Bajram Kosumi krijojë profilin e artikuluar prej mendimtari dhe politikani

Gjilan – Bajram Kosumi ka një krijimtari të pasur e të bujshme. Ai të premtën do e shpalos krijimtarinë e tij në kuadër të Panairit të Librit. Për shumë vite Kosumi punoi si publicist dhe gjatë dhjetë vjetëve do të botojë qindra shkrime të ndryshme politike, publicistike e eseistike, me të cilat arriti të krijojë profilin e artikuluar prej mendimtari dhe politikani.
Në Komunën e Gjilanit është hapur panairi i librit i 42 – t`i me radhë në të cilin po marrin pjesë 21 shtëpi botuese nga treva të ndryshme dhe me pjesëmarrje të konsiderueshme edhe të art-dashësve dhe lexuesve, e cila është organizuar nga Komuna e Gjilanit dhe Ars klubi “Beqir Musliu” e mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Të premtën në kuadër të programit të Panairit do të promovohet, shpaloset e debatohet krijimtaria e pasur e Bajram Kosumit. Referues do të jenë Merxhan Avdyli- poet studiues, Myrvete Dreshaj – Baliu dhe Ismail Syla
Profili krijues i Bajram Kosumit mund të ndërtohet në tri vija paralele: në vijën e parë është profili prej veprimtari liridashës dhe politikani, në vijën e dytë është profili prej publicisti dhe në vijën e tretë është profili prej krijuesi letrar e shkencor.
Në vijën e parë profili i tij ndërtohet që nga jeta studentore. Në vitin 1979 ai bëhet udhëheqës i një organizate patriotike ilegale e cila angazhohej për lirinë e Kosovës. Në vitin 1981 ka qenë një prej udhëheqësve të lëvizjes studentore dhe revolucionit në Kosovë. Gjykata e Jugosllavisë e dënon me 15 vjet burgim. Në fund të vitit 1990, me rënien e komunizmit, nga një amnisti e përgjithshme politike, lirohet nga burgu.
Në zgjedhjet e para shumëpartiake në Kosovë, në vitin 1992, zgjidhet deputet i Parlamentit të Kosovës nga rrethi i Kamenicës (Parlamenti i penguar nga shteti serb). Në vitet që pasojnë, nga 1994 e tutje deri në vitin 2010, do të luajë rol të rëndësishëm në politikën e Kosovës. Më 1994 zgjidhet kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës. Në vitin 1998-99 merr pjesë në Konferencën e Rambujesë dhe në Paris. Në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, më 1999, zgjidhet ministër i Informacionit Publik. Gjatë luftës vepron bashkë me UÇK në Gollak dhe në Llap.
Pas luftës, bashkë me disa parti të tjera formojnë Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Në zgjedhjet parlamentare të pasluftës edhe tri herë të tjera është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës, nga 2001 deri në 2010. Në vitin 2004 zgjidhet Ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në vitin 2005 zgjidhet Kryeministër i Kosovës.
Në vijën e dytë, profili i tij prej publicisti fillon në vitet e burgut dhe menjëherë pas tij. Në vitin 1995, sa ishte në Burgun Qendror të Beogradit, bashkë me shokët e idealit Hydajet Hysenin, Zija Shemsiun, Ali Lajcin dhe Gani Kocin, shkruajnë dhe ua dërgojnë organeve udhëheqëse të RSFJ-së së atëhershme letrën me titull :”Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion”, e cila pasi doli fshehurazi jashtë mureve të burgut, në vitin 1986 u publikua si broshurë politike në Zvicër.
Pas burgut fillon punën si publicist dhe gjatë dhjetë vjetëve do të botojë qindra shkrime të ndryshme politike, publicistike e eseistike, me të cilat arriti të krijojë profilin e artikuluar prej mendimtari dhe politikani. Gjatë viteve 1991-2002 ka qenë kolumnist dhe ka bashkëpunuar me revista e gazeta të ndryshme anekënd hapësirës shqiptare.
Në vitin 1995 publikoi librin e parë me punime publicistike Koncept për subpolitikën.
Në vitin 2000 e publikoi librin e dytë Koncept për mendimin e ri politik.
Në vitin 2006 e publikoi librin e tretë publicistik Një vit vendimtar.
Në vijën e dytë, profili i tij prej krijuesi letrar e shkencor nis po ashtu shumë herët.
Në vitin 1992, ai bashkë me katër autorë të tjerë, publikoi Librin e Lirisë, libri i parë me poezi nga burgu i botuar në Kosovë.
Në vitin 2000 botoi librin me poezi Fjalor i Barbarëve dhe të njëjtin, me ndryshime të theksuara e ribotoi në vitin 2009.
Në vitin 2006 publikoi në Tiranë dy monografi shkencore: e para Lirika e Fishtës, një studim shterues për poezinë lirike të Gjergj Fishtës dhe e dyta Letërsia nga burgu / kapitull më vete në historinë e letërsisë shqipe, një monografi për letërsinë e krijuar nëpër burgje gjatë nga të burgosurit politikë shqiptarë.
Në vitin 2012 e publikoi monografinë e tretë shkencore Fishta dhe tradita letrare shqiptare, një prej librave më të plotë e më të thellë në studimet historike krahasimtare të letërsisë shqipe.
Në vitin 2012 publikoi në versionin digjital një variant të modifikuar të kësaj monografie, me titull Fishta dhe letërsia shqiptare e traditës.
Në vitin 2013 e publikoi edhe monografinë e katërt shkencore Tipologji dhe zhanër, në të cilin trajton aspektin zhanror të tekstit në përgjithësi, dhe të tekstit gazetar në veçanti.
Nga viti 2008 e këndej, prej kur Bajram Kosumi është profesor në Universitetin e Prishtinës ka publikuar dhe vazhdon të publikojë dhjetëra artikuj shkencorë nëpër revista të ndryshme shkencore kombëtare e ndërkombëtare.
Në fund, Bajram Kosumi është lindur më 20 mars 1960, në Tuxhec të Dardanës (Kamenicë).
Shkollën fillore e ka kryer në Koretin, të mesmen në Dardanë dhe ka filluar studimet për Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe në Universitetin e Prishtinës në vitin 1978. Pas ndërprerjes së gjatë, për shkak të burgimit, në vitin 1994 diplomon në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Pas ndërprerjes së dytë, për shkak të luftës në Kosovë, ai magjistroi në vitin 2004. Pas ndërprerjes së tretë, tash më të shkurtër, për shkak të zgjedhjes së tij kryeministër i Kosovës, ai doktoron në Universitetin e Prishtinës në vitin 2008.
Sot është Profesor i Asocuar në Universitetin e Prishtinës dhe bashkëpunëtor në disa universitete të tjera, kryeredaktor i Revistës kërkimore MEDIA, anëtar i Bordit i revistës shkencore DISKUTIME, anëtar i Këshillit Drejtues të Seminarit Ndërkombëtar të Fakultetit të Filologjisë ne UP dhe shef i Departamentit të Gazetarisë në UP.
Merret me shkrime letrare, politike, historike dhe gazetare.
Është i martuar dhe baba i katër fëmijëve. Jeton në Prishtinë.
Libra të publikuar:
Koncept për subpolitikën, Zgjimi, Ferizaj, 1995.
Fjalor i Barbarëve, Brezi 81, Prishtinë, 2000.
Botim i dytë: MA, Prishtinë, 2009, ISBN 978 9951 424 22 6.
Koncept për mendimin e ri politik, Brezi 81, Prishtinë, 2001.
Lirika e Fishtës, Botimet TOENA, Tiranë, 2004, ISBN 99927 1 9214.
Një vit vendimtar, Botimet TOENA, Tiranë, 2006, ISBN 99943-1-178-6.
Botim i dytë: e-Book, Botimet Filozofia Urbane, Prishtinë, 2013, ISBN 978-9951-641-43-2, www.librariaelektronike.com .
Letërsia nga burgu-kapitull më vete në letërsinë shqipe, Botimet TOENA, Tiranë, 2006, ISBN 99943-1-187-5.
Fishta dhe tradita letrare shqiptare, Brezi ’81, Prishtinë, 2012, ISBN 978 9951 424 394.
Fishta dhe letërsia shqiptare e traditës, e-Book, Botimet Filozofia Urbane, 2013, ISBN 978-9951-641-31-0, www.librariaelektronike.com.
Tipologji dhe zhanër, Olymp, Prishtinë, 2013, ISBN 978-9951-635-13-4.
Libra të publikuar në bashkautorësi:
Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion, H. Hyseni, Z. Shemsiu, B. Kosumi, A. Lajçi, G. Koci, botuar në Zvicër, 1986.
Libri i Lirisë, M. Avdyli, I. Syla, H. Hyseni, J. Januzaj, B. Kosumi, ZËRI, Prishtinë, 1992.
Letra nga burgu / Libri i censuruar, përgatitur nga M. Avdyli e B. Kosumi, Brezi 81, Prishtinë, 2004./rajonipress/