Azilanti nga Kosova bëhet hero në Francë, shpëton 6 persona nga vdekja

Një azilant nga Kosova, Florim Shehu është kthyer në hero të banorëve të komunës së vogël të Changé-s, pasi shpëtoi dy familje nga përmbytjet që goditën rajonin e Mayenne-s në Francë gjatë vikendit. Florim Shehu, i cili jeton prej tre vitesh në Francë, rrëfeu për mediumin francez Ouest France ngjarjen e së dielës në fshatin Change.

“Stuhia filloi rreth orës 16:00 të dielën. Unë shkova për të lëvizur makinën time sepse uji po rritej shumë shpejt, por në fund të rrugës pashë një grua që ishte bllokuar në shtëpinë e saj”, nis rrëfimin Shehu.

Pasi e pa gruan e mbërthyer brenda shtëpisë, Florim Shehu braktisi veturën e tij Peugeot 205 – të cilën tentonte ta shpëtonte nga vërshimet – dhe shkoi për të shpëtuar fqinjtë e tij në lagje.

Kur arriti në derën e shtëpisë, Florimi e kuptoj se gruaja e bllokuar brenda shtëpisë nuk ishte vetëm.

“Burri i saj kishte shkuar në një dyqan dhe ajo ishte me dy fëmijët e saj, duke përfshirë një foshnje një muajshe”, tregon Florim Shehu.

Përkundër vërshimeve të mëdha, azilanti nga Kosova arriti t’i shpëtonte tre njerëzit që ishin bllokuar brenda shtëpisë së tyre dhe i kishte çuar ata në shtëpinë ku ai banonte.
Apartamenti ku ai jeton prej shtatorit të vitit të kaluar me gruan dhe dy fëmijët e tij, gjendet në katet e larta të një ndërtese në fshat dhe nuk ishte i prekur nga vërshimet.
Në këtë moment, Florimit i kërkoi ndihmë një mik i tij nga Parisi.

Ai i kërkon kosovarit që t’i ndihmonte familjes së tij që jetonte në fshatin Change “Ishte djali i fqinjëve të mi që më thirri nga Parisi.
Ai më kërkoi ta ndihmoja familjen e tij që ishte bllokuar në shtëpinë e tij”, u shpreh Florim Shehu.

Në kohën kur ai shpëtoi njerëzit e tjerë që ishin ngujuar në shtëpitë e tyre, vetura e Florimit ishte bartuar nga uji dhe kishte përfunduar në lum.
Mirëpo, aksioni i kosovarit nuk u ndal me kaq.
Ai shpëtoi edhe tre fqinj të tij ukrainas të ngujuar në katin e parë të ndërtesës ku ai banon.

Për shkak të nivelit të lartë të ujit, Florimi nuk mund ta hapte derën e apartamentit, kështu që ai u fut nga dritaret, prej nga edhe i nxori tre vetë që ishin ngujuar në këtë banesë.

Për vetëm një orë, raporton Ouest France, Florimi shpëtoi gjashtë vetë nga vërshimet. “Është heroi ynë!”,deklaroi fqinja e tij, Dominique Roger, shtëpia e së cilës ka pësuar gjithashtu shumë dëme materiale.

Teksa jeton në Francë prej tri vitesh, Florim Shehu ka aplikuar për azil në prefekturën e Mayenne-s. Ende nuk ka marrë përgjigje nga zyrtarët e shtetit francez, mirëpo pas këtij akti heroik, komuna është e gatshme t’i ndihmojë atij.
Kryebashkiaku i komunës së vogël të Change-s, Denis Mouchel ka thënë se do të përpiqet ta gjejë një zgjidhje për t’i ndihmuar Shehut.

“Ai preferoi t’i shpëtonte fqinjët e tij në vend të veturës së tij. Ne do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për të”, ka premtuar kryebashkiaku Denis Mouchel.
Mediet franceze e kanë krahasuar kosovarin Florim Shehu me azilantin afrikan nga Mali, Mammadou Gassama, i cili dy javë më parë shpëtoi një fëmijë 4-vjeçar nga rënie prej një ballkoni të një ndërtese në Paris

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).