Avokatët të zhgënjyer me punën e EULEX-it, roli i tij teknik dhe i panevojshëm

Roli e EULEX-it po e cilësojnë si të panevojshëm dhe teknik avokatët në vend. Avokati Tomë Gashi në një prononcim për Ekonomia Online tha se EULEX-i nuk ka bërë punë të mira për Kosovën, duke pasur parasysh misionin e tij në sundimin e ligjit.

Sipas tij, edhe UNMIK-u, por edhe EULEX-i kanë vepruar ngjashëm duke u shoqëruar puna e tyre me afera e keqpërdorime nga më të ndryshmet.“Mendoj që EULEX-i nuk ka bërë edhe punë aq të mira në Kosovë edhe pse ka qenë misioni më i madh i Bashkimit Evropian i cili është ftuar faktikisht pas shpalljes së pavarësisë që ta ndihmojë imponimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Nëse i krahasojmë UNMIK-un dhe EULEX-in janë si dy vëllezër binjakë, pasi punë të ngjashme që ata i kanë bërë Kosovës nuk i kanë ndihmuar edhe aq shumë. Jo vetëm që kanë dalë afera të shumta nga misioni i EULEX-it, por ne që kemi pasur raste të mbrojtjes EULEX-i ka hyrë shumë në gjynah me neve shqiptarët”.

Gashi thotë se EULEX-i nuk ka qenë aq produktiv siç është pritur, dhe se misioni me evropianët do të duhej të ishte sa më produktiv dhe i suksesshëm, e sidomos në hetimin e krimeve të luftës.“EULEX-i nuk ka qenë aq produktiv si e kemi pritur, ne nuk mund të themi që ata kanë harxhuar para të veta nga taksapaguesit e BE-së por besoj që në Kosovë është dashur të kemi me evropianët një mision më të suksesshëm se që paraprakisht e kemi pasur UNMIK-un”.“Është e dhimbshme si hetimi i krimeve të luftës që Serbia i ka kryer në vendin tonë, por edhe pjesa tjetër e cila nuk mund të kuptohet se si është lejuar, ku një nga prokurorët më të zellshëm kundër pjesëtarëve të UÇK-së Salustro, pas përfundimit të mandatit të tij është emëruar si këshilltar ligjor i prokurorit të Serbisë për krime të luftës”, theksoi tutje ai.

Ai përmend poashtu edhe reagimin e ish-kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, për keqpërdorime në këtë mision duke e cilësuar si reagim të vonuar dhe jo të qartë.“Ne kemi pasur shumë vite më vonë edhe reagimin e kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it Malcolm Simmons dhe para se ti thotë të gjitha ai, ne veçse i kemi thënë të gjitha mirëpo pak ka pasur ndihmesë në këtë çështje. Reagimi i tij është paksa i vonuar, ai përmend çështje të cilat kanë ndodhur në vitin 2014 dhe tutje e ne nuk e kemi të qartë se pse ky reagim është kaq i vonshëm, thuajse shtatë vjet me vonë, andaj ne kemi kërkuar një pjesë të dëshmive të tij”, theksoi tutje ai.

Edhe avokati Mahmut Halimi e konsideron rolin e EULEX-it si një zhgënjim të madh dhe pa ndonjë përparim, ku pritshmëria për një mision të drejtë kanë qenë shumë të mëdha sipas tij.“Kam qenë në cilësinë e avokatit në shumë raste të cilat janë zhvilluar asokohe, kemi pritur me entuziazëm shumë të madh punën e EULEX-it, dhe që më në fund po vjen Evropa në Kosovë dhe do të ketë një zhvillim dhe përparim të shpejtë në sistemin gjyqësor e prokurorial, mirëpo me kalimin e kohës shumë shpejtë ato pritje kanë qenë zhgënjyese. Ka pasur gjyqtarë e prokurorë të shkëlqyer, por që pjesa më e madhe kanë qenë nën diktatin e politikës të Be-së dhe të shteteve të cilat i kanë dërguar pjesëtarët e vet në mision të cilat kanë devijuar nga parimi i përgjithshëm i drejtësisë”.

Tutje ai thotë se tashmë roli i tij mund të konsiderohet vetëm teknik pa ndonjë ndikim zhvillimor dhe të nevojshëm, raporton EO.“Roli i EULEX-it në kohën kur ka pasur më shumë kompetenca ekzekutive ka pasur ndikim, mirëpo tash ata luajnë një rol teknik, kam pasur kontakte me personel të saj dhe që ende janë të instaluar në Kosovë, dhe që qëndrojnë vetëm sa për të justifikuar mjetet që janë duke i gëzuar nga BE, por për të ndikuar në aspektet zhvillimore nuk mund të konsideroj që roli i këtij misioni është i nevojshëm”, theksoi tutje ai.

“E di zjarrin që po ndezët në vendin tonë, sepse kam punuar gjithmonë në këtë drejtim, dhe nuk shoh ndonjë efekt dhe sot po luajnë thjesht formal sa për të qenë vetëm këtu, ani pse kam kërkuar intervenimin dhe ndihmën e tyre në shumë raste, por që nuk kam parë asnjë efekt”, përfundoi Halimi.Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani me 15 qershor, nëpërmjet një letre drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell Fontelles, e ka njoftuar atë për vazhdimin e mandatit të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX-it edhe për një vit.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS