UBT

Ballkani mund të jetë i qetë vetëm me ekzistimin e shtetit të Kosovës

/ 10 minuta lexim

Christian Hoferer është zëvendëskryetar i organizatës Rinia Paneuropiane për Gjermani (Paneuropa-Jugend der Deutschland). Në një tekst autorial për webfaqen rtklive.com ai u ka bërë thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian dhe Vatikanit, që nuk e kanë njohur akoma Kosovën, ta bëjnë këtë. Regjimin e vizave të BE-së, Hoferer e ka cilësuar padrejtësi të thellë dhe të padurueshëm, ndërsa ka bërë thirrje që vizat për Kosovën të hiqen sa më shpejt.

1) Kosova është një vend evropian dhe shqiptarët janë një ndër popujt me të vjetër të Evropës me gjeografi, histori dhe kulturën e tyre. Kosova ka merituar dhe meriton të jetë politikisht pjesë e Bashkimit Evropian. Këtij vendi të vogël, duhet që sa më parë t’i hapet perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

2) Aktualisht është skandal që Kosova është sot vendi i vetëm në Ballkan ku qytetarët e sajë i nënshtrohen regjimit të vizave, nëse duan të udhëtojnë në vendet e BE-së. Më 2009 regjimi i vizave është hequr për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Nga viti 2010 liria e lëvizjes pa viza është aplikuar edhe për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Vendi i vetëm ku kanë mbetur vizat është Kosova, kurse kosovarët, të vetmit që jetojnë të izoluar. Kjo gjendje është një padrejtësi e thellë dhe padurueshme, prandaj edhe për kosovarët duhet të hiqen vizat sa më shpejt dhe të krijohet mundësia e lëvizjes së lirë për ta, që të udhëtojnë drejtë vendeve të Bashkimit Evropian.

3) Është e pakuptueshme që edhe sot e dhjetë vjet pavarësi e Kosovës, pesë shtete anëtarë të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Këto vende janë Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia. Edhe Vatikani është në mesin e atyre qe ende nuk e ka njohur zyrtarisht Kosovën. Me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga këto shtete, po vështirësohet në mënyrë të paimagjinueshme angazhimi dhe përkushtimi produktiv dhe kuptimplotë i Bashkimit Evropian për Kosovën. Ju bëj thirrje këtyre shteteve të njohin dhe të shohin me sy realitetin dhe të pranojnë faktin se: Ballkani mund të jetë i qetë vetëm nëse Shqiptarët e Kosovës kanë shtetin e tyre

4) Kosova është evropiane dhe Bashkimit Evropian është i obliguar të tërheqë Kosovën në anën e saj. Natyrisht Kosova është gjithashtu një sferë interesi e Bashkimit Evropian. Në dhjetë vitet e fundit, për fat të keq, jemi dëshmitarë se si po vonohet dhe është ngadalësuar procesi i afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian. Nganjëherë, kam ndjenjën se Kosovës po i shtohen kushte të reja pa fund nga ana e Bashkimit Evropian. Kosovës po i thuhet: së pari duhet të plotësoni 100 për qind këto kushte dhe pastaj edhe këtë, edhe këtë, edhe këtë. Dhe tek pasi të keni plotësuar 100 për qind këtë, e këtë, e këtë, tek atëherë mund të flasim për hapat tjerë në drejtim të proceseve euro integruese. Kështu po humbet shumë kohë, ndërsa rasti po shfrytëzohet nga turqit, të cilët kanë blerë Aeroportin, Distribucionin e Energjisë Elektrike, ndërtojnë xhami etj. Turqit po krijojnë fakte në Kosovë: po krijojnë simpati, sepse po sjellin para dhe investime në vend, duke tërhequr kështu Kosovën në anën e tyre. Serbia në anën tjetër nën trysnin dhe ndikimin e Rusisë, nuk po ndërpret përpjekjet e saj në territorin e Kosovës me qëllim destabilizimn e situatës atje. Në këtë situatë, Bashkimi Evropian, duhet të mendojë urgjentisht se si të propozojë një zgjidhje praktike dhe pragmatike për sa i përket forcimit të shteti ligjor në Kosovë. Shteti ligjor është shumë i rëndësishëm dhe ai duhet të vendoset brenda një periudhe afatmesme, sepse është kushti kryesor për pranimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Këtu nuk duhet të ketë hezitime. Kjo duhet bërë sa nuk është vonë dhe derisa Bashkimi Evropian e ka ende njërën këmbë brenda në Kosovës, duke ndihmuar në fushën e ekonomisë, kulturës dhe arsimit. Bashkimi Evropian, duhet të mendojë për të gjetur mënyra për investime të qëlluara në sektorin privat në Kosovë dhe kjo të mbështetet përmes krijimit të lehtësirave dhe mbështetjes së programeve të ndryshme. Kosovarë janë njerëzit tanë, janë disa prej nesh, prandaj duhet të mos lejojmë rrezikimin e këtij vendi dhe që njerëzit e Kosovës t’i humbim nën ndikimin e të tjerëve.

5) Shtatorin e kaluar, së bashku me një delegacion të Unionit Paneuropa, ishim në Kosovë me rastin e përurimit të Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë. Një ngjarje e mijëvjeçarit për shqiptarët e Kosovës. Dhe kjo, ndonëse në Kosovë ( së paku në letër) rreth 95 për qind janë myslimanë dhe vetëm 1.5 për qind katolikë. Përkundër kësaj, në zemër të Kryeqytetit të Kosovës është ngritur një katedrale madhështore, aty përballë Universiteti të Prishtinës. Kjo katedrale e bardhë, i ka të gjitha gjasat të kthehet në një pikë referimi për Prishtinën. Kam qenë dhe jam i bindur thellësisht për këtë. Ndërtimi i Katedrales, pjesërisht është financuar edhe nga shqiptarët myslimanë. Për më tepër, iniciatori për ndërtimin e saj ka qenë Presidenti Ibrahim Rugova, vetë një mysliman. Çfarë dua të them me këtë? Kosova është një thesar i tolerancës fetare, ku krahas fushave tjera të jetës, religjioni funksionon si një model shembullor. Është kthyer në institucion tradita që në rastet e riteve kryesore fetare, një mysliman të marrë pjesë në festat katolike dhe që katolikët të marrin pjesë në festat e myslimanëve.
Në qytetin e Ferizajt, qëndrojnë pranë njëra tjetrës kisha dhe xhamia. Në Kosovë, pothuaj se nuk sheh as një grua që mbanë mbulesë në kokë. Në Kosovë kemi pikërisht islamin që ne evropiane e cilësojmë me shumë qejf si „islami evropian“. Por, nuk është se nuk duhet të jemi të vëmendshëm: Nëse ne nga Bashkimi Evropian i mbyllim sytë dhe nuk i tërheqim shqiptarët e Kosovës në anën tonë, do të kemi në prag të dyerve tona islamin radikal.
Njerëzit në Kosovë janë të papunë, ndërsa varfëria është përhapur dhe ka prekur shumë njerëz dhe për këtë më vjen shumë keq. Por, këta njerëz në fakt, janë shënjestër e lehtë për tu bërë pre e ndikimit dhe propagandës së radikalëve xhihadistë.

Hidromorava

Edhe sot Arabia Saudite, përmes kanaleve të ndryshme, po përpiqet të ushtrojë ndikimin e saj tek shqiptarët e besimit mysliman në Kosovë.
Sauditët, për ditë ndërtojnë xhami në Kosovë dhe në to po instalojë njerëz që predikojnë islamin vehabist. Edhe mbulesa po kërcënon Kosovën dhe është në rritje. Disa shqiptarë nga Kosova kanë shkuar në Siri për të mbështetur të ashtuquajturin “shteti islamik”. Sauditët kanë filluar gjithashtu të investojnë në projekte ekonomike në Kosovë. Këtu, Bashkimi Evropian duhet patjetër të veprojë në mënyrë preventive dhe nuk duhet të mbyllë sytë para kësaj sfide.

6) Kosova është një vend ku Evropa perëndimore e përmend shpesh në kontekst të temave të luftës, varfërisë, korrupsionit dhe papunësisë së madhe. Për Kosovën tani për fat të keq dëgjojmë të flitet thuajse vetëm në kontekst negativ. Njeriu në fakt mund të mendojë se tani atje sundon “vdekje klinike” totale. Por, nuk është ashtu. Menjëherë pas përfundimit të luftës është krijuar një gjeneratë e re kosovarësh, që duan ta çojnë përpara vendin e tyre, që duan ta ndryshojnë për të mirë vendin e tyre.
Dy të tretat e popullatës janë më të ri se 30 vjeç dhe shumë prej tyre janë të motivuar ta angazhuar dhe krenarë. Këtë e di nga përvoja ime. Këta njerëz duan t’i lëvizin gjërat. Ata janë plotë shpresë për një të ardhme më të mirë të vendit të tyre. Ata duan të punojnë për vendin e tyre – ta ndihmojnë Kosovën. Dhe ne si gjermanë dhe euro-perëndimor jemi të thirrur tu japim mbështetje kosovarëve të rinj dhe të mos i zhgënjejmë ata. Gjenerata e re e meriton këtë.

7) Edhe Kosova vetë duhet të përpiqet për të krijuar një gjendje më të mirë dhe për të krijuar një perspektivë evropianë për veten dhe popullatën e këtij vendi. Kosova duhet të ndërmarrë të gjithë përpjekjet në të gjitha nivelet shoqërore politike dhe ekonomike dhe të luftojë çdo formë të korrupsionit, nepotizmit, krimit të organizuar. Krijimi i një gjyqësori të pavarur, është kushti themelor për vendosjen e shtetit ligjor. Lira e shprehjes dhe mendimit nuk duhet të jetë vetëm në letër, por të zbatohet në praktikë, në mënyrë gjithëpërfshirëse. Në mënyrë të veçantë, duhet të luftohet dhuna në familje dhe dhuna ndaj gruas. Zbatimi i shtetit ligjor është kusht themelor për të mundësuar zhvillim të shëndetshëm të vendit. Në fakt, këto janë edhe vlerat themelore mbi të cilat qëndron Bashkimi Evropian, vlera këto që duhet të zbatohen dhe respektohen edhe në Kosovë sa më shpjet që të jetë e mundur. Kjo është detyrë e vetë Kosovës, shoqërisë së Kosovës dhe institucioneve kosovare. Ne si evropianë, do ta ndihmojmë këtë vend për arritjen e këtyre qëllimeve.

8) Për sa i përket Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale e ngritur për trajtimin e dyshimeve për krime lufte, fjala është jo vetëm për të sjellë para përgjegjësisë disa të dyshuar për vepra të tilla, por edhe për të dëshmuar se sa e gatshme është Kosova t’i hapë udhë shtetit ligjor. Sigurisht, është padrejtësi e madhe se pse deri me tani një gjykatë e tillë nuk është planifikuar edhe për Serbinë.
Kjo gjykatë duhet të bëhet edhe për Serbinë dhe për serbët sa më shpejt që është e mundur. I kuptoj plotësisht ankesat e qytetarëve të Kosovës: Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare duhet të bëjnë trysni që para kësaj gjykate, duhet të dalin edhe kriminelët serbë që kryen krime në Kosovë. Sidoqoftë, kjo nuk është arsye që Kosova të tërhiqet nga mbështetja për këtë gjykatë, sepse bllokimi i saj nga pala kosovare do të dëmtonte në radhë të parë vetë Kosovën dhe qytetarët e saj. Bëhet fjalë për vendosjen e drejtësisë dhe shteti ligjor, sepse me këtë bëhet një hap i madh në drejtim të procesit euro-integrues. Jam i sigurt se populli i Kosovës meriton më shumë se kaq.

9) Kosova mbushi dhjetë vjet të pavarësisë së saj dhe Republikës së Kosovë i uroj të gjitha të mirat dhe bekimin e Zotit! Unë e vizitoj shpesh Kosovën dhe jam me fat dhe krenar që kam shumë miq kosovarë./Përktheu nga gjermanishtja: Fadil Gashi/rajonipress/