Balija: Investitorët mos të shikohen si donatorë

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, Shpend Balija, ka thënë se Ligji për Investimet Strategjike është i mirëseardhur.
Balija, ka thënë se Ligji për Investimet Strategjike, njëkohësisht dërgon një sinjal pozitiv se Kosova është duke u fokusuar për ta krijuar një ambient sa më pozitiv për investitorët e huaj.
Sipas tij, duhet të kemi kujdes dhe të mos pretendojmë se nëpërmjet këtij ligji gjithçka do të rregullohet. “Nuk mjafton vetëm ky ligj për të krijuar kondita apo kushte stimuluese për të joshur investitorë dhe për t’i mbrojtur investitorët aktualë, të cilët e kanë shtrirë kapitalin e tyre në vendin tonë”, ka thënë ai.
Balija në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se investitorët e huaj nuk janë vlerësuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Natyrisht se interesimi i investitorëve ka qenë shumë i madh, sidomos pas shpalljes së pavarësisë. Por, me kalimin e kohës ky interesim ka shkuar duke u zbehur. Kjo ka ndodhur pikërisht për arsye se shpeshherë agjenda politike ka dominuar atë ekonomike dhe investitorët aktualë nuk janë trajtuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Duhet ta kemi të qartë se investitorët janë të interesuar ta zhvillojnë biznesin e tyre dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë edhe për vendin duke krijuar vende të reja të punës dhe duke paguar tatim në fitim”, ka thënë Baliaj, duke shtuar se duhet të ketë politika stimuluese dhe mos të shikohen investitorët si donatorë të Kosovës e që shpeshherë ndodh. Ai ka vlerësuar se Kosova ka kapacitete për të tërhequr investitorë të huaj por, sipas tij, kjo varet nga kushtet të cilat Qeveria i krijon.
“Duke pasur parasysh se në të kaluarën, por edhe tani deri në një masë të caktuar investitorët paguajnë një kosto të lartë doganore për lëndën e parë, e cila përdoret për ta prodhuar produktin final, Qeveria duhet të fokusohet në tatimin në fitim më tepër dhe ta lirojë lëndën e parë nga të gjitha obligimet doganore”, është shprehur Balija. /Telegrafi/