Bajram Qerimi, një jetë e tërë në shërbim të dijes dhe brezave
Gjilan – Bajram Qerimi, mësues i mësimit klasor dhe një nga figurat më të respektuara të arsimit në komunën e Gjilanit, (tani në pension), përfaqëson shembullin e rrallë të njeriut që jetën ia kushtoi dijes, edukimit dhe formimit të brezave. Rrugëtimi i tij jetësor dhe profesional është histori përkushtimi, sakrifice dhe dashurie të pakushtëzuar për shkollën dhe nxënësin.
Ka njerëz që arsimin nuk e kanë profesion, por mision. Bajram Qerimi ishte njëri prej tyre. Ai ishte mësuesi që nuk u ndal kurrë para distancës, lodhjes apo kushteve të vështira; mësuesi që për dije udhëtoi kilometra të tëra, shpesh në heshtje, vetëm që asnjë fëmijë të mos mbetej pa shkollë. Me çantën e librave në dorë dhe me përgjegjësi të madhe në zemër, ai e shndërroi sakrificën personale në shpresë për breza të tërë nxënësish. Rrugët që përshkoi nuk ishin thjesht kilometra gjeografikë, por ura që lidhën dijen me jetën, vlerën me edukimin dhe mësuesin me përjetësinë e respektit njerëzor.
Mësuesi që e ktheu dijen në mision jete
Bajram Qerimi, mësues i mësimit klasor dhe një nga figurat më të respektuara të arsimit në komunën e Gjilanit, përfaqëson shembullin e rrallë të njeriut që jetën ia kushtoi dijes, edukimit dhe formimit të brezave. Rrugëtimi i tij jetësor dhe profesional është histori përkushtimi, sakrifice dhe dashurie të pakushtëzuar për shkollën dhe nxënësin.
Rrënjët e thjeshta dhe vizioni i madh për arsim
Ai lindi më 1 janar 1946 në fshatin Llovcë të komunës së Gjilanit, në një familje fshatare pa traditë formale në arsim. Llovca, një fshat i vogël pranë Pogragjës, ishte vendi ku u hodhën themelet e para të një historie frymëzuese. Babai i tij, Ramadani, ndonëse vetë i paarsimuar, kishte një vizion të qartë: arsimi ishte çelësi i së ardhmes. Në kushte të vështira ekonomike, ai bëri gjithçka që ishte e mundur për t’ua mundësuar fëmijëve shkollimin, duke mbjellë te Bajrami dashurinë për librin dhe dijen.
Rrugëtimi arsimor: nga Llovca në Gjilan
Katër klasat e para të shkollës fillore Bajram Qerimi i kreu në vendlindje, ndërsa nga klasa e pestë deri në të tetën mësimet i ndoqi në shkollën fillore të Pogragjës. Pas përfundimit të arsimit fillor, në vitin shkollor 1961-1962, u regjistrua në Shkollën Normale të Gjilanit, të cilën e përfundoi me sukses në vitin 1967.
Formimi profesional dhe etja për dije
Etja për dije nuk u ndal me kaq. Në vitin 1981, Bajram Qerimi përfundoi edhe Akademinë Pedagogjike në Gjilan, duke thelluar formimin e tij profesional dhe duke forcuar misionin e tij si edukator i brezave të rinj.
Mbi katër dekada në shërbim të shkollës dhe nxënësit
Karrierën arsimore e nisi më 9 shtator 1967 në Shkollën Fillore “Liria” në Llovcë, ku punoi si mësues i ciklit klasor deri në vitin 1975. Nga viti 1975 deri më 1987 dha kontribut si mësues i ciklit të lartë në shkollën e Pogragjës. Në vitin 1987, ai u transferua në Shkollën Fillore “Musa Zajmi” në Gjilan, ku punoi me përkushtim dhe dinjitet deri në pensionimin e tij më 1 janar 2011.
Përtej arsimit: sportist dhe aktivist i respektuar
Përveç angazhimit të palodhshëm në arsim, Bajram Qerimi u shqua edhe si sportist dhe aktivist i dalluar shoqëror. Pjesëmarrja e tij aktive në jetën komunitare, korrektësia, komunikimi i sinqertë dhe përkushtimi ndaj vlerave njerëzore e bënë atë një figurë të njohur, të dashur dhe thellësisht të respektuar në shoqëri.
Një emër që mbetet në kujtesën e Gjilanit
Sot, Bajram Qerimi jeton në Gjilan, duke mbetur një emër i lidhur ngushtë me arsimin, edukimin dhe formimin e brezave. Historia e tij është dëshmi se mësuesi i vërtetë nuk formon vetëm nxënës, por ndërton njerëz dhe lë gjurmë të pashlyeshme në jetën e komunitetit./rajonipress/


