UBT

Bankat po bëhen fajdexhinj, rrjepin qytetarët dhe bizneset

/ 9 minuta lexim

Tarifat e reja janë shumë të rënda dhe janë ngarkesa të panevojshme për shkak se shumë prej këtyre bizneseve të shoqatës sonë po u ofrohen shërbime që nuk mund t’i shfrytëzojnë, kurse pagesat janë të obligueshme, pavarësisht faktit se a shfrytëzohen ato.

Halimi: Kosova gjendet në një krizë të thellë ekonomike dhe këto tarifa të rritura po i rëndojnë së tepërmi bizneset dhe qytetarët

Tarifat e reja janë shumë të rënda dhe janë ngarkesa të panevojshme për shkak se shumë prej këtyre bizneseve të shoqatës sonë po u ofrohen shërbime që nuk mund t’i shfrytëzojnë, kurse pagesat janë të obligueshme, pavarësisht faktit se a shfrytëzohen ato.

Çmimet duhet të kthehen në nivelin e mëhershëm, sepse vendi ndodhet në një krizë të thellë ekonomike dhe me numër të madhe të të papunëve dhe me këto çmime të shërbimeve Kosova po bëhet vendi më i shtrenjtë në rajon dhe në Evropë”, thotë kryetari i Shoqatës së bizneseve të naftës, Fadil Berjani

Ndonëse Kosova gjendet në një krizë të thellë ekonomike, një pjesë e bankave komerciale që afarojnë në Kosovë muaj më parë i kanë rritur çmimet për shërbimet për klientët dhe bizneset, konkretisht tarifat në mirëmbajtjen e llogarive bankare. Mësohet se kjo rritje e papritur ka bërë që tarifat për mirëmbajtjen e llogarisë për biznese kanë arritur deri në 20 euro në muaj, varësisht nga banka, por edhe nga shërbimet që ofrohen përmes pakove bankare. Analistët ankohen se këto tarifa të rritura po i rëndojnë së tepërmi bizneset dhe qytetarët. Nga specialistët e kësaj fushe shtrohet pyetja se përse bankat komerciale që afarojnë në Kosovë nuk po e respektojnë Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve, në bazë të të cilit ligj bankat janë të obliguara që të informojnë paraprakisht klientët lidhur me çdo ndryshim, përfshirë këtu edhe çështjen e shumës së mirëmbajtjes së llogarisë. Me gjithë pyetjet e gazetarit të dërguara në adresën elektronike të Zyrës për Informim të TEB Bankës dhe të BQK-së se çka thonë ata për këto shtrenjtime të shërbimeve, zyrtarët e tyre nuk janë përgjigjur për gazetën. Arsyetimi i bankave komerciale: Integruam shërbimet Në përgjigjen e dhënë përmes postës elektronike, zyrtarët e Bankës ‘ProCredit’, për gazetën “Kosova Sot”, kanë thënë se si bankë zhvillimore mbeten të fokusuar dhe mbështesin bizneset e vogla dhe të mesme.”Për të bërë më të lehtë, më të shpejtë dhe më efikas bankimin me bankë edhe për klientët e biznesit janë integruar 28 shërbime bankare në kuadër të llogarisë dhe si rezultat komisioni mujor për mirëmbajtje të shërbimeve është bërë 20 euro”, vijon përgjigja. Në uebfaqen e kësaj banke thuhet se Banka ‘ProCredit’ është institucioni financiar që në fillim të muajit tetor ka filluar se zbatuari tarifat e reja për klientët. Në këto ndryshime për mirëmbajtje të shërbimeve për biznese është rritur shuma në 20 euro në muaj. Në këtë pako përfshihen 28 shërbime të ndryshme.

Ndërsa në një përgjigje të ‘Raiffaisen Bank’ për gazetën “Kosova Sot” thuhej se në listën e tarifave për biznese, listë kjo që është rifreskuar më 21 shtator të këtij viti, thuhet se pakot e llogarisë për biznese fillojnë prej 1.99 euro, që vlen për klientët ekzistues, pastaj varësisht nga produktet që përmban pakoja e llogarisë, nis prej 3.99 euro, 6.99 euro deri në 13.99 euro, kjo e fundit përfshin 19 produkte të ndryshme. Bizneset ankohen Ndërsa lideri i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se e përcjell vlerësimin e shoqatës se tarifat për biznese si për qytetarë ashtu edhe për biznese, janë shumë të larta dhe kjo është një ndër ankesat e shumta të bizneseve. “Deri te një shqetësim i tillë i bizneseve tona ka ardhur pas një ankete që e kemi bërë në shoqatën tonë. Edhe një herë po e përsëris se tarifat e reja janë shumë të rënda dhe janë ngarkesa të panevojshme, për shkak se shumë prej këtyre bizneseve të shoqatës sonë po u ofrohen shërbimeve që nuk mund t’i shfrytëzojnë, kurse pagesat janë të obligueshme, pavarësisht faktit se a shfrytëzohen ato”, u shpreh ai.”Çmimet duhet të kthehen në nivelin e mëhershëm, sepse vendi ndodhet në një krizë të thellë ekonomike dhe me numër të madh të të papunëve dhe me këto çmime të shërbimeve Kosova po bëhet vendi më i shtrenjtë në rajon dhe në Evropë”, vijoi më tej Berjani. Sipas tij, ‘ProcCredit Bank’ dhe ‘Raiffaisen Bank’ janë dy bankat e para në Kosovë që kanë nisur me punën dhe në të njëjtën kohë ato e kanë edhe numrin më të madh të klientëve dhe të kapitalit dhe duhet që të jenë shembull për bankat e tjera, andaj duhet t’i ulin çmimet e shërbimeve të tyre bankare si për qytetarë ashtu edhe për bizneset.

KKGJILAN

HALIMI:TARIFAT BANKARE, TË PAPËRBALLUESHME Eksperti i ekonomisë, Sejdi Halimi, për gazetën “Kosova Sot” thotë se është vërtet habitëse se si BQK-ja po lejon që bankat komerciale që afarojnë në Kosovë të mos e respektojnë Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve. “Kjo sepse në bazë të këtij ligj bankat janë të obliguara që të informojnë paraprakisht klientët lidhur me çdo ndryshim, përfshirë këtu edhe çështjen e shumës së mirëmbajtjes së llogarisë”, u shpreh ai.”E keqja është se tashmë shërbimet dhe tarifat nga ana e disa bankave komerciale janë rritur shumë, madje ato janë bërë të papërballueshme për shumicën e qytetarëve dhe biznese të caktuara. Prandaj e them lirshëm dhe konsideroj se shumica e këtyre tarifave janë të shtrenjta, pasi që qytetarët dhe shumë biznese nuk i shfrytëzon shumicën e shërbimeve të ofruara nga këto banka që i kanë futur në këto çmime dhe pakot e ofruara me to. Prandaj, kjo nuk është e drejtë, sepse bankat paraprakisht duhet të njoftojnë klientët dhe jo të imponojë shërbime që nuk i dëshirojnë ata”, vijoi më tutje ai.”Së këndejmi, mbetet detyrë e BQK-së që t’i detyrojë këto banka komerciale të ulin çmimet e shërbimeve bankare, sepse Kosova gjendet në një krizë të thellë ekonomike dhe se këto tarifa të rritura po i rëndojnë së tepërmi bizneset dhe qytetarët”, vlerësoi Halimi.

MUNGON KONKURRENCA Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma), për gazetën “Kosova Sot” thotë se deri tek një ngritje e tillë e madhe e çmimeve të shërbimeve bankare për qytetarë dhe biznese nga ana e disa bankave komerciale, që janë kryesoret në vendin tonë dhe që janë ‘ProCredit Bank’ dhe ‘Raiffaisen Bank’, ka ardhur si pasojë e mungesës së konkurrencës së mjaftueshme në tregun bankar vendor.”Sepse si vend dhe shtet i ri që jemi ka pak banka komerciale në vendin tonë, sepse janë vetëm pak më shumë se 10 sosh. Derisa në Malin e Zi numri i bankave komerciale është mbi 25 sosh. Që të ulen këto çmime të shërbimeve duhet të rritet numri i bankave komerciale dhe të shtohet konkurrenca. Në të kundërtën duhet që të ndërhynë BQK-ja me kompetencat që ia lejon ligji, duke i detyruar këto banka që t’i ulin çmimet e shërbimeve bankare për qytetarët dhe bizneset”, theksoi ai.

BANKA QENDRORE TË NDËRMARRË MASA Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se bankat komerciale në Kosovë 90 për qind e tyre nga ato nuk janë me kapital të biznesit vendor, prandaj mos të çuditemi fare me rritjen e çmimeve të tarifave të shërbimeve për klientët dhe bizneset.”Mendoj që këto banka që po operojnë në Kosovë dhe nuk janë banka me kapital vendor ose duhet të mbyllen ose duhet që urgjentisht t’i ulin tarifat e shërbimeve bankare. Prandaj e vetmja bankë komerciale që është vendore dhe me kapital të Kosovës është Banka Ekonomike, kurse të tjerat janë banka komerciale me kapital jashtë Kosovës. BQK-ja duhet që të marrë masa të rrepta kundër këtyre bankave dhe t’u japë urdhër të prerë që t’i ulin taksat për mirëmbajtje ose t’i detyrojë ato që të largohen nga Kosova, kurse nga ana tjetër të hapë banka të reja kosovare ose të huaja”, propozoi ai.

QYTETARËT ALARMOJNË BQK-NË Qytetarët e anketuar thonë se janë të pakënaqur me rritjen e shërbimeve bankare nga ana e disa banave komerciale, sepse bankat komerciale nuk po zgjedhin forma dhe mënyra nga më të ndryshmet vetëm për të përfituar, sepse fundja bankat komerciale nga këto mbijetojnë. Por, e keqja është se tashmë shërbimet dhe tarifat i kanë rritur shumë, madje të papërballueshme për shumicën e qytetarëve dhe bizneseve të shumta. Bajram Gjoni për gazetën “Kosova Sot” tha se është klient i Bankës ‘ProCredit’ dhe mirëmbajtja mujore ka qenë 2 euro e tash është bërë 5 euro.”Këto rritje çmimesh të mirëmbajtjeve bankare janë tepër të larta dhe për këtë arsye unë bashkë me këtë kolegen time kemi kaluar në TEB Bankë. Sepse këto çmime vërtet janë të papërballueshme për nivelin e rrogave që i kemi në Kosovë”, vlerësoi ai. Ndërsa qytetarja tjetër, Fatime Gërgjaliu, që të martën po nxirrte para në një bankomat, për gazetën “Kosova Sot” tha se tarifa e nxjerrjes së parave nga banka e saj nuk ka ndryshuar, por e di se banka ‘ProCredit’ i ka ngritur çmimet e mirëmbajtjes bankare dhe si të tilla ato janë shumë më mëdha dhe të papërballueshme dhe për qytetarin edhe për një pjesë të madhe të bizneseve. “Andaj duhet që BQK-ja të intervenojë të ulen çmimet”, vlerësoi ajo.

(Kosova Sot)