Eko Higjiena

Bandat në veprim!

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Nga Lavdim Hamidi – Bandat e organizuara, me përvojë disavjeçare kriminale zgjedhore, tashmë janë bërë gati.

Atyre u kanë mbetur më pak se një javë në dispozicion kur do ta demonstrojnë eksperiencën e tyre në mbushjen e kutive të votimit.

Bandat e tilla janë trashëguar nga zgjedhjet e kaluara lokale e ato nacionale, ndërsa asnjëherë nuk janë shkatërruar, përkundrazi vetëm se janë fuqizuar nga partitë politike që udhëheqin institucionet lokale e qendrore.

Janë fuqizuar financiarisht sepse u nevojiten në ditë zgjedhjesh, për ta manipuluar rezultatin zgjedhor dhe për t’iu siguruar edhe një pushtet fitimprurës.

Edhe në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013 nuk ka si të mos pritet që të ndodhë dhunimi i vullnetit të votuesve kosovarë, duke u realizuar votimi i shumëfishtë dhe njëkohësisht duke u mbushur kutitë e votimit, ashtu siç u mbushën vite më parë.

Terren të përshtatshëm për manipulim të procesit zgjedhor kanë krijuar vetë partitë politike, të cilat edhe këtë herë kanë nominuar kandidatë të njëjtë për kryetarë, pikërisht në ato Komuna ku në zgjedhjet e kaluara kishte ndodhur vjedhje industriale e votave, për të cilën gjë kishin ngritur alarmin edhe përfaqësuesit e huaj diplomatikë në Kosovë.

Pra, është naivitet të pritet që në këto zgjedhje lokale të kemi një proces të rregullt zgjedhor, ngase pikërisht në ato komuna ku hiç më larg se para tre vjetëve kishte ndodhur vjedhja masive e votave, kemi kandidatët e njëjtë në garë dhe me strukturat e njëjta të instaluara aty ku u duhen më së shumti.

ARKATANA

Supozohet se mbi 5000 veta kanë qenë të përfshirë në zgjedhjet e fundit nacionale në manipulimin masiv të votave, ku, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Monitorimin e Zgjedhjeve (ENEMO), parregullsitë e shumta ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve deri në 38 për qind.

Pak shpresa në parandalimin e manipulimit të procesit zgjedhor ka edhe te vëzhguesit ndërkombëtarë, pasi që 100 vëzhgues të dërguar nga Bashkimi Evropian, bashkë me vëzhguesit vendor, e kanë të pamundur që t’i mbikëqyrin si duhet mbi dymijë vendvotime në nivel vendi.

Ndërsa paralajmërimi i Këshillimit Prokurorial se do të ndiqet me urgjencë nga organet e rendit çdo keqpërdorim i votës është pak për t’u besuar kur kihet parasysh fakti se sistemi gjyqësor është nën kontroll të plotë të politikës.

Njëkohësisht ata që mbushën kutitë e votimeve në zgjedhjet e kaluara ende nuk janë dënuar, apo dënimi ndaj tyre ishte qesharak.

Reforma zgjedhore e proklamuar pikërisht nga partitë politike në momentin e duhur u hesht, e kjo reformë nuk u mbështet nga ato subjekte sepse secila pas vete ka një “armatë të tërë hajdutësh”.

Nuk pati vullnet as për listat e votuesve që të pastrohen nga emrat e rreth 50 mijë personave që kanë vdekur, edhe pse një gjë e tillë është kërkuar disa herë nga ndërkombëtarët, si shembull i një vendi që pretendon të integrohet në familjen evropiane.

Dhe kështu askush nuk mund ta bindë votuesin kosovar se më 3 nëntor ata të cilët përpara syve tanë manipuluan procese zgjedhore për disa vjet me radhë janë shndërruar në “engjëj të mbrojtjes së votës së lirë”.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.