Bajrami: Puna profesionale dhe ruajtja e kritereve urbanistike prioritet imi

Gjilan – Bekim Bajrami është zgjedhur drejtor në drejtorinë e urbanizmit. Për rajonipress Bajrami shpalos projektet dhe idetë e tija për punën profesionale që do të bëhet nga ky dikaster dhe për ruajtjen e hapësirave dhe të kritereve urbanistike. Profesionalizmi në këtë drejtori dhe puna ekipore që do të bëjmë jam i sigurt se do na japin rezultate inkurajuese shprehet Bajrami.
Bekim Bajrami është tip i qetë, një profesionist i mirë dhe i rrallë që mund ta ketë ndonjë komunë. Ka një drejtim specifik meqë është në proces të doktoratës në Shkup në fushën e seizmologjisë. Ka qenë më herët në programin Erasmus Mundus të Komisionit Evropian duke ndjekur studime postdiplomike në disa universitete të Evropës.
Gjilani ndodhet në një fushë sizmike dhe vendosja e tij në krye të urbanizmit jep shpresa të mëdha se kriteret urbanistike, dhe lejet ndërtimore do të bëhen bazuar në suazat ligjore.
Bajrami fillimisht ndihet i lumtur që ka marrë besimin e Lutfi Hazirit dhe mbështetjen e bizneseve për të menaxhuar me këtë drejtori. “Vërtet ndihem krenar që kryetari Haziri e mori parasysh rekomandimin e OJQ dhe të bizneseve që unë të drejtoj këtë sektor. E di që ka shumë punë, angazhim dhe detyra profesionale që na presin t`i kryejmë, por jam i sigurt se me njerëz të profesionit dhe me ata që e duan një Gjilan me rregulla e kritere, do i përballojmë qetësisht” shprehet Bajrami.
Bekim Bajrami thotë se do të insistojë që puna profesionale dhe puna ekipore të dominojnë në mandatin e tij. “Aty ku jemi mirë do t`i vazhdojmë projektet, kurse aty ku ka ngecje do të japim rekomandime profesionale. Risi do të ketë edhe në lëminë e Efiqiencës së Energjisë, meqë më herët kam qenë pjesë e hartimit të strategjisë për energji të qëndrueshme të qytetit për pesë vitet e ardhshme. Nga kjo strategji do të përkujdesemi që të implementojmë projektet e parapara konform marrëveshjes ndërkombëtare për zvogëlimin e emetimit të CO2. Siç dihet komuna jonë është një nga anëtaret e rralla të konventës Evropiane për energji” shprehet Bajrami.
“Po ashtu jam i vetëdijshëm se ka shumë kërkesa rreth ndërtimeve të larta, por ne do të mundohemi që kriteret urbanistike dhe ruajtja e tyre të mbetet prioritet. Gjithashtu do insistojë që lëndët e pakryera dhe ato që janë në proces të kryhen me ndershmëri dhe profesionalizëm të lartë. Gjithçka që është në suaza të ligjit do të mbështetet, por aty ku ka interesa të natyrave të ndryshme dhe tentim për prishje të këtyre kritereve nuk do të ketë tolerime” thotë Bajrami.
Bekim Bajrami mendon se për ta ruajtur kriterin urbanistik duhet edhe një mbështetje e qytetarëve dhe një vetëdijesim i tyre. “Na duhet edhe një koordinim me qytetarët dhe ne ata që janë të interesuar të ndërtojnë. Vetëdijesimi për të pasur një qytet të ruajtur mirë dhe jo të degraduar kërkon edhe përkrahjen e qytetarëve. Unë do e mbështes çdo iniciativë të qytetarëve kur është në pyetje informimi rreth fushës së urbanizmit. Transparenca dhe llogaridhënia do të jenë një prioritet tjetër në këtë qeverisje” shprehet Bajrami./rajonipress/