Banditë e hajvanë VI
Nga Arben Idrizi – Këta etër banditë e hajvanë janë nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë. A ka ku mund të shkojë me keq se kaq?!
Në tekstin e fundit të serisë ‘Banditë e hajvanë’, të datës 21 shkurt 2013 (
http://www.gazetaexpress.com/?cid=1,883,104275), flisja pikërisht për Adem Grabovcin, shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, partisë në pushtet, dhe bijtë e tij. Ngadhënjim e Guxim Grabovci kishin rrahur policin ngase e kishte ndaluar njërin nga ta për shkak të tejkalimit të shpejtësisë me veturën super luksoze.
I ati, Adem Grabovci, duke angazhuar edhe persona të lartë zyrtarë, kishte arritur që ta ndalte lajmin të mos bëhej publik për rreth 24 orë, duke ushtruar presion mbi drejtuesit e mediave në vend.
Shiheni pra, Grabovci ka ndikim të jashtëzakonshëm edhe mbi mediat.
Në të vërtetë, për Adem Grabovcin kam folur në gati të gjitha tekstet e kësaj serie. Ngase për armët dhe pengimin e policisë ai ka qenë në qendër të vëmendjes së opinionit më shumë se një herë. Siç e kam thënë dhe duhet ta them, bile ai e ka detyruar policinë t’ia rikthejë armën e konfiskuar, me të cilën i ishte plagosur bashkëshortja.
Shiheni pra, Grabovci është më i fuqishëm edhe se policia.
Grabovci, i ati, ka qenë po ashtu personazhi kryesor i skandalit të bisedave telefonike të emëruara në publik me titullin ‘Pronto’, në të cilat përfshihej edhe Kryeministri i vendit).
As falje nuk ka kërkuar. Qoftë edhe sa për sy e faqe.
***
Tash mësojmë se i biri i Grabovcit, Guximi, është zënë nga policia me armë (kallashnikov e armë gjuetie) në veturën e tij.
Me gjasë, parimisht, policia do të merret me hetimin e rastit. Por, po ashtu me gjasë, praktikisht Adem Grabovci do të arrijë ta mbajë në pronësi kallashnikovin dhe armët e tjera si dhe do të bëjë çmos që i biri të mos dënohet.
S’është hera e parë. S’do të jetë, duket, as e fundit.
***
Ditë më parë, opinioni ishte skandalizuar edhe nga një veprim tjetër i një fëmije politikani. I biri i Shukri Bujës, edhe ai thuajse mustaqepadirsur, kishte hyrë me veturën e llojit BMW me shpejtësi 120 km në orë në një pikë karburanti, në Veternik, duke shkaktuar dëme rreth 7000 euro (sipas ankesës së palës së dëmtuar). Rasti mbetet ende nën hetime.
***
Këta etër politikanë, deputetë, (gjoja) ish luftëtarë, deri dje të rraskapitur nga varfëria e brenda natës të kthyer në të kamur të dhjamur, plaçkitës, uzurpues dhe autorë krimesh të tjera të ndryshme, nuk e kanë për asgjë të jenë krenarë me edukimin që ua kanë dhënë bijve dhe për pasojë me veprimet e tyre të jashtëligjshme dhe skandaloze. S’e kanë për asgjë t’ua blejnë armët tjera (nëse rastësisht iu konfiskohen atë që u janë zënë), apo t’ua zëvendësojnë veturën e prishur me vlerë prej mijëra eurosh të rrjepura nga kurrizi i qytetarëve.
Këta etër janë banditë e hajvanë. Fatkeqësisht edhe bijtë e tyre.
Këta etër janë personalitetet më të larta politike në vend, e mbase edhe historike bashkëkohore.
Këta etër banditë e hajvanë janë nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë.
A ka ku mund të shkojë me keq se kaq?!


