Avdijaj takim me De Biasin, do të jetë i Shqipërisë
Talenti me origjinë shqiptare, Donis Avdijaj ka qenë sërish në qendër të mediave austriake.Kësaj here jo vetëm në lidhje me të ardhmen e tij sa i përket aktivizimin me skuadrën e SK Sturm Graz, tek e cila është huazuar nga gjermanët e Schalke 04, apo për ofertat nga klubet e tjera evropiane të mbërritura në adresë të sulmuesit, por sa i takon vendimit dhe destinacionit të tij në ekipin Kombëtar.
Të njëjta burime, zbulojnë faktin se pikërisht për të ndjekur nga afër futbollistin, njëherësh edhe për të tunduar dhe bindur atë që të veshë fanellën kuqezi, ka udhëtuar së fundmi në Graz të Austrisë, pikërisht trajneri italo-shqiptar i Përfaqësueses së Shqipërisë, Gianni De Biasi.
Ky i fundit, bashkë me përfaqësues të tjerë të Federatës Shqiptare të Futbollit, janë në gjurmët e Avdijajt prej më shumë se 1 viti.
Veç Donis Avdijajt, futbollistit që është aktivizuar me ekipet zinxhir të përfaqësueses së Gjermanisë, trajneri De Biasi ka pasur dhe një takim me babain e futbollistit, sikurse edhe menaxherin e tij, për të mundësuar grumbullimin e 19-vjeçarit me kuqezinjtë për Kampionatin Evropian “Francë 2016”.
Vetë menaxheri i futbollistit të talentuar, Karsten Schmidt, në lidhje me këtë çështje ka deklaruar: “Ky interesim është një vlerësim i madh për një lojtar të ri. Mendoj se është një vendim historik dhe fundja pse mos të luaj ai për vendin prindërve të tij? Ne jemi duke biseduar intensivisht më disa ekspertë, por, gjithsesi vendimin përfundimtar do ta marrë vetë Donisi”, tha menaxheri i lojtarit. /Telegrafi/


