Mobi Casa

Bajrami, Kurtit: A po të kujtohet që i premtojshe do fabrika të keçapit nëpër oda – mjaftë me manipulime

/ 2 minuta lexim

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti lidhur me statistikat që ai ka publikuar sa i përket zhvillimit ekonomik në vend.

Bajrami në një postim në Facebook ka shkruar se LVV dhe Albin Kurti janë të bindur që qytetarët e Kosovës janë analfabetë funksional përndryshe si mund të justifikohen manipulimet e tyre me shifra në këtë masë.

“Që faktet vetëm për njërën prej pikave: Raporti eksport: import. Kanë thënë se raporti eksport import kur e ka marrë mandatin ka qenë 1:9 dhe sot është 1:6. Asnjëra nuk është e vërtetë, sepse sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2020 Kosova ka eksportuar 439 milionë euro dhe ka importuar 3,271 miliardë euro, rrjedhimisht raporti eksport-import për 2020 është 1:7 derisa në vitin 2023 Kosova ka eksportuar 820 milionë euro dhe ka importuar 5,8 miliardë euro, rrjedhimisht raporti eksport-import prapë është 1:7”, ka shkruar Bajrami.

Mobi Casa

Ajo ka shtuar se nëse flasim në terma nominale deficiti tregtar në vitin 2020 ka qenë 2.8 miliardë euro ndërsa në vitin 2023 ka qenë 5 miliardë euro, më i larti në historinë e Kosovës.

“Mjaftë me manipulime, keni pak konsideratë për ata që gabuan e ju besuan me 14 shkurt të vitit 2021. Asnjëra nga pikat me poshtë nuk është e vërtetë dhe ju sfidoj për përballje për secilën pikë. P.S. Albin, A po të kujtohet që i premtojshe do fabrika të keçapit nëpër oda?!”, ka shkruar tutje deputetja Bajrami. /Telegrafi/