Mobi Casa

Bajrami: Prokuroria Speciale të veprojë urgjentisht për 108 “kontrata sekrete” shumë milionëshe – Kurti t’i përgjigjet qytetarëve

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ngritur sërish shqetësimin në lidhje me atë që ajo i quajti “kontrata sekrete”, të cilat janë nënshkruar gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti.

Përmes një postimi në platformën Facebook, Bajrami njoftoi se brenda një periudhe të shkurtër prej tre muajsh janë nënshkruar 108 kontrata përmes procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, me një vlerë totale që kap më shumë se 30 milionë euro.

Bajrami i bëri thirrje kryeministrit Kurti që të përballet me qytetarët dhe të shpjegojë veprimet e tij, ndërsa i kërkoi Prokurorisë Speciale të ndërhyjë urgjentisht për të trajtuar këto akuza për korrupsion dhe abuzim me paranë publike.

Iniciativa për progres INPO, një organizatë joqeveritare e angazhuar në monitorimin e veprimeve të qeverisë, ka nisur një analizë të thelluar për këtë çështje, duke dërguar email dhe të dhënat e grumbulluara tek të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kjo vjen pas publikimeve të bëra nga Lidhja Demokratike e Kosovës disa javë më parë, ku ata ngulmuan në ekzistencën e më shumë se 780 kontratat e dyshimta me një vlerë totale prej 209 milionë euro.

RCCOLA

Bajrami drejtoi kritika të ashpra ndaj partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke argumentuar se refuzimi i tyre për themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të hulumtuar kontratat në fjalë tregon një dëshirë për të mbajtur korrupsionin të fshehtë.

Sipas saj, nënshkrimi i këtyre kontratave është i paligjshëm dhe kërkon përgjegjësi.

Ndër akuzat e ngritura nga Bajrami përfshihen abuzimi me paranë publike, keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe deformimi i konkurrencës së lirë në treg, të cilat sipas saj përbëjnë vepra të rënda korruptive.

Deputetja ka bërë thirrje për një veprim të shpejtë dhe të vendosur nga institucionet ligjzbatuese për të ndaluar këtë fenomen dhe për të garantuar transparencën dhe rendin e drejtësisë.

Për të ilustruar situatën, INPO ka përgatitur një infografik, të cilin e ka bërë të disponueshëm për publikun për të informuar më tej rreth kësaj problematike./Telegrafi/