Uji Dea

Bahri Ejupi në dekada garues, trajner dhe refer ndërkombëtar i karatesë

/ 19 minuta lexim
Mobi Casa

Gjatë periudhës së pushimeve të verës së vitit 1977, Bahri Ali Ejupi dhe Osman Ejupi-Zijaça, si nxënës të vitit të dytë të gjimnazit “8 Nëntori” të Podujevës, idenë e tyre të kahershme për themelimin e një Klubi të karatesë në rajonin e Llapit, do ta bisedojnë me z. Shahin Sfishta, absolvent i Fakultetit të Edukatës Fizike të Universitetit të Kosovës.

Këtë iniciativë të këtyre dy djemve entuziast Sfishta e merr seriozisht. Ai duke e parë edhe dëshirën e madhe të të rinjve të tjerë të zonës së Llapit, për këtë sport luftarak pas dy-tre ditëve do ta takojë bashkëvendësin e tij, Xhevat Makolli, i cili ishte garues aktiv në KK ”Kosova” të Prishtinës.

Meqenëse, Xhevati ishte me origjinë nga Hertica e Podujevës dhe e njihte potencialin e madh të rinisë së kësaj ane me nismën do t’i njoftojë edhe kolegët e tij, Ymer e Nezir Rama dhe Zeqir e Shemsi Bilalli.

Pas hartimit të këtij projekti dhe analizës së rregulloreve me iniciativën njoftohen edhe organet e atëhershme komunale të Podujevës, sidomos e ashtuquajtura “Bashkësi Vetëqeverisëse e Interesit për Kulturë Fizike”

Mirëpo, ky institucion i Edukimit Fizik në mungesë fondesh përveç miratimit të kësaj kërkese nuk mund t’u dalë në ndihmë këtyre të rinjve. Përkundër këtij problemi madhor s’do të ketë vetëdorëzim e as zmbrapsje nga ky aktivitet i dobishëm shoqëror.

Vendosmëria për ta realizuar këtë projekt të rëndësishëm për shëndetin e të rinjve llapjanë shpie në kërkim të rrugëve të tjera alternative.

Përkrah këtyre sportistëve do të jenë udhëheqësit e Organizatës Themelore të Punës së Bashkuar “Kosova-trans” të Podujevës, të prirë nga drejtori i atëhershëm, Jakup Muharrem Llugaliu, dhe kolegët e tij si: Bajram Jahir Ajeti, Isak Hasani dhe Bahri Sheholli.

Themeluesit e klubit dhe udhëheqësit e Kosova-transit, njësia në Podujevë, bien në ujdi që aktiviteti sportiv të zhvillohet nën patronazhin e kësaj ndërmarrje publike.

Në kudër të këtij klubi aktivitetin e tyre si karateistë do ta ushtrojnë edhe Bajrush Fazli Behrami, Kadri Llugaliu dhe Bahri Sheholli, punëtorë shembullor të kësaj organizate.

Llapjanët si debutues në këtë sport të rinj me këshilla e sugjerime do të ndihmohen edhe nga vëllezërit Zeqir e Fatmir Sopi, Agim Makolli, Muhamet Rexhepi, vëllezërit Islam e Ramadan Berisha etj, të cilët vepronin në ekipe të ndryshme të komunës së Prishtinës.

Klubi i karatesë “Kosova-trans” i Podujevës, ushtrimet dhe garat kampionale në kudër të Ligës së Parë Krahinore të Kosovës, do t’i zhvillojë në palestrat e shkollave “Naim Frashëri” dhe “Isa Boletini” të Podujevës.

Madje, Bajram Ajeti, sekretar i përgjithshëm i kësaj ndërmarrje të transportit të udhëtareve, duke parë gjendjen e rëndë ekonomike të atyre që në të njëjtën kohë i ndiqnin edhe studimet në Fakultete të ndryshme të Universitetit të Kosovës,arrin t’iu siguroj udhëtimin falas, në relacionin Podujevë-Prishtinë dhe anasjelltas.

Derisa gjërat ranë në binarët e duhur karateistët llapjanë dyert i patën të hapura në çdo kohë edhe nga ekipet prishtinase si :KK” Kosova” KK “Rina” dhe KK “Batllava”

Bahri Ali Ejupi dhe Osman Ejupi-Zijaça, njohurit e para nga ky sport luftarak do t’i marrinë nga vëllezërit Gani dhe Nagip Murati, një nga pionierët e karatesë në trojet shqiptare.

Derisa u bë konsolidimi i duhur i klubit të karatesë “Kosova-trans “ të Podujevës, garuesit e këtij ekipi aktivitetin e tyre e zhvilluan si seksion apo nëndegë e KK ”Kosova” të Prishtinës.

Shumëkujt i duket e pabesueshme por edhe pse në kushte të rënda pune raportet në mes klubeve dhe garuesve i karakterizonte një frymë e shkëlqyer bashkëpunimi dhe miqësie.

Falë këtyre tipareve të veçanta të rinjtë nga Kosova,kanë shkëlqyer në ish-Jugosllavi dhe Kampionate evropiane e botërore, qoftë si garues, trajnerë apo gjyqtarë.

Meqë personazh kryesor i kësaj teme do të jetë Bahri Ali Ejupi, i lindur më 20 shtator 1961, në Gllamnik të Podujevës,për dashamirësitë e shumtë të karatesë do t’i veçojmë disa prej rezultateve të tij, si garues, trajner dhe gjyqtar ndërkombëtar.

Bahriu qëkur ishte fëmijë gëzonte shëndet të mirë. Kishte zhvillim të duhur fizik të përcjell me një zhdërvjelltësi të jashtëzakonshme. Falë këtyre cilësive edhe si nxënës i shkollës fillore “Meto Bajraktari“ në Gllamnik të Podujevës,do të shquhet pothuajse në të gjitha disiplinat e sportit.

Në ndeja me shokë të shkollës dhe bashkëmoshatarë fliste me ëndje për futbollin dhe basketbollin, me çfarë linte përshtypjen se ai në një të ardhme të afërt do të jetë futbollist apo basketbollist i Llapit të Podujevës, asokohe anëtar i Ligës së Parë të Kosovës.

Planet e tij papritur do të ndryshojnë gjatë viteve 1975-1979, kur nis me vazhdimin e mësimeve në gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës. Pasionin e tij për futbollin, hendbollin, basketbollin, atletikën apo notin që për kohën ishin goxha të popullarizuara në Kosovë, për habinë e të gjithëve e shndërron në pasion për sportet luftarake si mundje dhe karate.

Bahriu me shokun e tij të fëmijërisë dhe të studimeve Osman Ejupi-Zijaça, kohën e lirë do ta kalojnë në ushtrime. Ata në mënyrë që të mos pengoheshin në punën e tyre përpara se të fillonin me stërvitjet dilnin jashtë zonave të banuara ku mbretëronte qetësi absolute.

Kurse fazën e vrapimit e fillonin nga bregu i Sumbullarit në Sekiraçë.që ndan këtë fshat me Sfeqlën dhe e përfundonin në malet e Shatorrit, që shtrihen sipër Gllamnikut të Podujevës.

Këta dy të rinj vëmendje i kushtonin edhe anës teorike të këtij sporti. Ata lexonin literaturë të ndryshme mbi këtë sport dhe ndiqnin ligjëratat e doajenëve të karatesë si; Isak Latifi, Jusuf Topalli, Ekrem Taraku, Ali Latifi, Shemsedin Kelmendi, Nagip Murati, Nazmi Ibërdemaj, Fahri Mahalla, Adnan Merovci, Besim Hasani etj.

Me mëvetësinë e KK ”Kosova-trans” të Podujevës dhe nën drejtimin e trajnerit të talentuar Xhevat Makolli njëherit edhe garues standard i ekipit llapjan, nga kategoria e lehtë e deri tek ajo e rëndë, do të debutojnë edhe të rinjtë : Bahri A.Ejupi, Ismet Hasani, Haki Rexhepi, Lulzim Beqiri, Nexhip Muharrem Hoxha dhe Osman Ejupi-Zijaça.

Shumë shpejt trajneri Makolli, dhe ndihmësi i tij, Ymer Rama në KK ”Kosova-trasns” të Podujevës, do t’i sjellin edhe kolegët e tyre, Nezir Rama dhe Zeqir Bilalli, garues të dalluar të skuadrës KK ”Kosova” të Prishtinës.

Llapjanët përveç debutimit të suksesshëm në Ligën e Parë të Karatesë së Kosovës, me lojën e tyre të shkëlqyeshme do të jenë të pozicionuar në mesin e artë të tabelës së klasifikimit.

Meqenëse brenda klubit mbretëronte kolegjialiteti dhe respekti për njëri-tjetrin në mungesë të trajnerëve Xhevat Makolli dhe Ymer Rama, ushtrimet shumëherë i kanë udhëhequr nxënësit e tyre, Osman Ejupi-Zijaça dhe Bahri Ali Ejupi.

Nga dëshira që këta të rinj të kenë ambient të pastër dhe kushte adekuate për punë salla e ushtrimeve në shkollën 8-vjeçare “Naim Frashëri” të Podujevës, mbahej sikur të ishte barnatore nga Osman Maçastena, dashamirës i flaktë i Arsimit në gjuhën shqipe.

Gjatë kësaj periudhe Kosova kishte klube serioze dhe profesionistë të vërtetë të karatesë. Vetëm brenda Prishtinës garat në Ligën elitare të Kosovës i zhvillonin klubet si: KK ”Universiteti” i formuar në vitin 1970, pastaj KK ”Prishtina” KK ”Kosova” KK ”Rinia” dhe KK ”Batllava”.

Po ashtu me punën e tyre të suksesshme shquheshin edhe skuadrat tjera të karatesë si. KK” Mitrovica” KK” Gjimnazisti” dhe KK “Trepça”. Këto tri skuadra mitrovicase veprimtarinë e tyre e patën filluar në vitet 70-të.

Kurse, qyteti i Pejës me ekipin KK ”Partizani” të themeluar në vitin 1971 nga mjeshtri i njohur i karatesë Shemsedin Kelmendi, do t’i ketë në gjirin e tij, dhjetëra djem e vajza, që këtë sport e bëjnë tërheqës dhe atraktiv edhe për shumë të rinj të tjerë të Rrafshit të Dukagjinit.

Diku pas 6-7 vjetëve Peja, do ta ketë edhe klubin e dytë të karatesë ”22 Dhjetori”

Më 1978 në ekipin KK ”Zenel Hajdini” të Gjilanit do të përfshihen shumë të rinj të Anamoravës.

Falë përpjekjeve të vazhdueshme dhe punës serioze të vëllezërve; Fahri, Gani dhe Halil, Mahalla edhe qyteti i Ferizajt me KK ”Borci” do të bëjë prezantim të denjë në Ligën e Parë të Karatesë së Kosovës.

Rrugën e Fahriut e trasoi edhe i biri tij, Fehmi Mahalla. Ai në petkun e Dardanisë së Lozanës, arriti rezultate të jashtëzakonshme, duke fituar titullin Kampion i Evropës, në kategoritë WKF dhe EKF.

Në vitet 70-të dhe 80-të, KK ”Borci” i Ferizajt, skuadër me talent të shumtë do ta bëjë Kampionatin e Kosovës, dukshëm më cilësor dhe më joshës edhe për mijëra e mijëra dashamirë të tjerë të këtij sporti.

Në një konkurrencë me shumë ekipe dhe individë të dalluar sukses pas suksesi do të shënojë edhe KK ”Kosova-trans” i Podujevës. Në ekipin llapjan do të angazhohen edhe talent të rrallë si : Enver Qazim Cakiqi, Gazmend Havolli, Samed Arifi, Nysret Beqiri, Shefki Zeka etj.

Kjo skuadër në vitet 1984-1985 falë magjisë së Enver Qazim Cakiqi, do të shënojë rezultate kulminante. Cakiqi në një konkurrencë mjaft të fortë shpallet Kampion i Kosovës në karate.

Ai këtë sukses do ta përsërisë edhe në vitin 1987 dhe 1988, duke u shpallur dy herë nënkampion. Enveri së bashku me Zeqir Sopin, Lutfi Menxhiqin, Muhamet Rexhepin, stolisen me medalje të arta edhe në Kampionatin e ish-Jugosllavisë, të mbajtur në Prishtinë.

Cakiqi në garat individuale të mbajtura në Umag të Kroacisë, po ashtu tri herë radhas është shpërblyer me titullin e më të mirit.

Ai edhe në vitet në vazhdim në këtë sport do t’i arrijë majat e suksesit, duke qenë Kampion evropian dhe Nënkampion botëror në kategorinë e tij. Shkëlqimin në këtë disiplinë sportive e përsërit edhe në Gjermani, si shtetas i saj, duke realizuar titujt më të lartë.

Këto arritje të larta të Cakiqit, në këtë sport luftarak do të vlerësohen edhe nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë. Z. Ilir Meta, në vitin 2021, gjatë mandatit të tij presidencial z. Enver Cakiqi, e dekoron me çmimin “Mjeshtër i Madh”

Bahriun ky sukses i kolegut të tij e gëzoi tejmase. Ai edhe në të kaluarën arritjet e shokëve dhe të miqve të tij, i konsideronte si suksese të Kosovës dhe popullit të saj.

Bahri A. Ejupi, mjeshtër i karatesë shkalla 4-Dan, dhe gjyqtar ndërkombëtar (WSKF) asnjëherë nuk preferon të flasë për veten, por i ngelet besnik parimit. “Për secilin le të flasë puna e tij”. “Atë duhet vlerësuar të tjerët”. Në vitin1989, kur Osman Ejupi-Zijaça dhe Isak Curri e hapin Klubin e karatesë “Besa” të Lluzhanit, përkrah tyre me tërë qenien do të jetë edhe Bahri A. Ejupi.

Pas migrimit të Osmanit në Suedi dhe Bahriut në Gjermani, kur të gjithë menduan se Klubi do ta marrë tatëpjetën Z. Curri e përtëriu skuadrën me disa të rinj e të reja që shkëlqyen si në garat individuale ashtu edhe në ato ekipore.

Ndërkaq, Bahriu i lidhur ngushtë me Kosovën,më1 korrik të vitit 1998, do t’i lukset e Perëndimit dhe do t’i përgjigjet thirrjes së Atdheut, i cili pamëshirshëm sulmohej me arsenalin e armëve më të rënda nga forcat pushtuese të Serbisë.

UBT

Pas çlirimit të Kosovës, i mishëruar me sportin e karatesë Bahriu në fund javën e 21 e 23 janarit të vitit 2000, në fshatin e tij të lindjes do ta themelojë klubin “Albpetrol” të mbështetur financiarisht nga vëllezërit Rushdi,Isa dhe Idriz Ejupi, sipërmarrës të suksesshëm në Llap e më gjerë.

Fatmirësisht, investimin e tyre trajneri Bahri A. Ejupi, s’do ta çojë huq. Djem e vajza të mobilizuar në ekipin “Albpetrol” do të na bëjnë krenar të gjithëve. Me punë cilësore dhe disiplinë të lartë qysh në start do të shënojnë suksese të lakmueshme.

Në turnirin e organizuar të karatesë në Han të Elezit, garuesit e KK. ”Albpetrol” të Sekiraçës, të prirë nga trajneri i tyre Bahri A.Ejupi, edhe pse fillestar do të stolisen me medalje dhe mirënjohje të shumta.

Djem e vajza të Klubit “Albpetrol të Sekiraçës, me trajnerin e tyre të vyeshëm Bahri A.Ejupi, e ardhshmja e karatesë së Kosovës.

Falë angazhimit dhe punës së pandërprerë të trajnerit Bahri A. Ejupi, KK. ”Albpetrol” shumë shpejt reprezentacionit të Kosovës, do t’i ofroj një talent të përkryer në kategorinë e luftimit të drejtpërdrejtë të quajtur në fjalorin e karatesë kumite.

Ky do të jetë Mirsim Ruzhdi Ejupi,nxënës shembullor i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik të Podujevës.

Mirsimi përveç rezultateve brenda vendit dhe rajonit do të triumfoj më 2003, edhe në Kampionatin ndërkombëtar të karatesë në Nikozi të Qipros, i njohur edhe si Kampionati i Mesdheut. Ai shkathtësitë e tij në këtë sport marcial do t’i manifestojë me metodat e sulmit dhe të mbrojtjes të njohura si kata.

Përgatitja e duhur fizike, përqendrimi dhe qasja e njëmendtë në këto gara Mirsimit, i sjellin triumfin. Ai si 14 -vjeç do shpallet Nënkampion i Evropës dhe fitues i Medaljes së Argjendtë.

Kjo fitore e jashtëzakonshme Mirsimin do ta motivojë edhe për fitore të tjera. Ai sukses të ngjashëm do të shënojë edhe në Kiev të Ukrainës.

Forma e shkëlqyer dhe besimi në vetvete bëjnë që ai, përsëri të jetë pjesë e reprezentacionit të Kosovës në Tokio të Japonisë.

Me gjithë konkurrencën e madhe Mirsim R. Ejupi, plasohet në vendin e katërt, rezultat ky që e ëndërrojnë shumë të rinj të botës.

Rezultatet e shënuara në një periudhë rekorde të riut Mirsim R. Ejupi, më 23 dhjetor të vitit 2003 i sjellin edhe titullin “Sportisti më i Mirë i Vitit ” në Komunën e Podujevës.

Gjatë këtij viti në mesin e dhjetë sportistëve më të mirë të komunës së Podujevës, u shpall edhe Shkurte Nezir Ejupi, anëtare e KK ”Albpetrol” të Sekiraçës.

Karateistët e këtij ekipi patën korrur rezultate të larta edhe turnirin ndërkombëtar të organizuar në Gjilan të Kosovës.

Me paraqitjet e tyre të shkëlqyera të gjithë të pranishmit i patën impresionuar motrat Fatlume dhe Fatbardha Isa Ejupi. Nën hijen e tyre nuk patën mbetur edhe të rejat si: Ariana Selim Ejupi, Shkurte Ruzhdi Ejupi, Edona Agim Ejupi, dhe Blerta Nezir Ejupi. Ndërsa tek meshkujt rezultate të kënaqshme pati shënuar Dardan Idriz Ejupi.

Me të dëgjuar për suksesin e këtyre të rinjve z. Enverhoxha Veliu, i dëshmuar ndër vite si humanist i madh do ta ndihmojë këtë skuadër të porsaformuar me rekuizita dhe pajisje të tjera të domosdoshme. Ngjashëm do të veprojë edhe njësiti paqeruajtës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës “World Vision” që asokohe vepronte në komunën e Podujevës.

Pa hyrë në kërkim të shkaqeve nga Z. Bahri A. Ejupi, mësojmë që KK”Albpetrol”pushon së vepruari në vitin 2005.

Bahriu duke e parë të pamundur jetën jashtë këtij sporti për asnjë çast nuk e pushon aktivitetin. Me propozimin e z. Esad R. Ejupi, njohës i historisë së sporteve në Republikën e Kosovës, klubi tani e tutje do ta marrë emrin “Rina”

Edhe pse në kushte minimale të punës Bahriu, si përherë modest dhe ambicioz përveç ruajtjes së bërthamës së ekipit në klubin “Rinia” do të angazhojë shumë të rinj dhe të reja, me prirje në karate.

Interesimi i jashtëzakonshëm i të rinjve për këtë sport dhe metodat e përsosura të punës së trajnerit Bahri A. Ejupi, do të bëjnë që klubi ta ketë një kontingjent prej mbi 100 (njëqind) karateistëve.

Përkundër kushteve të paimagjinueshme për punë vullneti dhe dëshira për ta avancuar këtë sport do të ngadhënjejnë mbi çdo vështirësi. Bahriu në marrëveshje me Drejtorin e Shkollës 9-vjeçare “Kongresi i Manastirit “në Gllamnik të Podujevës z. Ismail Fetah Abdullahu, me ushtrimet do të fillojë në një nga klasat e paraleles së ndarë të kësaj shkolle në lagjen Sekiracë.

Kurse garat kampionale si nikoqire KK”Rinia” do t’i zhvillojë në sallën e Shkollës Fillore “Shaban Shala të qytetit të Podujevës.

Karateistët e kësaj skuadre si në nivel vendi, ashtu edhe në garat rajonale dhe evropiane do të stolisen me medaljeje dhe mirënjohje të shumta.

Ky aktivitet i përcjell me suksese të njëpasnjëshme u realizua në saje të kontributeve të prindërve dhe vetëmohimit të pashoq të këtyre kadetëve. Transportin e garueseve nëpër qytete të ndryshme të Kosovës,të shumtën e kohës me Minibusin e tij, privat e bëri falas z. Nezir Mehmet Ejupi, tashmë i ndjerë.

MIRANDA BAHRI EJUPI, 16-HERË RRESHT KAMPIONE E KOSOVËS NË KATEGORINË E GRUPMOSHAVE TË SAJ DHE FITUESE E MBI 100 MEDALJEVE TË ARTA DHE TË ARGJENDËTA

Mirada që shumëçka ka trashëguar nga i ati Bahriu,e mbikëqyrur nga ai vite me radhë bindshëm ishte më e mira në kategorinë e grupmoshave të saj, si brenda vendit ashtu edhe në garat ndërkombëtare.

Miranda B. Ejupi, anëtare KK” Rinia” të Sekiraçës së Podujevës, si fituese e 51 medaljeve të arta,19 të argjendta dhe 31 të bronzta në vitin 2013, e pati përfaqësuar Republikën e Kosovës në Kampionatin Botëror të Karatesë “WORLD LEVEL” të mbajtur në Stamboll të Turqisë.

Ajo duke vazhduar me dinamizëm të njëjtë të punës edhe në këtë ngjarje të madhe sportive arrin rezultat të shkëlqyer. Miranda në këto gara që tubojnë ajkën e karateistëve më të mirë të botës, pati zënë vendin e tretë.

Sukseset e disa të rinjve të Klubeve Albpetrol dhe Rinia i përmendëm si një argument që do të flasë për punën dhe përkushtimin e pashoq të trajnerit shembullor Bahri A.Ejupi.

Bahriu gjatë karrierës së tij është shquar edhe si garues e gjyqtar . Ai nëpërmjet këtij sporti atraktiv ka krijuar miqësi të shumta si brenda vendi ashtu edhe jashtë tij.

Gjatë qëndrimit në Mainz të Gjermanisë, këtë sport e ka praktikuar në përputhje të plotë me rregullat, pa e keqpërdoruar asnjëherë, për çfarë ka marrë mirënjohje dhe lëvdata të shumta.

Duke studiuar kartotekën e veprimtarisë së tij, si gjyqtar në nivel vendi dhe në atë ndërkombëtar vërejmë se Bahriu, ka ndarë në dhjetëra turnirë dhe kampionate të karatesë drejtësinë me mjaft korrektësi.

Falë paanshmërisë dhe e referimit hëpërhë me normat ai ka qenë i ftuar në cilësinë e gjyqtarit në Kampionate të ndryshme të karatesë të organizuara në vendet Ballkanike, Evropiane dhe Aziatike.

Bahriu në prill të vitit 2005, ishte në formacionin e referëve më mirë të Republikës së Kosovës, në Stamboll të Turqisë, ku dy ditë radhas u mbajtën garat e Kampionatit botëror të karatesë.

Së duhet harruar se Bahriu, edhe më 2004, pati marrë ftesë për referim nga Tokio e Japonisë, djep i karatesë.

Me gjithë dëshirën e flaktë ai ,nuk mundi t’i përgjigjej kësaj ftese në mungesë të mjeteve materiale. Bahriu jashtë kësaj ngjarje të rëndësishme mbeti nga indiferenca e institucioneve tona lokale dhe qendrore. Bashkëpërgjegjës janë edhe disa afaristë të njohur të komunës së Podujevës,që në rastin konkret nuk u treguan aspak solidarë me Bahriun.

Pavarësisht, kësaj amullie Bahriu u ngeli besnik të rinjve të krahinës së Llapit,me të cilët edhe në vitet në vijim punoi me ritëm të njëjtë si trajner dhe gjyqtar i karatesë.

Ai si ngushëllim të vetëm për punën vullnetare në dekada i pati medaljet, mirënjohjet dhe diplomat e shumta të fituara në garat e vendit dhe ato ndërkombëtare.

Po ashtu me rastin e shpalljes së sportistit, trajnerit dhe arbitrit më të mirë të vitit në Komunën e Podujevës, z. Bahri A. Ejupi, disaherë është vlerësuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, e kësaj komune si gjyqtari më i mirë i karatesë.

Kjo veprimtari e zhvilluar në baza vullnetare me kaq dashuri dhe entuziazëm përgjatë dyzet vjetëve me radhë s’mund të quhet ndryshe vetëm jetë e vënë në shërbim të zhvillimit të sportit dhe edukimit të brezave.

ARIF EJUPI