Uji Dea

Bankrotimi i një politike

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga :Blerim Shala-Nuk mund të ketë përmbyllje të mirëfilltë të mbikëqyrjes së pavarësisë të Kosovës pa dhënien fund të mbikëqyrjes së Veriut të Kosovës nga Serbia.

Një përshkrim fare teknik: Në Serbi, tash e tutje, pas arritjes së Marrëveshjes midis Presidentit Nikoliq dhe Kryeministrit të nominuar Ivica Daçiq për bashkëqeverisje, do të jenë në pushtet strukturat e njëjta politike që i kanë prirë Serbisë gjatë Luftës në Kosovë, dhe gjatë fushatës së Paktit NATO, në pranverën e vitit 1999.

Ky krahasim është i qëllimshëm. Dhe i saktë. Të jemi fare të qartë.

Ju kujtohet njeri prej Parimeve të Grupit të Kontaktit (pranverë, 2005): Nuk ka kthim në vitin 1999 për Kosovën.

Është tejet e vështirë për t’i bindur shqiptarët në Kosovë që pushteti i tashëm i Serbisë, nuk është replikë e atij të para 13-14 viteve.

Natyrisht, Daçiq dhe Nikoliq tani bëjnë be në Evropë dhe në Perëndim, thonë që nuk do të ketë përsëritje të atyre viteve në Serbi dhe kudo tjetër, që në Kosovë duhet të mbretërojë paqja (nuk ka ndryshe, tek e fundit, sepse Kosova tutje është e mbrojtur prej Paktit NATO apo Misionit të KFOR-it), e më pas, siç bëri Kryeministri i ri serb, pohojnë që në Kosovë duhet të dërgohen forcat policore serbe.

Së pari, së paku në Veri të Kosovës, një gjë e tillë është e panevojshme. Daçiq është në krye të forcave policore të Serbisë që numërojnë disa qindra pjesëtarë, emrat e të cilëve, siç po thuhet kohëve të fundit, janë të njohur për instancat më të larta të Brukselit.

Nuk është temë a duhet të vijnë policë serbë në Kosovë. Tema është kur duhet të largohen ata prej Kosovës. Dhe kjo çështje është ngritur fuqishëm tash e gati një vit nga Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë, dhe së voni, edhe nga Mirosllav Lajçak, në emër të BE-së.

Sa të ketë polici serbe (dhe struktura tjera të Serbisë) në Veri të Kosovës, nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në Kosovë.

Së dyti, nëse Daçiq dhe Nikoliq na qenkan aq shumë proevropianë dhe properëndimorë, atëherë duhet të pajtohen që siguria në Kosovë, në atë aspektin sipëror (dhe final), është në duart e KFOR-it dhe EULEX-it.

Nëse aq shumë e duan BE-në, pse atëherë nuk e lanë EULEX-in, i cili në radhë të parë është Mision i BE-së, të jetë aktiv dhe funksional si duhet në Veri të Kosovës?

Dyshja e re e udhëheqësisë së Serbisë, do të provojë të mbajë në fuqi politikën e njohur të ish-Presidenit Tadiq ‘edhe Evropa edhe Kosova’, e cila, me gjasë, i kushtoi atij shtrenjtë: me humbjen e zgjedhjeve, pikërisht sepse diç e tillë është e pamundur, e parealizueshme, e pakuptimtë, tek e mbrama, edhe nga pikëvështrimi i BE-së dhe i SHBA-së.

Diçka që nuk e ke më në dorë (Kosovën), dhe që kurrë më nuk do ta kesh (dhe që kurrë nuk do të duhej ta kishe, në fakt), provon ta baraspeshosh me diçka që mund ta kesh (anëtarësimin në BE), po qe se njëmend bëhesh shtet evropian. E me Kosovën si busull kryesore politike, këtë kurrë nuk mund ta arrish. Po problemi është që në Bruksel pakkush ka disponim dhe vullnet për t’ia thënë këtë zyrtarëve serbë.

Deri tash, Brukseli arsyetohej në dy mënyra për mungesën e këtij mesazhi të shkurtër, të prerë, të qartë, të saktë në adresë në Beogradit zyrtar:

Mobi Casa

Së pari thuhej që diç e tillë, po qe se bëhet publikisht, do të dëmtojë rëndë Tadiqin dhe demokracinë e brishtë në Serbi, sepse në atë rast do ta marrin pushtetin pikërisht ata që janë sot në krye të tij.

Së dyti, pohohej që Tadiq e di këtë të vërtetë privatisht, por që ai duhet të ecë hap pas hapi, të lëshojë pe një grimë në Kosovë për të marrë pesë-gjashtë grima kah BE-ja, ashtu që të mbërrijmë në periudhën kur Serbia dhe Kosova do të jenë dy shtete që kanë fqinjësi të zakonshme.

Dhe kështu me radhë.

Kjo qasje a kjo politikë edhe zyrtarisht bankrotoi këto ditë.

Po natyrisht, ky lajm nuk do të pranohet në Bruksel, dhe aktualisht, nuk ka shenja që zarfi me këtë lajm akoma është hapur në Prishtinë.

Gjatë këtij viti, Daçiq dhe Nikoliq, njeri publikisht e tjetri më shumë privatisht, kanë shfaqur hapur bindjen e tyre që bashkëjetesë midis shqiptarëve dhe serbëve nuk mund të ketë as në Kosovë dhe as në Luginën e Preshevës, prandaj, propozimi i tyre ishte: Duhet të ndodhë shkëmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, shkëmbimi edhe i popullsisë (diçka si Marrëveshja e Llozanës midisi Greqisë dhe Turqisë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore), dhe duhet të krijohen kufijtë e re të Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë mund të pritet prej politikanëve të këtillë? Që do ta harrojnë këtë Propozim? Që do të bëhen paqësorë dhe pro-perëndimorë?

Problemi kryesor me Brukselin dhe Prishtinën e sotme është refuzimi për të pranuar lajmet e këqija.

Kështu është edhe tani.

Po realiteti në Beograd nuk do të ndërrohet së paku edhe një kohë. Dhe po ashtu, besimi që do të ndryshojnë politikanët që tash e kanë në dorë pushtetin në Beograd, herët a vonë do të tregohet i kotë, i dëmshëm, madje, i rrezikshëm.

Koha nuk punon për ne. Mjaft ka punuar, tek e mbrama, në të kaluarën. Veriu i Kosovës si është sot, nuk mund të qëndrojë edhe gjatë, apo, janë të bazuara parashikimet që mund të ketë përkeqësim të mëtejmë të situatës në këtë pjesë të shtetit të Kosovës.

Politika zyrtare e Kosovës do të duhej të këndellej sa më parë, së pari, duke kuptuar momentin e ri të keq politik në Beograd, së dyti, duke bërë analiza të qëndrueshme se çfarë do të duhej bërë tash e tutje që të përmbyllet mbikëqyrja e Veriut të Kosovës nga Serbia.

Nuk mund të ketë përmbyllje të mirëfilltë të mbikëqyrjes së pavarësisë pa dhënien fund të kësaj gjendjeje në Veri të Kosovës.

Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)