ARKATANA

Baba i krizës së autoritetit

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Shkelzen Maliqi – Ngutja e Enver Hasanit që të ofrojë një mendim personal, madje edhe nëse ajo çka ka thënë është interpretim i saktë i qëndrimit të shumicës në Gjykatë, kontribuon në humbjen e kredibilitetit të tij personal, por edhe të Gjykatës.

Interpretimet kundërthënëse të pikës 127 të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, kanë krijuar një situatë ku edhe ky arbitrazh që do të duhej të ishte verdikti suprem, është politizuar dhe tani po kontribuon në vazhdimin e ngërçit që e ka bllokuar vendimmarrjen tash e katër muaj.

Përpjekja e sqarimit nga ana e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese se edhe me pikën 127 rezulton se vetëm PDK-ja, si fituese e zgjedhjeve, e ka të drejtën për të udhëhequr me Kuvendin, nuk ka kontribuuar aspak që të evitohet ngërçi. Kryetari përfaqëson vetëm njërin nga nëntë zërat që e kanë marrë vendimin për çështjen e kontestuar, i cili është gjithsesi relevant, por nuk e ka peshën e aktit që definitivisht i vë pikë çështjes dhe çon në vendimmarrje të parapërcaktuar. Enver Hasani është dashur ta cekë se kjo që ka deklaruar është mendimi i tij personal për pikën 127 dhe jo një interpretim sqarues i vetë Gjykatës Kushtetuese.

Pra, nëse vërtet pika 127 si dhe krejt verdikti i Gjykatëse paska kuptimin se vetëm PDK-së duhet t’i takojë posti i kryeparlamentarit, ky qëndrim do të duhej të kishte edhe mbështetjen e shumicës së kolegëve të Hasanit në Gjykatën që ai e udhëheq. Vetëm kështu interpretimi i tij do të mund të pranohej si një amin dhe njëkohësisht portë e parë që po hapet për një marrëveshje të pamëdyshtë politike, e që pastaj do të çonte edhe në hapjen e porteve të tjera të ngërçit dhe daljen nga kriza e vendimmarrjes.

Ngutja e Enver Hasanit që të ofrojë një mendim personal, madje edhe nëse ajo çka ka thënë është interpretim i saktë i qëndrimit të shumicës në Gjykatë, kontribuon në humbjen e kredibilitetit të tij personal, por edhe të Gjykatës. Në opinion dhe nga kundërshtarët, Hasani është apsotrofuar si gjykatës i anshëm, që në të vërtetë në rolin e një “babai” tradicional, vetë i imponon dhe bie vendimet e Gjykatës. Dhe tani që ka marrë përsipër, pa e cekur se ky është vetëm mendimi i tij personal, këtë sqarim të pikës 127, ai vetëm ua jep një argument shtesë atyre që e kanë kritikuar në rolin e “babës”.

Mobi Casa

Nëse Hasani i ka dhënë vetës të drejtën e interpretimit dhe sqarimit të pikës 127 të vendimit të Gjykatës, ai ka mundur edhe të thërras mbledhjen e re të Gjykatës për të cilën thotë se e ka kuorumin për vendimmarrje, që për hir të tejkalimit të ngërçit politik, të pohojnë atë që ka pohuar ai vetë, ose edhe ndonjë qëndrim tjetër që mes 8 anëtarëve të kolegjit të gjykatësve kushtetues, është mendim i shumicës.

Ky procedim i sqarimit përmes Gjykatës Kushtetuese të një vendimi të saj do të ishte legjitim dhe tejet i dobishëm për procesin. Sepse deri në këtë pikë legalisht nuk ka asgjë kontestuese në të gjitha ecuritë e procesit, as te dy ankesat e PDK-së, e as të vendimet e Gjykatës mbi këto ankesat. Në të vërtetë, burimi i krejt kësaj krize edhe është në zbrazëtirat që i ka Kushtetuta dhe legjislatura e Kosovës në përcaktimin më të detajizuar dhe të argumentuar se si duhet të veprojnë akterët kyç në situatat e komplikuara kur ndarja e votës është e tillë që nuk lejon marrëveshje politike të lehta për konstituimin dhe ndarjen e pushtetit. Këto zbrazëtira edhe është dashur të interpretohen për të ardhur deri këtu ku jemi sot. Por, çështja është se edhe në vetë vendimin Gjykatës për pikën 127, ka mbetur një zbrazëtirë ose përshkrim i pamjaftueshëm, të cilët duhet të interpretohen në mënyrë që të eliminohen mëdyshjet.

Kanë qenë edhe disa raste tjera kur Gjykata Kushtetuese ka luajtur rolin e arbitrit sovran për zhvillimet tejet të ndieshme nëvend, p.sh. kur janë shkarkuar presidentët Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli, si dhe kur është konfirmuar mandati i kontestuar pesëvjeçar i Presidentes Atifete Jahjaga, dhe këto vendime spektakolare si duket ia kanë rritur mendjen kryegjykatësit Enver Hasani se ai është vërtet sovran dhe babë i Kosovës.

Rrënimi i mëtejmë i autoritetit të Gjykatës Kushtetuese të cilës po i kontribuon edhe kryetari i saj do të thellonte krizën në vendimmarrjet politike. Megjithatë, shpresoj se politikanët do të gjejnë gjuhën e kompromisit për të krijuar më në fund institucionet e reja ku edhe ashtu nuk do të ketë as fitues absolut, e as humbës absolut.