KKVITI

Autoriteti i Konkurrencës po monitoron marketet, nuk përjashtohet rritja e çmimeve

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Qytetarët e Kosovës pos frikës nga koronavirusi, po frikësohen edhe se biznesmenët mund të rrisin çmimet e produkteve ushqimore.

Nuk ka asnjë produkt i cili deri më tani po kërkohet më shumë në tregun farmaceutik kosovar se sa maskat mbrojtëse dhe dezinfektues të duarve për shkak të panikut që qytetarët kanë nga përhapja e koronavirusit.

Kjo ka bërë që dyqanet e farmacive t’i çojnë në qiell çmimet. Deri më tash, në Kosovë akoma nuk është identifikuar asnjë rast me këtë virus, i cili disa shtete i ka mbyllur në karantinë. Në Shqipët janë evidentuar disa raste, ndërsa sipas raportimeve, sot është ngritur çmimi i bukës, ndërsa marketet janë zbrazur.

Pos rritjes së çmimit të maskave dhe dizenfektuesve për duar që tashme janë evidente, qytetarët po fiksohen edhe në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, madje edhe për mungesën e tyre.

“Po vërehet mungesa e disa produkteve në supermarkete. Bile sot po vërehet edhe një blerje më e madhe e qytetarëve. Kemi ardhur për të blerë edhe ne, po e bëjmë një furnizim pak më të madh, po fiksohemi se po zbrazen marktet, edhe po rriten çmimet. A e patë se çka po ndodhe në Shqipëri e vendet tjera”, tha Fatmija një grua rreth 50 vjeçare, teksa po dilte nga një market në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë.

Valon Presteshi, kryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ka thënë për lajmi.net, se ka disa ditë që AKK-ja ka filluar një monitorim hollësishëm të të gjitha supermarketeve në Kosovë, lidhur me çmimet e tyre.

Ai nuk e ka përjashtuar ngritjen e çmimeve, por ka treguar se në cilin rast mund të ndërmarr masa AKK-ja.

“Në një mikroekonomi, parimi i ngritjes së çmimit bëhet kur kërkesa rritet. Pra, kur ka kërkesë, ndërsa furnizimi mbetet i njëjtë, apo nuk ka furnizim të mjaftueshëm, normalisht ndërmarrësit e shfrytëzojnë situatën që t’i rrisin çmimet sepse nuk ka furnizim. Nëse i bashkërendojnë aktivitete, ta zëmë furnizuesit e sheqerit, merren vesh që t’i rrisin çmimet ajo është pastaj kartel. Pra, është e kundërligjshme, dhe normalisht se ndëshkohet nga ne. Po e them prapë, nëse në mënyrë individuale i rrisin çmimet, sepse kresa rritet është parim bazë i mikroekonomisë”, tha ai.

RCCOLA

Presteshi tha se inspektorët janë duke bërë monitorimin aktualisht.

“Para dy javësh i kam autorizuar inspektorët që të monitorojmë tregun e supermarketeve. Të gjitha këto biznese të mëdha në Kosovë jemi duke i monitoruar se si po funksionojnë me çmime. Autoriteti do të ndërmarr veprime nëse zbulohet se ka marrëveshje ndërmjet bizneseve, në të kundërtën nuk mund të marrim veprime”, tha ai.

Sipas tij, nëse zbulohet ndonjë marrëveshje kartel, shqiptimet e gjobave do të jenë të pa shmangshme, dhe se ato janë të mëdha.

“Nëse zbulohet kjo tash, apo në të ardhmen, ne jemi të obliguar që të veprojmë menjëherë. Nëse del që një ndërmarrje ka abuzuar, apo ka bërë kartel e cila është edhe shkelja me e rendë, atëherë ne si institucion ekzekutiv ia shqiptojmë një gjobë në vlerë prej 10 për qind të qarkullimit vjetor. Pra, nëse një ndërmarrje i ka qarkullim 1 milion euro, atëherë ndëshkimi është 100 mijë euro”, shtoi tutje ai.

Një dyndje ekonomë nga ky virus, i cila mund të prek shumë shpejtë dhe Kosovën e ka paralajmëruar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi.

Ai ka treguar disa nga pasojat ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi, derisa nuk e ka përjashtuar rastin e masave emergjente të qeverisë lidhur më atë se shumë shpejt mund të mungojnë shumë produkte në Kosovë.

“Është çështje ditësh, kur pritet të ballafaqohemi me rastet e para me koronavirus në Kosovë. Ekonomia botërorë është në panik për një recesion të ri; Bursat po shënojnë rënie me dramatike, që nga viti 2008; Sektorë të tërë, janë të prekur nga efektet afatshkurta dhe afatgjata të koronavirusit, përfshirë turizmin, industrinë ushqimore dhe zinxhirët furnizuese, sidomos nga Azia; Shpërthimi i virusit në Evropë, ka nxitur ndërmarrje të masave drastike, në shumicën e vendeve evropiane, përfshirë edhe mundësitë e mbylljes së kufijve. Mbyllja e kufijve, duhet na e rrit mobilizimin në shkallë maksimale, pasi që kemi varësi të madhe nga importet; Vetëm një shembull: Në rast të çfarëdo paniku në nivel lokal apo me gjërë, Kosova ka rezerva të miellit të cilat mund të zbrazën, brenda një periudhe të shkurtë kohore; Prandaj i propozoj Qeverisë dhe institucioneve tjera të rëndësishme për sigurinë kombëtare, që krahas masave në aspektin shëndetësor, të hartojnë një sërë masash preventive dhe proaktive, për të gjitha skenarët e efekteve të koronavirusit, përfshirë, mbylljen e kufijve dhe recesionin në nivel global. Jemi të gatshëm të ndihmojmë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë vetëm një ndalesë të importit të ushqimit të bletëve dhe hojeve të bletëve nga Kina, ndërsa akoma nuk i ka bere asnjë ndalese për produktet ushqimore me asnjë shtet. Në AUV kanë thënë se nëse vërtetohet se virusi përhapet edhe përmes ushqimit, atëherë do të zbatojnë çfarëdo mase ndalese që kërkohet. /Lajmi.net/