Bajrami takon banorët e Trestenikut të Vitisë
Gjilan – Zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë Abdyl Bajrami si dhe Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Islam Jashari kanë vizituar fshatin Trestenik me këtë rast ata në oborrin e shkollës të këtij fshati kanë bashkëbiseduar lidhur me procesin e planifikimit të buxhetit komunal për periudhën 2014-2016, gjithashtu ata kanë shikuar për së afërmi punimet që janë duke u zhvilluar në ndërtimin e shkollës së re në këtë fshat.
Bajrami i njoftoj banorët e fshatit Trestenik se Komuna e Vitisë është e interesuar që planifikimin e buxhetit ta bëjmë bashkërisht me qytetarët e saj. “Qe tre vite kemi filluar që planifikimin e buxhetit ta bëjmë me qytetarët kjo sepse ka ndodhë që më parë komuna ka investuar në një projekt që ka menduar se është më e nevojshme për qytetarët e saj, por shpeshherë qytetarët nuk kanë pas të njëjtat mendime kështu që kemi filluar që procesin e planifikimit të buxhetit dhe listën për investime kapitale ta hartojmë bashkërisht me ta dhe kjo ka dëshmuar se është një praktikë e mirë dhe e domosdoshme” u shpreh Bajrami.
Bajrami tha se Komuna e Vitisë po synon që të përfundoj rrjetat e kanalizimit , kjo me qëllimin më të mirë që të shikohen mundësitë që të krijohet në të ardhmen një impiant për pastrimin e ujerave të zeza, por ai shtoj se një projekt i tillë ka një vlerë të madhe financiare dhe është e pa përballueshme për komunën, por se do të bëjmë përpjekje për të gjetur donacione për këtë projekt të rëndësishëm.
Ndërsa Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Islam Jashari tha se për këtë vit është paraparë shkolla e këtij fshati e cila vetëm se është në fazën e ndërtimit si dhe përfundimin e ujësjellësit, ndërsa për vitin e ardhshme në propozim listën shtoi se Komuna ka paraparë kanalizimin megjithatë ai theksoi se edhe pse komuna ka paraparë këtë projekt për vitin 2014 ajo dëshiron ta ketë mendimin e Trestenikasve lidhur me këtë .
Ndërsa disa nga banorët thanë se deri me tani nuk kanë qenë të kënaqur me komunën dhe atë për shkak të mungesës së investimeve në këtë fshat duke theksuar se më parë banorët kanë participuar në projektet e këtij fshati duke kërkuar nga komuna që të ketë më shumë investime ndërsa disa të tjerë kishin një mendim ndryshe dhe kërkuan që përveç projektit të kanalizimit që është i paraparë për vitin 2014 të shikohen mundësitë buxhetore që pas përfundimit të objektit të shkollës së këtij fshati të vendosën rrethojat.
Isuf Ibrahimi, Kryetar i këtij fshati kërkoj vendosjen e rrethojave pas përfundimit të objektit të shkollës të njëjtin mendim kishin edhe bashkëvendësit e tij. “Rrethojat në objektin e shkollës pas përfundimit të saj, janë të domosdoshme sepse më parë nxënësit janë penguar për të zhvilluar aktivitetet e tyre në oborrin e shkollës nga bagetit e fshatit të cilat i kanë shkatërruar vazhdimisht rrjetat sportive, dhe kështu se nxënësit e kanë pasur të pamundshëm të zhvillojnë aktivitetet sportive” u shpreh Ibrahimi.
Ndryshe takimi është mbajtur në kuadër të diskutimeve publike që po i zhvillon Drejtoria për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim me Zyrën e Kryetarit si dhe nën mbështetjen e Zyrës për Informim Publik që ka për qëllim planifikimin e buxhetit komunal për periudhën 2014-2016./rajonipress/


