Autostrada e premtimeve të humbura dhe eskavatorëve që pushojnë më shumë se punojnë
Gjilan – Autostrada që dikur u prezantua si projekti më i madh zhvillimor për Anamoravën, sot po perceptohet nga qytetarët si një “vrimë e zezë” e pafundme e premtimeve politike dhe e zvarritjeve institucionale. Në vend të ritmit intensiv të punimeve, në terren shihen lëvizje sporadike të disa eskavatorëve, të cilët sipas qytetarëve “më shumë pushojnë sesa punojnë”, ndërsa kantieri vazhdon të mbetet simbol i ngecjes dhe mosseriozitetit institucional.
Anamorava sot po e ndjen më shumë se kurrë peshën e premtimeve të pambajtura dhe zhgënjimin ndaj institucioneve që dikur kërkonin besimin e saj me fjalë të mëdha për zhvillim, investime dhe ndryshim.
Qytetarët vlerësojnë se rajoni është lënë në margjinat e interesimit institucional, me projekte të bllokuara, investime të ngadalësuara dhe mungesë të vizionit konkret për zhvillim ekonomik e infrastrukturor.
Në vend të transformimit të premtuar, Anamorava po trajtohet sikur të ishte një rajon i largët dhe i harruar, ndërsa autostrada e papërfunduar, stagnimi ekonomik dhe mungesa e investimeve serioze janë kthyer në simbol të kësaj neglizhence.
Për shumë qytetarë, do të jetë e vështirë që të kërkohet sërish vota “ballëhapur”, nga Qeveria Kurti, kur zhgënjimi dhe ndjenja e lënies pas dore janë bërë pjesë e përditshmërisë së këtij rajoni.
Pakënaqësia qytetare është rritur dukshëm, sidomos në prag të fushatës zgjedhore, kur pas muajsh heshtjeje dhe stagnimi janë parë disa lëvizje minimale në terren. Për shumë banorë të rajonit, kjo po interpretohet më shumë si përpjekje për të krijuar iluzion pune sesa angazhim real për përfundimin e projektit.
Qytetarët ankohen se autostrada është shndërruar në një histori pa fund, ku afatet ndryshojnë vazhdimisht, ndërsa pritjet e tyre mbeten të njëjta. Ata vlerësojnë se projekti nuk po ecën me dinamikën që i duhet një investimi strategjik, por me “hapa breshke”, duke humbur kështu besimin tek institucionet përgjegjëse.
Në shumë pjesë të kantierit mbretëron qetësia, ndërsa mungesa e aktivitetit të vazhdueshëm ka krijuar bindjen se projekti po mbahet gjallë vetëm formalisht. Për qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës, kjo autostradë nuk është thjesht një rrugë, por një arterie ekonomike dhe zhvillimore që do të duhej të lidhte rajonin me qendrat kryesore të vendit dhe të krijonte perspektivë më të madhe ekonomike.
Sot, në vend të optimizmit, dominon zhgënjimi. Banorët thonë se nuk kërkojnë më premtime apo deklarata optimiste, por punë konkrete, ritëm serioz dhe përgjegjësi institucionale për një projekt që prej kohësh është kthyer në simbol të pritjes së lodhshme dhe të mosrealizimit./rajonipress/



