KKVITI

Bajrami: Konsorciumi francez dorëzoi një pjesë të dokumentacionit

/ 3 minuta lexim

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) i ka dhënë afat konsorciumit francez “MDP Consulting-Compagnie des Alpes” që deri në orën 24:00 të dorëzojë dokumentet e nevojshme rreth projektit të Brezovicës duke përfshirë edhe garancionin bankar për fazën e parë në investime prej 163 milionë euro.

Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se konsurciumi në fjalë të martën deri në orën 17:00 ka dorëzuar në MTI një pjesë të dokumentacionit që kërkohet, por, sipas saj, tashmë është çështje e komisionit për të vendosur që çka do të bëhet më tutje.

“Për momentin unë nuk kam çka të flas për këtë çështje. Komisioni duhet të bëjë punën e vet në analizimin dhe konfirmimin e dokumentacionit që ka dorëzuar konsorciumi në fjalë dhe pas analizimit të këtyre do të merret vendimi final për këtë çështje”, ka thënë ajo për gazetën “Zëri”.

Por, zyrtarë të kësaj Ministrie kanë thënë se nëse pas analizimit të dokumenteve kompania në fjalë nuk mund t’i plotësojë të gjitha kushtet, atëherë Komisioni Ndërministror do të vendosë për hapat e mëtutjeshëm.

“Komiteti Drejtues Ndërministror do të mblidhet pas datës 31 maj 2016 dhe do të vlerësojë nëse kompania ka përmbushur obligimet. Nëse janë përmbushur obligimet, atëherë do të hyjë në fuqi kontrata, nëse jo atëherë Komiteti Drejtues Ndërministror do të marrë vendim për hapat e mëtutjeshëm”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Tregtisë.

KKVITI

Gazeta ka kontaktuar edhe me Lorik Haxhiun si përfaqësues të kompanisë në Kosovë, por ai nuk ka dashur të japë detaje nëse kompania ka arritur që t’i sigurojë mjetet e nevojshme, pasi që ai ka thënë se nuk është i autorizuar të flasë.

Ndryshe, për këtë projekt kompanisë në fjalë i duhet që të sigurojë 400 milionë euro të parapara investime, ku vetëm në fazën e parë duhet t’i sigurojë 163 milionë euro.

Por më 4 nëntor të vitit të kaluar përfaqësuesit e këtij konsorciumi erdhën në Prishtinë, ku kërkuan ndihmë financiare nga bizneset vendore për Brezovicën. Përreth 2 orë para disa biznesmenëve kosovarë, përfaqësuesi i këtij konsorciumi, Pascal Roux, është munduar të bindë bizneset vendore që të bëhen pjesë e këtij projekti. Roux, shef i firmës konsultuese MDP nga Meylan afër Grenoble, e cila i prin konsorciumit, tha se është i hapur ndaj të gjithë biznesmenëve kosovarë.

Ndërsa në dhjetor kompania nuk kishte arritur që t’i sigurojë mjetet e parapara, për të cilat komiteti ndërministror i kishte dhënë afat shtesë deri më 31 maj të këtij viti.

Në nëntor të vitit 2014 në tenderin “Propozimi për Zhvillimin, Financimin dhe Operimin e Qendrës Turistike në Brezovicë”, ishte shpallur fitues konsorciumi i kompanive “MDP Consulting – Compagnie des Alpes – PGI Management”./zeri/