RCCOLA

Bajrami: 2 milionë eurot u dërguan te një operator ekonomik me 4 transaksione

/ 4 minuta lexim

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në një konferencë për media, ka treguar se jashtëligjshëm janë bërë 4 transaksione nga Thesari i Republikës së Kosovës dhe se mbi 2 milionë euro janë dërguar në llogarinë e një operatori ekonomik, raporton Express.

“Sot s’është lajmi i mirë, e keni parë në gazetë. Bëhet fjalë për 4 transaksione të dyshimta, që kanë ndodhur nga llogaria e Thesarit që është në kuadër të MF-së. 2 milionë euro kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik”, ka thënë Bajrami në konferencë për media.

Bajrami ka thënë se me të kuptuar rastin, e kanë raportuar atë dhe se tashmë është duke u zhvilluar një hetim i gjithanshëm.

“Me të kuptuar kemi raportuar rastin dhe krimet ekonomike po merren me hetim të brendshëm”, ka thënë Bajrami tutje.

Ministrja ka thënë se tashëm po interesohen të gjejnë se kush është përfituesi përfundimtar i të hollave.

“Deri më tani janë suspenduar 2 zyrtarë, njëri nga ta është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ne tanimë kemi gjurmuar, ky është transaksion bankar. Institucionet e rendit janë duke u marrë, duke parë se kush janë përfituesit fundorë”, ka theksuar ajo.

Bajrami ka thënë se “institucionet e rendit po bëjnë përpjekje maksimale që këto mjete t’i kthehen buxhetit të Kosovës”.

Ajo në fund ka thënë se institucionet e kanë gjurmuar rastin.

“Është rast i izoluar. Gjithçka po gjurmohet sepse është transaksion bankar”, ka thënë në fund. /Express/

Bajrami tregon datën se kur u zhdukën 2 milionë eurot nga Thesari i Shtetit

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, është deklaruar lidhur me zhdukjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Bajrami ka treguar se transaksioni i këtyre mjeteve është kryer më 9 shtator, derisa hetimet për këtë rast kanë filluar tek dje, raporton Express.

Eco Higjiena

“Tani me datën 9 shtator kanë ndodh transaksionet dhe mjetet nga buxheti në Ministrinë tjetër (Ministrinë e Infrastrukturës) janë terhjekë dhe janë bërë pagesat në emër të këtij operatori ekonomik. Më pas kemi ardh deri te denoncimi i rastit. Krejt procedura e hetimit ka fillu dje”, ka deklaruar Bajrami para gazetarëve.

Bajrami nuk ka pranuar që të jap emrin e operatorit ekonomik, në emër të të cilit janë bërë pagesat, meqenëse siç ka thënë mund të dëmtohet procesi i hetimeve për këtë rast.

“Unë besoj që në një të ardhme të afër do të jemi në gjendje të japim raporte detajuara. Kemi kërkesë nga prokurorja e rastit që të mos japim informata sepse mund të dëmtohet procesi i hetimeve”, ka deklaruar ajo.

Detaje për këtë rast kanë dhënë edhe nga Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh.

Përmes raportit 24-orësh, Policia ka bërë me dije se është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit.

“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro. Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Gazeta Express

I arrestuari për 2 milionë eurot punonte prej 11 vitesh në Thesarin e Shtetit

Pas “avullimit” të rreth 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se zyrtari i arrestuar kishte punuar në Thesar për 11 vite.

Në konferencën e mbajtur për media, Bajrami tha se i arrestuari është zyrtar i Thesarit të Shtetit, ndërsa tjetri është eprori i tij në vijë raportuese.

“Janë zyrtarë të Thesarit të Shtetit, punon në thesar qe 11 vite ndërsa tjetri është eprori i tij në vijë raportuese. Gjithë ata që punojnë aty e kanë qasjen pasi duhet të kryejnë transaksione në baza ditore”, tha Bajrami.

Ministrja e Financave ka treguar se jashtëligjshëm janë bërë 4 transaksione nga Thesari i Republikës së Kosovës dhe se mbi 2 milionë euro janë dërguar në llogarinë e një operatori ekonomik. /Express/