UBT

Bandat e politikës mbajnë peng shtetin

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Vazhdimi i kësaj klase politike në qeverisjen eventuale të vendit edhe në një mandat tjetër të ri, sipas analistëve politikë, nuk mund ta kthejë shtetin në binarët normalë dhe në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe të sundimit të rendit e ligjit.

Nevojitet ngritja e vetëdijes qytetare,shkruan gazeta Kosova Sot.

Vazhdimi i kësaj klase politike në qeverisjen eventuale të vendit edhe në një mandat tjetër të ri, sipas analistëve politikë, nuk mund ta kthejë shtetin në binarët normalë dhe në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe të sundimit të rendit e ligjit. Kjo bindje e tillë është krijuar nga fakti se deri më tani vërehet që shteti është i kapur fort nga klanet partiake e korruptive, nga nëntoka dhe oligarkët e bizneseve të pista, që kanë në dorë gjithçka në këtë vend. Shpresa e vetme mbetet te gjetja e forcës së qytetarëve për të ndryshuar partitë, për ta shpëtuar demokracinë dhe për ta bërë Kosovën një vend ku sundon ligji i së drejtës, zhvillimi i ekonomisë dhe mirëqenia, në mënyrë që gjithçka të vihet në rrugë të mbarë dhe shteti të pastrohet nga njerëzit e korruptuar, që po e mbajnë nën kontrollin e sundimin e tyre shtetin dhe qytetarët e nëpërkëmbur.

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, konsideron se vetëm me ngritjen e vetëdijes qytetare, rrjedhimisht ndëshkimin e keqqeverisjes disiplinohen politikanët e veçanërisht subjektet politike dhe ky është një moment që duhet të ndodhë tani. “Shteti së drejtës duhet të vijë në funksion të qytetarëve, duke luftuar krimin, korrupsionin dhe kontrabandën”, ka theksuar ai.

Vetëdijesimi qytetar, i domosdoshëm

ARKATANA

Sipas Ahmetit, vetëm në këtë mënyrë ndërtohet dhe konsolidohet substanca e shtetësisë dhe Republikës. “Perandoritë pushtetare, si në nivel lokal, siç është Prishtina, ashtu edhe në atë qendror, duke kapur çdo institucion të pavarur dhe duke futur çdo mekanizëm të pushtetit në funksion të klientelës dhe klaneve mafioze, duhet të rrëzohen në kuptimin demokratik të fjalës”, ka thënë ai.”Kosova si kurrë më parë ka nevojë për një vetëdijesim qytetar, rrjedhimisht për aktivizim qytetar, i cili do të kontribuojë në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetësisë. Gjykoj se shtetësia e brishtë e Kosovës vuan si pasojë e drejtësisë së kapur nga klasa politike udhëheqëse, e cila vepron në mënyrë selektive dhe është në shërbim të klientelës pushtetare e oligarkike”, thotë Hidajet Ahmeti.

Ai pohon se me vënien e sistemit të drejtësisë në funksion të qytetarëve, Republika e Kosovës shumë shpejt mund të rimëkëmbet dhe domosdo do të jetë në shërbim të qytetarëve. “Mafio-oligarkët dhe mafio-politikanët e korruptuar e të shantazhuar duhet të përfundojnë prapa grilave dhe njëkohësisht pasuria e fituar në mënyrë të jashtëligjshme duhet t’u konfiskohet, kuptohet me miratimin e Ligjit për konfiskimin e pasurisë së jashtëligjshme (Ligjin anti-mafia)”, potencoi analisti Ahmeti.

Politika shkaktoi dëme të mëdha

Edhe sipas analistit Blerim Burjani, perspektiva me këtë klasë politike është e pamundur, sepse mungon vullneti i kësaj klase politike për ta liruar shtetin nga kapja, për të hapur rrugë dhe perspektivë për zhvillimit ekonomik dhe sundim të ligjit.”Kjo skenë politike ka bërë deri më tani dëme të mëdha në pengimin e zhvillimit ekonomik dhe në qasjen e integrimeve euroatlantike”, është shprehur ai. Sipas Burjanit, ballafaqimi me fenomene të kësaj natyre të kundërligjshme do të marrë edhe një kohë të gjatë, sepse për t’u shkëputur nga një proces i tillë korruptiv nuk po ka vullnet politik, e drejtësisë po i mungon guximi që këtë klasë kriminale ta luftojë më me konsistencë. “Vetëm në raste se kemi një ndërrim të kësaj klase politike, atëherë mund të ketë ndryshim kualitativ në qeverisje, në zhvillimin e vendit dhe ardhjen e investitorëve të huaj”, theksoi Burjani. “Pa një ndryshim në qeverisje nuk ka ndonjë perspektivë, sepse aktualisht kjo klasë politike ka pak interesim që të ecet përpara në sundim të ligjit vetëm për shkak të përfitimeve dhe keqpërdorimit të buxhetit të shtetit për interesa individuale, partiake dhe klanore”, tha Blerim Burjani./kosova sot/