Bankat Islame ‘refuzojnë’ Kosovën

Pritjet e qytetarëve që në Kosovë të kreditohen me norma zero të kamatave nga ndonjë bankë që operon në bazë të parimeve të bankingut Islam, nuk do të realizohen edhe për një kohë. Asnjë bankë që punon në bazë të parimeve të bankingut Islam nuk ka shpreh gatishmëri të veprojë në tregun e Kosovës. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bedri Hamza ka thënë se në bazë të ligjeve nuk i ndalohet asnjë banke të tillë të operoi në Kosovë.
“Ligji e mundëson që në Kosovë te jenë prezent edhe bankat që punojnë në bazë të parimeve të Islamit, mirëpo për momentin nuk kemi ndonjë kërkesë dhe ndonjë interesim të tillë”, ka thënë Hamza për mediat e vendit. Megjithatë ai ka thënë se ka kërkesa për licencim të bankave tjera.
“Ka interesime dhe kjo është pozitive. Vitin e kaluar është licencuar İşbank dhe presim që të fillon me aktivitet kreditor. Ne jemi të interesuar që ta rrisim konkurrencën, por mbi të gjitha jemi të interesuar që t’i licencojmë ato banka që kanë siguri, stabilitet dhe të jenë në përputhshmëri me kërkesat ligjore”, është shprehur Hamza…(Tribuna).