RCCOLA

Bankat e lazdruara

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Ibrahim Rexhepi- Sikur norma e interesit në kredi që japin bankat në Kosovë të ulej në nivelin e rajonit, atëherë kredimarrësit do të kishin në qarkullim 70 milionë euro më shumë. Për kamatat e larta fajin nuk kanë vetëm bankat komerciale, por edhe Qeveria e Kosovës.

Bankat komerciale në Kosovë janë subjekte të pavarura, të licencuara dhe të mbikëqyrura nga Banka Qendrore e Kosovës. Raportet me klientët, si depozituesit, ashtu edhe huamarrësit, i krijojnë në bazë të gjendjes në treg. Ky parim atyre iu krijon hapësirë aq të madhe , aq sa të mos veprojnë sipas rrethanave në treg, por vet t’i krijojnë këto rrethana. Sipas zhvillimet në këtë sektor krijohet përshtypja se aty nuk ka konkurrencë, por marrëveshje në mes aktorëve , me qëllim të ruajtjes së pozitave përfituese, në kurriz të klientëve.

Ka shumë fakte që argumentojnë këtë konstatim, por edhe të vërtetën se ky sektor mbetet i paprekur. BQK-ja kujdeset vetëm që mos të ndodhë ndonjë problem i rëndë e që do të trondiste tërë sistemin bankar në vende dhe të bëjë intervenime të lehta kur vlerëson se po rritet niveli i rrezikut. Mirëpo, kur ajo nuk ka kompetencë të rregullojë dhe të imponoj pakon e shërbimeve, si edhe koston e tyre. Kjo çështje është e lidhur vetëm me politikat dhe me interesin që kanë bankat.

Liria kaq e madhe e veprimit, nuk është shfrytëzuar për financimin dhe forcimin e subjekteve ekonomike, por vetëm për rritjen e kapitalit dhe të fitimit. Bankat vazhdojnë të punojnë me logjikën e tregtarit- blej me çmim të lirë, e shit me të shtrenjtë. Në këtë rast, mall janë paratë. Kjo mënyrë e punës nxjerr një pasqyrë vërtetë shqetësuese. Bazuar vetëm në historikun e afarizmit të bankave mund të thuhet se për nëntë vjetët e fundit në Kosovë nuk paska ndodhur asnjë zhvillim.

Duke filluar që nga viti 2004 e deri në fund të vitit të kaluar norma e interesit në depozita është rritur vetëm 1 pikë të përqindjes, nga 2,5 për qind u bë 3,5 për qind. Ndërkaq, Norma e interesit në kredi mbeti e njëjtë- nga 14,2 për qind ra në 14,15 për qind, me një përjashtim në vitin 2006 kur ajo ishte 13,4 për qind. Bankat e ruajtën diferencën ndërmjet normave të interesit për nëntë vjet rresht. Duke pasur parasysh se kreditimi u rrit për një miliard euro, është e qartë se ruajtja e politikave të tilla të interesit, atyre iu sjell profit më të madh. Kështu, të hyrat prej 240 milionë eurosh janë 2,5 herë më të larta se në vitin 2005, ndërsa fitimi u rrit 2,8 herë, përkatësisht arriti në 37 milionë euro. Këto shifra në fakt tregojnë për një punë të suksesshme të bankave dhe për stabilitet të përgjithshëm të sistemit bankar. Por, kjo e ka edhe anën tjetër – bankat duke shfrytëzuar mungesën e konkurrencës në treg, nuk bënë asgjë tjetër, pos që grumbulluan paratë që gjetën në Kosovë dhe të njëjtat i shitën me çmim të shtrenjtë brenda këtij vendi. U fokusuan vetëm në këtë treg, meqenëse këtu arrijnë kamatat më të larta dhe mund të aplikojnë kriteret nga më të rëndat, krahasuar me vendet e rajonit. Po përmendim, se një subjekt që të siguroj kredi atë duhet ta mbuloj me kolateral 230 për qind, përderisa në vendet e rajonit kjo mbulesë shkon deri në 130 për qind.

Fundamenti

Ruajtja e këtij pozicioni për nëntë vjet rresht ka bërë që sistemi bankar në Kosovë të duket ndryshe në krahasim me vendet në rajon. Atje ka lëvizje më të shpeshta të normës së interesit, si në kredi , ashtu edhe në depozita. Aktualisht norma e interesit në depozita në Kosovë është më e lartë se në Shqipëri, por dukshëm më e ulët se në Maqedoni e në Serbi. Nga ana tjetër kamatat në kredi mbi dy herë më të larta se në Shqipëri, pastaj 27 për qind më të larta se në Serbi, krahasuar me Serbinë – 40 për qind dhe me Malin e Zi – 55 për qind. Kjo ka bërë që kthimi i investimeve që kanë bërë aksionarët bankave në Kosovë të jetë 14,5 për qind, që është disa herë 14 herë më i lartë se Maqedoni, apo shtatë herë më i lartë së në Shqipëri.

Në fund, kostoja kaq e lartë e shërbimeve bankare në Kosovë zakonisht arsyetohet me shkallën e lartë të rrezikut, si edhe me strukturën e pavolitshme të depozitave. Mirëpo, konstatimi i parë nuk është i qëndrueshëm, meqenëse kreditë jo-performuese në portofolin kredituese marrin pjesë katër herë më pak se në Mal të Zi, në krahasim me Shqipërinë – 3 herë, Bosnjën – 2 herë, Serbinë -3 herë, Maqedoninë – 44 për qind. Do të thotë se këtu kredimarrësit janë më të disiplinuar sa i përket pagesës. Por, sikur të vepronin ndryshe, atëherë do të paguanin kosto shumë më të lartë se sa cilido huamarrës në rajon, për shkak të mbulesës së lartë të huas me kolateral.

Qeveria e Kosovës nuk guxon të sillet si struci përballë kësaj situate, apo të pajtohet me deklarimet se tregu është i lirë dhe koston e mallit dhe të shërbimeve e rregullon konkurrenca. Kjo duket e qëndrueshme, por kur është në pyetje sistemi bankar, gjërat ndryshojnë. Së pari, Banka Qendrore e Kosovës nuk ka autorizime emetuese, përkatësisht të ndërhyrjes në treg me qëllim të ndikimit në normat e interesit. Pos kësaj, pasiguria, përkatësisht shkalla e lartë e rrezikut, për të cilin flasin bankat, është ngushtë e lidhur me mosveprimet e qeverisë. Në një listë të instituti “Riinvest” janë renditur një spektër i gjerë i nivelit të rrezikut shtetëror, i cili reflekton në këtë sistem. E para është efiçienca e ulët institucionale, shkalla e lartë e korrupsionit, mosefikasiteti i sistemit gjyqësorë, ekonomia jo-formale, mungesa e raportimit financiar, si edhe gjendja ende e pasigurt në kadastër. Po të eliminoheshin këto defekte, atëherë siguria në treg do të ishte më e madhe, ndërsa bankat nuk do të kishin shumë argumente që të arsyetojnë koston e lartë të shërbimeve. Për këtë gjendje, nuk ka fajtorë tjetër pos qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore në Kosovë. Për shkak të mosveprimit të tyre, apo mosdashjen që më ashpër të përballen me këto probleme, kosovarë huamarrës duhet të paguajnë më shumë se cilido qytetar tjetër në rajon.

Së fundit, këtë më së miri e ilustroj profesori Shkëlqim Cani, ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë, i cili llogariti se sikur bankat komerciale në Kosovë të ulnin koston e kredive vetëm katër pikë të përqindjes, përkatësisht të binin në nivelin e rajonit, atëherë kredimarrësit do të përfitonin rreth 70 milionë euro. Kjo shumë e parave do të ishte terapi e mirë për gjendjen e rëndë ekonomike e sociale në të cilën gjendet vendi.