FITORJA

Banditë e hajvanë IV

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arben Idrizi – A mjafton një maskë që disa banditë e hajvanë të merren për atdhedashës? Çfarë qëndrimi mbajmë ne ndaj një maske?

Thonë e dihet se shkaqet e fillimit të një lufte mund të jenë nga më të ndryshmet, e shpesh nga më banalet. Nga përvoja ime, më ka bërë vaki të shohë të pretendohet të niset një luftë me paraqitjen më banale të mundshme.

Të sqarojmë që në fillim se unë jam kundër çdo lufte, kurdo e kudo dhe nëse ndonjëherë për çfarëdo arsye më gjeni duke thirrur, përkrahur e arsyetuar një luftë, cilado qoftë ajo, atëherë kuptojeni se kam shkalluar nga mendtë e kresë. Prandaj kur flas për paraqitje, thjesht flas për një element të rastit, pra për një fragment të caktuar të intrigës, i rëndësishëm, në mënyrën e tij, për t’u marrë në konsideratë.

Kur, net më parë, pashë në KTV, në lajmet qendrore dhe si lajmin e parë e më të rëndësishëm, atë paraqitje të asaj që vetëquhet AKSh, nuk po arrija të besoja nëse bëhej fjalë për një film idiotik si pothuaj çdo film i kosovarëve, apo kisha halucinacione. Asnjëra nga këto. Ende s’jam bërë aq halucinant i mbërrimë sa të më flasë zoti në vesh, as s’pata marrë asfare substance halucinogjene. Për më tepër, nuk po mund ta kuptoja qëndrimin editorial dhe etik të televizionit. Pse e jepte atë informacion ashtu si e jepte? A e meritonte atë vëmendje? A e promovonte apo vetëm e plasonte? Ishte kundër, apo ishte për? Duhej bërë pikërisht ashtu, apo në ndonjë mënyrë tjetër?

Ende s’gjej përgjigje.

Por, ta lëmë atë tani.

Çka thotë ajo paraqitje si e tillë e atyre personave? Në radhë të parë, se kemi të bëjmë me ca persona që, në esencë, s’ia kenë idenë asgjëje humane e të nevojshme për një shoqëri dhe janë thjesht ca banditë dhe hajvanë të rëndomtë. Megjithatë, momenti dhe rrethanat kanë bërë që asaj që janë t’ia vënë maskën e një motivi patriotik. Injorojnë a thjesht e kundërshtojnë gjendjen reale të pranuar nga shumica, duke mëtuar të sjellin dhe imponojnë një gjendje sipas kutit të tyre, dmth në stilin e ku(r)tit të tyre. Kur dalin me maska, do të thotë dalin jo vetëm për arsye praktike të tyre, por edhe për arsye natyrore: janë maska. Qëllimi i tyre është maskë. Mjetet e tyre janë maskë. Ata janë maskë. Duke qenë maskë, janë turp i qytetërimit. Janë turp i humanizmit.

Përtej kësaj, ajo paraqitje virtuale si e tillë ishte edhe tepër e neveritshme. Sidomos me gjestet dhe zërat, që krijonin përshtypjen e një shakaje pa kripë, të bërë nga ndonjë humbameno i internetit.

ARKATANA

Mendoj se mediat, nëse duhej ta merrnin, do të duhej ta merrnin në shqyrtim në mënyrë kritike atë paraqitje. E institucionet shtetërore, mendoj, po ashtu, do të duhej të mbanin një qëndrim të qartë karshi një organizmi të tillë, real a virtual, i madh a i vogël qoftë.

Megjithatë, ndodhi diçka tjetër e çuditshme. Pikërisht pionieri i maskave patriotike, Rexhep Selimi, i cili ka qenë edhe më herët subjekt i titullit të këtij teksti serik, bashkë me Nait Hasanin, të dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, dolën me disa deklarata po aq banale e të tmerrshme sa edhe vetë paraqitja e AKSh-së. Kundërshtonin paraqitjen e maskave të AKSh-së, me gjasë çështje rivaliteti, ndërsa deklaronin me plot gojën atë që e deklaronin ato maska: mundësinë dhe domosdonë e luftës, në rast se… Në rast se… Në rast se e gjejmë shkakun e luftës. Po, shkakun e luftës mund ta kemi, fare lehtë.

Pse ca banditë dhe hajvanë mendojnë se gjithmonë, edhe kur gjoja nuk dashkemi ne, ka vend e nevojë e arsye për luftë? Përgjigjja më e lehtë dhe më e thjeshtë është se janë banditë e hajvanë, ama kjo përgjigje nuk është e tëra.

Kur e thonë ato maska, ata persona që nuk janë pjesë hapur e jetës sonë publike, që nuk i njohim dhe nuk i shohim përreth nesh, që nuk kanë ndikim në zhvillimet tona institucionale politike e shoqërore, e kemi më lehtë të reagojmë dhe të krijojmë një mendim për ta. Pak a shumë, jo që e krijojmë ne, por kemi një distanca natyrore nga ta. Ata janë maska, ne kemi fytyrat tona. Ata janë të panjohur, ne jemi të njohur. Ata thirren në diçka, ne thirremi në diçka tjetër. Pra, e dimë kush çka është.

Por, kur e thotë dikush në mesin tonë, atëherë çka ndodh? A krijohet edhe në mes nesh tash ajo distancë? A nis të marrë edhe ai tiparet e maskës? Apo vazhdon të jetë njëri nga ne me një mendim si tjetri me maskë? Apo në fakt, ka qenë e mbetet një me maskë, sepse ka qenë prore i tillë dhe s’ka arritur kurrë, edhe pse e kemi sjellë në kushtet e qytetërimit, ta heqë atë maskë? Pra, ka mbetur një bandit dhe hajvan, që mendon se lufta duhet dhe mundet? Se lufta është vlerë? Nëse është kështu, çfarë jemi ne që i kemi votuar të tillët?

Tani, këto pyetje (më) çojnë te një deklaratë e një zyrtari ndërkombëtar, të cilën është dashur ta themi ne, ta mendojmë dhe ta themi që në nismë. Andy Sparkes, ish ambasador britanik dhe zëvendësshef i EULEX-it, ka deklaruar se udhëheqësit e luftës nuk mund ta kenë të drejtën absolute për pushtet. Duhej të mos e kishin. Tashmë e kanë, nëse jo të drejtën, pushtetin. Se nuk flasim më drejtpërdrejt për të drejta, por për pushtete. Derisa e kanë pushtetin, e kanë edhe të drejtën. Pikërisht këta, pushtetin e të cilëve po e kontestojmë sot, nëse e mbani mend, pra, dje kishin maska; e ishin komikë si këta në ‘skeçin’ e KTV-së. Në më të shumtën e rasteve, shumica e tyre, bënin tërë atë që bëjnë ata që ne thjesht i quajmë banditë e hajvanë, pavarësisht se çfarë motivi i jepnin veprimit të tyre.

Për t’i rënë shkurt, edhe një herë: unë jam kundër luftës, kundër çdo lufte. Unë jam kundër banditëve dhe hajvanëve. Unë jam kundër kafshëve që e duan atdheun.

Po ju?

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.