RCCOLA

“Banka e Shqipërisë” në 100-vjetor: Fillim i vështirë

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Tiranë- Rrugëtimi i shtetit Shqiptar në këtë 100-vjetor është i pandashëm nga ai i një prej institucioneve më themeltare në jetën e vendit, Bankës së Shqipërisë.

Megjithëse u themelua zyrtarisht rreth një vit pas shpalljes së Pavarësisë, hapat për krijimin e Bankës së Shqipërisë u ndërmorën nga Ismail Qemali paralelisht me përpjekjet për ngritjen e shtetit shqiptar. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor të vitit 1912, diplomati i shquar Ismail Qemali krahas detyrave të tjera për ndërtimin e shtetit shqiptar mori masat për ngritjen e Bankës Kombëtare të Shqipërisë.

Bisedimet e para ai i kreu me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të Wienner Bank Verein, që vepronte në emër të grupit bankar austro-hungarez dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher përfaqësues të Banca Commerciale Italiana.

Gjatë kësaj kohe u morën masa të gjithanshme për të mbështetur fillimin sa më të shpejtë të veprimtarisë së bankës. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, gazeta “Përlindja e Shqipënies”, organ i qeverisë së Ismail Qemalit, depozitoi pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë fondet që dispononte.

UBT

1913-1914

Sipas Prof. Dr. Iljaz Fishtës, bashkautor i botimit “Historia e Bankës Qendrore në Shqipëri”, kjo marrëveshje përfaqësonte një koncesion për një periudhë 60 vjet nga data e themelimit të bankës, me të drejtë zgjatjeje. Një vit para skadimit të koncesionit, qeveria mund të njoftonte prishjen e kontratës ose përndryshe koncesioni automatikisht quhej i shtyrë edhe për 30 vite të tjera. Kapitali i bankës do të ishte 10 milionë korona ose 10.5 milionë lireta, i formuar në monedhë ari dhe do të derdhej sipas nevojave të bankës. Banka do të drejtohej nga një Këshill Administrimi me përbërje nga dy grupet themeluese dhe me përfaqësues shqiptarë. Kë-shilli ia delegonte fuqitë e veta Komitetit Drejtues me dy deri në katër anëtarë.

Profesor Iljaz Fishta citon në libër studiuesin Haxhi Shkoza, që në atë periudhë punonte në financat lokale të Elbasanit, të Beratit dhe të Vlorës, i cili shkruan: “Dihet se këjo bankë filloj n’ushtrimin e veprimeve të saja me Qeverin lokale dhe me privatët, por nuk qe e mundun me vum në dorë ndonji akt zyrtar mbi ato veprime qi ajo bani gjatë periudhës së qëndrimit n’atë vend si dhe mbi kohën e largimit e mënyrën e likuidimit të sajë.

Vetëm asht e mundun me marrë njoftim prej nji konti-korent qi banka ka pasun atëherë me financën e vendit së cilës i ka pasë lëshuem dokumentin qi pason: Syndikati për Bankën Kombtare të Shqipnis Me diftesën Nr. 1 datë 6-X-1913 ka marrë nga arka e Financave të Vlorës grosh 545. 283 (Nr. lib. arkës 930); Terhequn nga banka në tri herësh grosh 257.000; Ngelun për të marrë nga banka grosh 288. 283”. Mirëpo banka veproi për një kohë shumë të shkurtër. Pasi kreu disa veprime me qeverinë e Ismail Qemalit dhe disa subjekte private, e pushoi aktivitetin e saj. Kjo, jo për faj të Qeverisë Shqiptare, por për shkak të zhvillimeve politike, që ndodhën me shpërthimin e luftërave ballkanike dhe të Luftës së Parë Botërore.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)