RCCOLA

Autorruga që lidh Gjilanin – Dheun e Bardhë, i lidh shqiptarët, ekonominë, por edhe ndjenjat!

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në 19-vjetorin e Betejes së Zhegocit dhe bëri homazhe te lapidari i dëshmorëve të rënë në këtë betejë. Përkitazi në nderim të të rënëve nga kjo betejë, sot nisën edhe punimet për autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, në të cilën Kryeministri Haradinaj mbajti edhe një fjalë rasti.

Para shumë përfaqësuesve të jetës politike të Kosovës, ministra, zëvendësministra, por edhe përfaqësues nga Presheva, kryeministri Haradinaj tha se këtë vit ndihemi më mirë se vitet tjera, kur i kujtojmë të rënët për liri, sepse, po bëhemi bashkë, po bashkohet Presheva me Prishtinën.

“Autorruga që lidh Gjilanin-Dheun e Bardhë, i lidh shqiptarët, ekonominë, por edhe ndjenjat”, tha kryeministri, duke shtuar se rreth 87 milionë euro të pjesës së parë të projektit janë të zotuara dhe kohëzgjatja e realizimit është 30 muaj.

“Ajo që më bën të krenohem sot, është se po i dalim zot çdo pjese të atdheut dhe Prishtina, do të jetë e lidhur me Pejën, Gjakovën, Gjilanin, Preshëvën, Shkupin, Tiranën. Pra, gjithë infrastruktura e Kosovës do të jetë e përmbyllur”, u shpreh kryeministri Haradinaj, duke shtuar se deri më 2023 asnjë qendër e Kosovës nuk do të jetë e palidhur me autorrugë.

UBT

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se, falë gjakut të dëshmorëve, ne kemi mundësinë e investimeve dhe modernizimit të infrastrukturës sonë rrugore.
Ministri Lekaj njoftoi gjithashtu se në fillim të vitit 2019 do të fillojë autostrada tjetër Istog-Pejë-De çan-Gjakovë.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se ky integrim i jep Kosovës mundësi, që edhe në korridorin e kombit, Anamorava dhe kjo pjesë, të integrohen më pak se gjysmë ore, por edhe Kosovës në daljen e korridorit të dhjetë ndërkombëtar, që është Shkup-Selanik.

Autostrada Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhe do të jetë 22.6 kilometra, me katër korsi dhe të gjitha standardet e nevojshme dhe që do të shkurtojë kohën e lëvizjes nga Prishtina në Gjilan, e në këtë drejtim edhe me Kosovën Lindore dhe anasjelltas.

Për Kryeministrin Haradinaj, merita e nisjes së një projekti kaq të rëndësishëm infrastrukturor dhe ekonomik, nuk është meritë vetëm e tij apo vetëm e Qeverisë Haradinaj, por është meritë e gjithë qeverive, e qytetarëve, e taksapaguesve, të cilët i përgëzoi në veçanti, duke shtuar se edhe hekurudha po i zë parametrat që i ka regjioni dhe me këtë, Kosova po e ndryshon fizionominë e ekonomisë së saj./rajonipress/