RCCOLA

Babai i 18-vjeçares: Aishja s’kishte të dashur

/ 6 minuta lexim

Pjesëtarët e familjes Vata janë të shokuar nga vrasja makabre e Aishes 18-vjeçare, e cila të enjten u gjet e masakruar në Durrës. Muhamet Vata, babai i viktimës, dhe pjesëtarët e tjerë të familjes nuk gjejnë fjalë të thonë për atë që ndodhi. U ngjan si një ëndërr e keqe, ajo ara me misër, dhe… trupi pa kokë i Aishes. Që të gjithë ngulmojnë se Aishja nuk kishte ndonjë lidhje dashurie, që të jetë vrarë për pasion.

Menjëherë pas gjetjes së trupit të pajetë, të gjithë pjesëtarët e familjes Vata kanë përfunduar në polici. Për më shumë se 10 orë ata kanë dëshmuar rreth ngjarjes së rëndë që ka tronditur jo vetëm banorët e fshatit Xhafzotaj në Durrës, por gjithë opinionin publik. Në raportin e policisë së Durrësit, rezulton se pjesëtarët e familjes Vata kanë dhënë të njëjtin version për natën e vrasjes makabre.

“Gazeta Shqiptare” ka papublikuar dëshminë e plotë të Muhamet Vatës, dhënë grupit hetimor.

Kur e konstatuat zhdukjen e vajzës suaj nga banesa?
Mbrëmë (të mërkurën) ne ramë të flinim herët. Ishte ora 21:00. U thashë fëmijëve të flinin, pasi djali, i cili është në klasën e 5-të, do të shkonte në shkollë. Unë isha shumë i lodhur, kisha punuar gjithë ditën në servisin e makinave. Vajza, Aishja, kishte qenë gjithë ditën në shtëpi, ishte marrë me punë shtëpie, gatuante, lante, fshinte, punë të zakonshme për të. Fëmijët flinin në njërën prej dhomave të katit të parë, unë në kat të dytë, së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur që kam nga martesa e dytë. Në kat të tretë fle babai (gjyshi i fëmijëve) bashkë me familjen e vëllait. Nga ora 02:00 e mëngjesit u ngrita dhe shkova në banjë. Në banjë shkoj shpesh, sepse urinoj shpesh. Meraku si prind më bëri që të kthehen edhe tek dhoma e fëmijëve, ku Aishja flinte me vajzën tjetër (motrën që është më e vogël) dhe djalin (vëllain). Për çdo natë kur çohem që shkoj në banjë, kthehem dhe i mbuloj fëmijët, se kam merak se ftohen. Por kur hyra në dhomë pashë që Aishja nuk ishte në krevatin e saj.

Çfarë bëtë më pas?

U alarmova. U ngjita në kat të dytë dhe kontrollova nëpër dhoma, por nuk ishte. Shkova në kat të tretë, tek babai dhe të tjerët. Ata flinin, edhe aty nuk ishte. Ndërkohë u zgjua e gjithë familja, u alarmuam. Kontrolluam në çdo cep të shtëpisë, në oborr, thirrëm, por asnjë përgjigje. Pashë mirë sërish në katin e parë të shtëpisë së bashku me fëmijët dhe familjarët e tjerë dhe konstatuam se dritarja e njërës prej dhomave të katit të parë ishte e hapur. Aishja kishte dalë nga dritarja dhe jo nga dera. U nisa për tek komshinjtë, e thirra gjatë rrugës në emër vajzën, por nuk u përgjigj.

Fqinjët, i keni afër?

Fundamenti

Komshinjtë janë fare afër me ne, madje janë edhe kushërinj të mitë e ish-gruas që më ka vdekur. Shkova tek ata, por asnjë gjurmë e saj. I pyeta, por asnjëri prej tyre nuk e kishte parë Aishen. Të tronditur u futëm në shtëpi, dhe vonë jemi shtrirë sërish në shtrat. Nuk vumë gjumë në sy, pasi nuk kishte ndodhur që vajza të largohej nga banesa, për më tepër natën. Para se të binim, mora në celular disa prej të afërmve të mi, dhe i kam pyetur se mos e kanë parë Aishen, mos ka shkuar nga shtëpia e tyre. Kam marrë vajzën e dytë, e cila është e martuar, por edhe ajo nuk dinte asnjë gjë.

Kur u ngritët në mëngjes, i vazhduat kërkimet për Aishen?

Në mëngjes u ngrita herët, diku nga ora 06:00. Kontrollova për ndonjë gjurmë të saj, përreth shtëpisë, oborrit, tek servisi, por asnjë gjë. Vetëm pak minuta më pas vura re një makinë policie që po lëvizte pranë shtëpisë në krahun lindor, dhe i jam vënë pas. Duke ecur përbri arave, përbri arave, pashë një grup të madh policësh civilë që kontrollonin në arën e mbjellë me misër të një fshatarit tonë. Aty mësova që vajza ishte vrarë, dhe ishte pa kokë.

Çfarë raportesh kishit me vajzën tuaj dhe a dinit gjë nëse ajo kishte ndonjë problem?

Aishja ishte vajzë e urtë, dhe gjithmonë ka qenë nën vëzhgimin tim. Për 4 vjet në shkollën e mesme të Medresesë në Durrës e kam përcjellë unë vetë tek rruga nacionale, derisa hipte në autobus. Ka qenë një autobus i posaçëm që i mblidhte të gjitha vajzat, dhe në këtë pikë isha i sigurt në atë shkollë. Edhe kur kthehej autobusi dilja vetë dhe e prisja në rrugën nacionale, sepse e dija orarin kur kthehej dhe e sillja në shtëpi.

Kishte ndonjë lidhje dashurie Aishja?

Nuk e besoj se ajo kishte lidhje me ndonjë djalë. E përsëris, unë isha shumë i rreptë dhe ajo ishte gjithnjë nën vëzhgimin tim. Aishja rrinte në shtëpi dhe merrej me punë shtëpie. Kujdesej për motrat dhe vëllezërit më të vegjël. Pak ditë më parë është regjistruar në Fakultetin e Infermierisë. Priste me padurim të niste vitin e parë. E kishte me shumë gëzim. Unë nuk e ndalova, kisha besim të plotë tek Aishja, sepse nuk më kishte zhgënjyer për asnjë gjë. S’e besoj se kishte lidhje dashurie, pasi ime bijë ishte natyrë fjalë pak dhe punë shumë në shtëpi.