Autostrada 793 milionëshe

Ndërtimi i 55.8 kilometrave autostradë, që e lidh Kosovën me Maqedoninë, do të kushtojë rreth 793 milionë euro. Në trasenë që nuk e ka as gjysmën e gjatësisë së asaj Vërmicë-Merdarë do të ndërtohen tri tunele, dhjetëra ura e do të zhvendosen disa kilometra binarë të hekurudhës.
Express sjell projektin e autostradës të hartuar që në vitin 2010 nga Ministria e Infrastrukturës për rrugën 6.
Fillon nga Lipjani e jo nga Prishtina. Një rreth-rrotullim i madh afër QMI-së në komunën e Lipjanit do të jetë kyçja e parë në autostradën që do ta lidhë kryeqytetin e Kosovës me Hanin e Elezit në kufi me Maqedoninë.
Në 55.8 kilometra rrugë do të ndërtohen tri tunele, dhjetëra ura e do të zhvendosen disa kilometra binarë të hekurudhës.
Për ta drejtuar mirë trasenë do të devijohet edhe rrjedha e lumit Lepenc në Grykën e Kaçanikut.
Krejt këto punë për autostradën, që nuk e ka as gjysmën e gjatësisë së asaj Vërmicë – Merdarë, do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit jo më pak se 793 milion euro.
Në projektin e rrugës 6, të cilin e posedon Gazeta Express, shpalosen shumë detaje të panjohura deri më tani për opinionin.
Ai është hartuar në vitin 2010 dhe, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, nuk ka pasur asnjë ndryshim deri më tash kur edhe është shpallur shprehja e interesit për kompanitë që duan t’i hynë garës për ta ndërtuar autostradën.(express)