Bankat zhvatin klientët, BQK-ja mbyll sytë
Sistemi bankar në Kosovë, me tarifa gjithnjë e më të shtrenjta. Banka Qendrore justifikohet se nuk mund të ndërhyjë
Deputeti Bali Muharremaj tha se mbetet i habitur se si BQK-ja po lejon që bankat komerciale të vendosin tarifa për qytetarët, qoftë edhe kur deponojnë para në kontot e tyre nëpër këto banka, duke i detyruar qytetarët që të paguajnë për shërbimet që deri para 9 muajsh ishin pa pagesë dhe të cilat në të gjitha shtetet rreth nesh janë gratis
Njohës të fushës së sistemit bankar dhe financave, përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile kanë akuzuar drejtuesit aktualë të Bankës Qendrore se nuk po e kryejnë punën siç kërkohet me ligjet e Kosovës, përkatësisht se po bëhet një menaxhimi i dobët i sistemit financiar nga ana e krerëve aktual të BQK-së.
Por, akuza kryesore është vlerësimi se bankat komerciale po “çmenden”, duke vrapuar pas fitimeve të larta. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bali Muharremaj, tha se në Kosovë shumica e bankave komerciale po i zhvatin klientët e tyre me kamata të larta.
“Që e keqja të jetë më e madhe duke filluar nga ky vit bankat komerciale po ofrojnë edhe shërbime të shtrenjta dhe të larta, dhe ka ndodhur që edhe për shërbime më të thjeshta bankare i kanë detyruar qytetarët të bëjnë të paguajnë, duke qenë më të lartat në krahasim me rajonin”, tha ai.
Muharremaj tha se dyshohet se krerët e tashëm të BQK-së janë bërë aleatë dhe mbështetës kujdestarë të 10 e më shumë bankave komerciale që afarojnë në Kosovë, dhe të cilat që nga paslufta e deri më sot janë duke e bërë zhvatjen e qytetarëve dhe bizneseve të ligjshme me hiperkamat në kreditë biznesore dhe qytetarëve..

