RCCOLA

Banditë e hajvanë III

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Nga Arben Idrizi- Duhet ta konsiderojmë hero një zyrtar të vetëm nga të gjithë zyrtarët, i cili thjesht e kryen detyrën ashtu siç obligohet me ligj. Do të thotë, nuk themi se ai është një nga ata që e bëjnë punën e tyre ashtu siç kërkohet. Themi se ai është hero, ngase është i vetmi që e bën punën e tij ashtu siç duhet.

Disa herë më radhë më ka bërë vaki të shkruaj për personalitete politike të tanishme, duke i kualifikuar (sigurisht me plot drojë intelektuale e morale – n’i paça këto cilësi), në bazë të qëndrimeve, sjelljeve dhe veprimeve të tyre të zakonshme: banditë dhe hajvanë.

E kam bërë këtë ndoshta duke mos pasur për çka tjetër të flasë në lidhje me ta; duke mos njohur asnjë qëndrim, ide a veprim tjetër të tyre politik: e gjitha që shihja e shoh te ta, karakteristike e përkufizuese ishin e janë vetëm ato sjellje prej banditësh e hajvanësh.

Së fundmi, siç raporton Koha Ditore, ka pasur edhe përleshje tjetër fizike, bash në institucionet shtetërore, përkatësisht në zyrat e Ministrisë së Diasporës, më ç’rast Nuredin Lushtaku, Zëvendësministër, e ka rrahur, po, tamam, e ka rrahur grushte e shuplaka Mustafë Xhemajlin, Drejtorin e Departamentit për Politika të Diasporës; më “arsyetimin” se nuk e ka pranuar në punë dikë, mbase të afërm të tij, të cilit i kishte premtuar punësim.

Ajo çka skandalizon po ashtu në këtë ndodhi është se si rasti nuk është përcjellë në polici (njëjtë kishte ndodhur në përleshjen e mëparshme në mes të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, kur nuk ishte lejuar policia të ndërmerrte hetime për rastin, e pengimin e policisë e kishte bërë pikërisht Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Grabovci), duke pretenduar se problemi mund e duhet të zgjidhet »ndër burra«. Për këtë arsye, është ngatërruar në këtë vaki edhe vetë Kryeministri Thaçi; e sa duket ilaçi tash qenka vetëm e natyrisht kushëriri i Nuredin Lushtakut, Sami Lushtaku, kryetar i komunës së Skenderajt, i njohur për sjelljet e tij të cituara më lart, i cili mund ta zgjidhka problemin duke luajtur rolin e »burrit«.

Çfarë do të thonë të gjitha këto?

I tërë problemi ka një mori çështjesh për t’u interpretuar dhe vetë problemi në tërësinë e tij mund të ketë një mori interpretimesh.

Së pari: Korrupsioni, ndikimi, nepotizmi janë të lejueshme dhe të obligueshme; një zyrtar mund të punësojë këdo të vetin kudo që mundet dhe askush nuk ka të drejtë ta pengojë në realizimin e kësaj të drejte.

Së dyti: Institucionet shtetërore janë vend i zakonshëm për përleshje fizike; të zgjedhurit e qytetarëve janë persona të gatshëm e të prirë për t’u përleshur fizikisht; përleshja fizike është e drejtë, vlerë dhe parim.

Fundamenti

Së treti: Zgjidhja e një konflikti të mundshëm kërkohet në rrugë »kanuni«, tradicionale, jo në rrugë ligjore, demokratike; nuk kemi e nuk duam të kemi traditë shtetërore, ajo kanunore është e jona dhe e duhura. Në të vërtetë, të zgjidhurit e një problemi »ndër burra« i përket po ashtu edhe domenit të krimit; »ndër burra« është kod i njohur dhe moçëm gangsterësh, grupesh e familjesh mafioze.

Me fjalë të tjera, një zyrtar si Nuredin Lushtaku mund të punësojë, gjithmonë sipas logjikës së banditëve dhe hajvanëve, një të vetin me të njohshëm, pra të praktikojë krimin e nepotizmit dhe për këtë të mos japë përgjegjësi ligjore; e nëse dikush e pengoj, mund ta rrahë grushte e shpulla dhe për këtë të mos hetohet nga policia dhe rrjedhimisht të mos dalë para drejtësisë. Përkundër, në vend të ligjit që mund ta ndëshkojë, atij do t’i dalë në ndihmë praktika kanunore e » burrnisë« , përkatësisht »burrninë« në këtë konflikt do ta ndajë, nëse jo Kryeministri i vendit, që dalka të mos ketë autoritetin e »burrit«, atëherë Sami Lushtaku, kushëri i të ngatërruarit në rrahje, Nuredin Lushtakut, i njohur për shkelje të ligjit, i përballur me drejtësinë ndërkombëtare dhe po ashtu i dyshuar për krime të ndryshme. Do të thotë, »burrninë« në konfliktin e një »burri«, e një banditi dhe hajvani do ta ndajë një »burrë« tjetër, një bandit e hajvan tjetër.

Policia e gjyqësia janë jashtë kësaj »burrnie«. Sepse kështu duan »burrat«. Sepse shteti mbahet kështu, me »burra«, »burrni«.

Tash, pyetja banale po aq sa fondamentale është: ku po jetojmë?

Sipas situatës së përshkruar më sipër, del se po jetojmë në një vend fisnor, pothuajse primitiv, barbar, larg praktikave shtetërore ligjore dhe demokratike; në një vend në krye të të cilit janë vënë ca banditë e hajvanë, të rreshtuar pas subjektesh të ndryshme deklarativisht politike; në një vend ku një grumbull personash, banditë e hajvanë, kanë marrë tërë pushtetin e mundshëm në duart e tyre, vrajnë e kthjellin dhe s’i japin përgjegjësi askujt për asgjë (derisa nuk kacafyten mes vete për interesat e tyre personale).

Editorialisti ynë Imer Mushkokaj, në tekstin e fundit ka dalë me idenë, po parafrazoj, se në këtë vend ku ka me bollëk hajvanë, na duhen heronj të gjallë (vërejtja ime – ama jo si ata të luftës, të cilët në përgjithësi na dalin të jenë kriminelë, të korruptuar, hajdutë, plaçkitës, reketues, mitomarrës, etj.), por të gjallë; të gjallë disi si ai kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, shembull i zyrtarit që nuk korruptohet, nuk vjedh paranë publike, bile as nuk e shpenzon atë nëpër dreka e darka e udhëtime zyrtare, etj.

Shikoni për një moment se në çfarë derexheje jemi: duhet ta konsiderojmë hero një zyrtar të vetëm nga të gjithë zyrtarët, i cili thjesht, po e përsëris, thjesht e kryen detyrën ashtu siç obligohet me ligj. Do të thotë, nuk themi se ai është një nga ata që e bëjnë punën e tyre ashtu siç kërkohet. Themi se ai është hero, ngase është i vetmi në mesin e të gjithëve që e bën punën e tij ashtu siç duhet. E përnjëmend duhet ta konsiderojmë hero. Pajtohem. Sepse kështu mbase fillojmë të bëjmë një dallim esencial: kush është hero e kush është kriminel (meqë veç paskemi nevojë çdo herë për këso kategorish). Në njërën anë janë një mori zyrtarësh që e shkelin ligjin e në anën tjetër kemi një zyrtar të vetëm, po e përsëris, një zyrtar të vetëm, që vepron në pajtim me ligjin dhe për më tepër jep shembuj të kursimeve të parasë publike edhe atëherë kur nuk pritet një gjë e tillë. Por, kush e përmend këtë zyrtar?

Kush i ofron qoftë edhe një mirënjohje morale (Gjithmonë duke besuar se informata mbi të janë të vërteta)? Kush e merr si shembull në krahasim me zyrtarët tjerë? Askush. Them se kryetarë komunash shkelës ligji, »burra« si Sami Lushtaku, Xhabir Zharku e të tjerë janë ku e ku më të pranueshëm e të pranishëm në jetën publike, në kulturën shoqërore. Ende janë shkelësit ata që konsiderohen heronj.