhetimi me pjesëmarrje bëhet për herën e dytë në Gjilan, duke inkurajuar për pjesëmarrje të grave dhe të rinjve në vendimmarrje dhe planifikim.

Drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Herolinda Murati Leka, tha se kjo është formë e re dhe demokratike e buxhetimit, e cila po implementohet në komunën tonë.

Sipas saj nga ky projekt përfitojnë banorët, të cilët votuan atë se çfarë duan.
Drejtoresha e Buxhetit dhe Financave, i ftoi malishevasit që me 27 qershor të jenë pjesë e diskutimit për Kornizën Afatmesme Buxhetore.

Ndërsa Kushtrim Ibrahimi, drejtor i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit, i falënderoi banorët që vendosën për projektin që duan të realizohet në vendbanimin e tyre./rajonipress/