RCCOLA

Autostrada gati

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Ndërtimi i Autostradës Ibrahim Rugova do të kryhet deri në Gjurgjicë të Malishevës para 28 Nëntorit. Tash po bëhen punët finale për të hapur 60 kilometrat e para të asfaltuara për qytetarët që do të marrin pjesë për Festën e Flamurit në Shqipëri. Përfaqësues të kompanisë Bektel&Enka thanë se punimet po kryhen para afateve të përcaktuara.

Malet, brigjet dhe lumenjtë që 100 vjet më parë ia vështirësuan rrugën Isa Boletinit nga Kosova për në Vlorë, nuk janë më. Andej nga do të kalojnë kosovarët për t’iu bashkuar kremtes së flamurit, rruga do të jetë më e shkurtër dhe e asfaltuar në të dyja anët e kufirit. Në autostradën Ibrahim Rugova, po bëhen meremetimet e fundit që traseja të jetë e hapur një ditë para festës së 28 Nëntorit.

Këndej do të kalojë edhe vetë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili të shtunën i inspektoi nga afër punimet në segmentin e 5-të të autostradës Vërmicë-Merdar. Pikërisht në fshatin Gjurgjicë ku edhe lidhet me magjistralen Prishtinë-Pejë, kompletohen 60 kilometra të trasesë së asfaltuar që nga Vërmica.

Për kreun e ekzekutivit të vendit, kjo është një ëndërr e kamotshme e qytetarëve që po bëhet realitet.

“Ky është projekti i ëndrrave të qytetarëve të Kosovës që po bëhet realitet. Tanimë qytetarët do të lëvizin sikur të gjithë evropianët në rrugë moderne, sikur e gjithë bota perëndimore”, është shprehur Thaçi.

Por kjo sipas tij, nuk do të jetë rruga e vetme që do të lidhë Kosovën me vendet përreth.

Ai ka bërë të ditur se me përfundimin e kësaj autostrade do të fillojë edhe procesi tjetër, ai i ndërtimit të autostradës së re që do ta lidhë Prishtinën me Shkupin.

Për këtë projekt janë ndarë 30 milion euro nga buxheti i Kosovës, për punët fillestare.

Ndërkaq, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota ka thënë se premtimi i dhënë para një viti se punimet në këtë segment do të përfundojnë më 27 nëntor, po mbahet.

Mobi Casa

“Tashmë punimet janë krejtësisht në fazën finale, jemi të kënaqur me dinamikën e realizimit, madje mund të them se para afatit të paraparë kohor po përfundojnë punimet”, ka thënë ai.

Sipas Mujotës, realizimi i punimeve me kohë të caktuar, është siguri se projekti do të vazhdojë suksesshëm edhe në vitin 2013 për ta përmbyllur kontratën plotësisht me kompaninë Bektel&Enka.

E, përfaqësuesi i kompanisë ndërtuese Bektel&Enka, ka thënë se janë angazhuar vazhdimisht gjatë gjithë kësaj vere për ta përfunduar këtë seksion të autostradës.

Përveç kësaj, në këtë kompani thonë se janë duke shikuar për ndërtimin e seksioneve të reja në këtë rrugë të planifikuar për në mot.

“Siç mund ta shihni, ne jemi duke përfunduar punën. Bektel&Enka ka punuar këtë verë për ta hapur rrugën në kohë dhe ne tani kemi filluar me punimet përfundimtare për hapjen dhe ne jemi duke punuar për përfundimin e këtij seksioni të autostradës. Në po shikojmë përpara për seksionin e radhës në drejtim të Prishtinës dhe me ekipet tona po punojmë për vitin e ardhshëm”, ka thënë ai.

Sipas kontratës mes Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit Bechtel&Enka, kostoja e ndërtimit të autostradës do të kushtojë më shumë se 700 milionë euro.

Në Ministrinë e Infrastrukturës konfirmojnë se deri më tash Qeveria i ka dhënë kompanisë Bechtel & Enka 509 milionë euro.

Pagesat i bëhen kompanisë për çdo punë të përfunduar dhe tashmë janë përfunduar 42 km, dhe janë lëshuar në qarkullim, përkatësisht segmentet 1, 2, 3 dhe 4, nga Vërmica deri në Bllacë.(express)