Bankat në Kosovë, të gatshme për të dhënë kredi

Në fazën e rimëkëmbjes ekonomike, e cila pritet të fillojë javën e ardhshme, do të luajë rol të rëndësishëm edhe sektori bankar.

Nga Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) thonë se e tërë Pakoja Fiskale do të kalojë nëpërmjet sektorit bankar, andaj kërkohet të përdoren kapacitetet për të mundësuar likuiditet në ekonomi.

Por, për t’u arritur kjo duhet koordinim i institucioneve, derisa mosfunksionaliteti i Kuvendit po shkakton një vonesë të rrezikshme për ekonominë e Kosovës, bëri të ditur drejtori i Shoqatave të Bankave, Petrit Balija.

“Sektori bankar do të luajë një rol të rëndësishme në fazën e rimëkëmbjes ekonomike, e cila po fillon dhe duhet të ketë një dinamikë të shtuar. Duhet më shumë koordinim edhe nga institucionet dhe grupet punuese, të cilat janë formuar për rimëkëmbjen ekonomike.

E tërë Pakoja Fiskale e paraparë do të qarkullojë përmes sektorit bankar. Ne kemi një shtresë të popullatës me gjendje të rëndë socio-ekonomike dhe një numër të madh të mikrobizneseve që kanë vështirësi financiare. Andaj të përdorim kapacitetin e sektorit bankar për të mundësuar një likuiditet më të madh në ekonomi”.

Nga pakoja e rimëkëmbjes ekonomike Balija thotë se kanë kërkuar garanci kreditore, si dhe subvencionim të normave të interesit.

Kurse bizneseve, të cilat nuk mund të përballojnë çmimet normale të kredive, t’u bëhet subvencionim i një pjesë të normës së interesit për tejkalimin e situatës.

“Ne kemi kërkuar që të rritet kapitali për i fondit për garanci kreditore në mënyrë të ndjeshme, që përmes garantimit të këtyre kredive, sektori bankar ta plasoj likuiditetin e vet në treg. Kemi kërkuar të bëhet edhe subvencionimi i normave të interesit në kuadër të pakos së dytë fiskale”.

“Për bizneset, të cilat nuk mund të përballojnë çmimet normale të kredive, të bëhet subvencionimi i një pjesë të normës së interesit dhe të kenë mundësi që secili prej bizneseve të marrë kredi për tejkalimin e situatës”, ka thënë ai për “Ekonominë Online”.

Ai thotë se bankat komerciale janë të gatshme të ofrojnë kredi, por që duhet të ekzistojnë mekanizmat shtetërorë.

Drejtori i SHBK-së theksoi se po ndihet i frikësuar se institucionet janë vonuar, pasi siç tha ai mosfunksionaliteti i Kuvendit po shkakton një vonesë të rrezikshme për ekonominë e Kosovës.

Nëse pakot e parapara nuk aprovohen në Kuvend, Batija deklaroi se do të ketë probleme të mëdha financiare-ekonomike.

“Bankat komerciale janë të gatshme që të japin kredi por patjetër duhet të ekzistojnë këta mekanizma shtetëror të cilët ndikojnë në këtë situatë. Frikësohem se institucionet janë duke u vonuar, mos funksionaliteti i Kuvendit është duke shkaktuar një vonesë të rrezikshme për ekonominë e Kosovës. Nëse nuk dilet nga kjo situatë politike, nuk aprovohen në Kuvend pakot të cilat janë paraparë, do të kemi probleme financiare e ekonomike sidomos për ato segmente që janë goditur rëndë nga Covid-19”, shtoi ai.

Megjithatë sa i përket shtyrjes së këstit të kredive, Balija potencoi se është bërë në pajtim me klientët, varësisht nga situata e tyre.

“Bankat kanë aplikuar modelet e ndryshme varësisht nga situata e klientit. Ajo se çka është në parim se këstet janë shtyre për një periudhë kohore në pajtim me klientët. Pas kalimit të kësaj faze klienti do të paguaj sipas planit të ri”, njoftoj ai.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).