Fundamenti

Avio-haraçi

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Enis Veliu – Pronari i Agjencisë, tashmë mashtruese “Alba Air”, Shefki Rramanaj, para se të arrestohej nga Policia e Kosovës për mashtrim u pa në Prishtinë, teksa po mundohej të bindë opinionin se agjencia e tij është shumë serioze në punën që bën.

Madje ai siguroi dhe garantoi se gjatë sezonit të verës, ai në Kosovë do të sjellë më shumë se 5000 bashkatdhetarë, të cilëve paratë ua ka marrë në fillim të vitit. Mirëpo, vetëm tre ditë më vonë prej kur e dha këtë premtim gjendja thuajse ndryshoi krejtësisht.

Njësia e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës filloi të hetojë kompaninë e tij për mashtrim, e ky (Rramanaj) nuk e zgjati shumë, ai menjëherë mbylli edhe lokalin që pati në qendër të Prishtinës. Nuk kaloi shumë kohë kur për këtë qëllim në pranga të Policisë ra edhe Rina Dedaj, punonjëse e kompanisë “Dardania Travel GMBH”, nën dyshimin se përmes ofertave të lira për shitjen e biletave të fluturimit, i ka mashtruar qindra qytetarë, ndërsa vlera e mashtrimeve dyshohet të jetë mbi 500 mijë euro. Teksa Dedaj si punonjëse e kompanisë është arrestuar, shefat e kompanisë, ku ka punuar ajo, gjenden të lirë, ngase të njëjtit jetojnë në Gjermani dhe në Zvicër.

Dedaj dyshohet se duke qenë punonjëse në Prishtinë ka dëmtuar përmes thirrjeve me SMS (Call Center) qytetarët që jetojnë në Zvicër dhe Gjermani, të cilët janë joshur për oferta të lira për fluturim në Kosovë dhe anasjelltas.

Mijëra bashkatdhetarë që kryesisht jetojnë në Gjermani e Zvicër të joshur nga çmimi i lirë, kishin blerë biletën në kompaninë e Rramanajt. Por, në momentin e fundit ata (bashkatdhetarët) përmes mesazheve telefonike u njoftuan se fluturimet për në Kosovë kanë dështuar.

Interesante paksa kjo. Një gjë e tillë nuk ndodhi vetëm sivjet. Ka ndodhur vjet. Ka ndodhur parvjet. Ka ndodhur edhe katër vjet më parë. Si për çudi të gjithë e ditën, por askush nuk e çau kokën për t’i ndalur mashtruesit dhe për t’i shpëtuar qytetarët.

Bashkatdhetarët tanë humbën kohë, humbën para, madje disa nga ta humbën edhe vendet e tyre të punës, pasi që nuk patën mundësi të kthehen me kohë nëpër vendet e tyre të punës, në shtetet ku ata jetojnë.

Mosndërhyrja e shtetit te rasti i fundit të Agjencisë “Alba Air”, së paku për ta marrë në pyetje rreth skandaleve që kanë ndodhur kohëve të fundit, krijoi edhe një standard të ri në shtetin tonë. Shteti (ata që e udhëheqin atë) legjitimoi plaçkitjen e qytetarëve të saj. Kështu kishin lejuar edhe në të kaluarën. Reagimi institucional kishte ardhur vetëm pasi kompanitë mashtruese kishin shpallur falimentimin.

Me mosndërhyrje me kohë në rastin e “Alba Air”, shteti legjitimoi skemat piramidale edhe në vendin tonë.

Këtë gjë sivjet e bëri kompania e biznesmenit Rramanaj. Vjet e parvjet e bëri ajo e biznesmenit Ilir Xhelo, ku kompania e këtij të fundit “Belle Air” për dy vjet para sa të falimentojë e shkatërroi konkurrencën edhe në Shqipëri prej vendit nga vjen ky biznesmen.

Falë fuqisë së pushtetit, Xhelo arriti me sukses ta falimentojë aviokompaninë “Albanian Airlines”. Kompania e tij, për dy vjet radhazi dëmtoi rëndë edhe agjencitë e ndershme në vendin tonë.

E fundi i kompanisë (falimentimi saj) ishte i hidhur për më shumë se 45 mijë qytetarë të Kosovës që i paguan biletat te kjo aviokompani dhe asnjëherë nuk arritën të fluturojnë për në destinacionet e paguara. Së paku deri më tash asnjëri nga ta nuk arriti të marrë paratë nga kompania në fjalë.

Uji Dea

Ardhja e turqve në Aeroport së pari ka goditur aviokompanitë me renome ndërkombëtare, siç është “British Airways”.

Në vend të kësaj në Aeroport erdhi kompania plaçkitëse pronë e biznesmenit Xhelo. Erdhën edhe shumë kompani tjera sepse iu krijua mundësia.

Ata (pronarët e kompanive) vodhën miliona dhe ikën për në vendet e tyre prej nga kanë ardhur, sepse atyre këtë mundësi ua krijoi shteti sepse ua hoqi garancinë bankare prej 500 mijë eurove, ndërkaq “Limak” për kompani të dyshimta lehtësoi procedurat.

Madje në disa raste nuk i ka përfillur fare ato, kur para pak ditësh pa marrë leje nga Ministria e Infrastrukturës në Aeroportin e Prishtinës ateroi një avion i kompaninë “Express Airways”.

Biznesmenët mashtrues këtë të fundit (“Limak”-un) e kanë aleat kur ky ka nevojë për veprime joligjore. Por, edhe këta, dorën në zemër, ia kanë dorën për një gjë të tillë.

Për këtë janë dëshmuar. Këta i kryejnë punët, pavarësisht formave që i përdorin, e që rrallë herë janë ligjore.

Pikërisht këtë (Shteti& Limak) po e përkëdhelin dhe ledhatojnë biznesmenë mashtrues. Shteti ynë me vetëdije po lejon krijimin e kompanive piramidale.

Por, biznesi që e bëri biznesmeni Rramanaj kërkon njerëz dhe infrastrukturë të cilët ky i gjeti lehtë në vendin tonë. Këta nuk ke nevojë që t’i bindësh për të bërë punë të pista. Por, gjithmonë i ke aleatë të paftuar. Gjithkund ku shkelet ligji, e ku vidhet shteti.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është pronë e shtetit, e jo pronë e kompanisë turke “Limak”. Por, kjo e fundit si duket e ka harruar një gjë të tillë. Shteti (pronar i 40 për qind të aksioneve në Aeroport) ka humbur betejën karshi turqve. E këta (turqit) po bëjnë çka po duan. Po luajnë me udhëtarët e me shtetin e tyre. Mbikëqyrja e Partneritetit Publiko-Privat thuajse nuk po funksionon fare.

Përfundimisht individët brenda institucioneve duhet të lënë anash interesin e tyre personal dhe duhet të mbrojnë qytetarin e Kosovës, e jo të kontribuojnë në ndërtimin e skemave piramidale nga të cilat po plaçkiten qytetarët e këtij shteti.

Në bazë të një hulumtimi që ka bërë gazeta “Zëri” ka rezultuar se agjencitë mashtruese kanë vjedhur më shumë se 20 milionë para kryesisht të bashkatdhetarëve që jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme të botës dhe si për çudi për këtë plaçkitje masive deri më tash askush nuk ka përfunduar si i dënuar me burg.