Mobi Casa

Autoritetet pretendojnë se kanë parandaluar një sulm terrorist

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Autoritetet kosovare pretendojnë se kanë arritur të parandalojnë një sulm terrorist në qendër të Prishtinës. Një person, shtetas i Serbisë, është arrestuar të enjten në Prishtinë në cilësinë e të dyshuarit dhe është konfiskuar një sasi eksplozivi.

Slobodan Gavriq, 46 vjeç, shtetas i Serbisë, është ndaluar nga Policia në lagjen “Arbëria”. Autoritetet pretendojnë se kishin informacione për sulmin që do të kryhej dhe për sasinë e eksplozivit që bartte. Kanë thënë se ai është përcjellë nga Mitrovica, por është zgjedhur të arrestohet në lagje të banuar në Prishtinë e jo gjatë rrugës prej 50 kilometrash nga vendi i nisjes, shkruan sot “Koha Ditore”.

Prokuroria ka njoftuar se të enjten rreth orës 21:00 ka urdhëruar ndalimin policor për 48 orë për të dyshuarin, shtetas i Republikës së Serbisë, për shkak të dyshimit se “ka kryer veprën penale, përgatitje e veprës terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

“Në veturën e personit të dyshuar është gjetur sasi e madhe e eksplozivit, që dyshohet se ka qenë e planifikuar të përdorej për kryerjen e aktiviteteve terroriste. Rasti është në fazën fillestare të hetimeve nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale, i cili do t’i kërkojë gjykatës që ta caktojë masën e paraburgimit për të dyshuarin”, ka thënë Prokuroria.

Prokuroria nuk ka saktësuar se ku do të kryhej sulmi. Burime nga Prokuroria kanë thënë se eksplozivi ishte i kombinuar me pjesë metalike. I dyshuari dyshohet se do ta ndizte eksplozivin në kohën e festës së Krishtlindjes.

“Kemi marrë informata disa ditë më parë nga një shtetas i Serbisë i nacionalitetit boshnjak se i arrestuari planifikonte të kryente një sulm. E kemi ditur se kur do të hyjë në Kosovë dhe kemi pasur të dhënat e tij, përfshirë edhe automjetin”, ka thënë një burim.

Presidenca dhe Qeveria janë deklaruar për këtë arrestim duke e cilësuar si planifikim të një sulmi terrorist, ende pa u marrë në pyetje i dyshuari.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka dalë në një konferencë për shtyp dhe ka folur për arrestimin. Ka thënë se policia nëpërmjet udhëve operacionale ka siguruar informacionin se një person në bagazhin e veturës ka eksploziv.

“Nuk mund të nxjerrim detaje, por biografia e tij do të zbulohet deri në fund. Është interes yni të hetohet ky rast deri në fund me gjithë kompleksitetin që ka”, ka thënë ministri Hyseni. Ai ka folur për “pasojat e shpërthimit të parandaluar”.

“Nëse eksplozivi do të shpërthente, pasojat do të ishin tmerruese. Përgëzoj Policinë për punën e shkëlqyeshme. Biografia e tij do të zbulohet deri në fund, ashtu edhe lidhjet e tij me grupe të mundshme”, ka thënë Hyseni.

Burime zyrtare kanë thënë se i dyshuari kishte marrë një dhomë në hotelin “Grand”. Kur kishte dalë nuk e kishte mbyllur llogarinë.

FIDANISHTJA

“Një natë ka qëndruar në hotel. Të nesërmen ka shkuar në Serbi dhe ka ngarkuar sasinë e eksplozivit për t’u kthyer në Kosovë”, ka thënë një burim.

Në Serbi policia ka bastisur banesën e të dyshuarit. Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se po bashkëpunojnë me EULEX-in për të zbardhur këtë rast dhe se është lëshuar dhe urdhri për t’u bastisur banesa e Slobodan Gavriqit.

“Do të shohim nëse do të dalin dëshmi që do të jenë të dobishme për hetimet”, ka thënë ai, duke premtuar bashkëpunim me EULEX-in derisa të zbardhet rasti.

Qeveria e Kosovës ka dënuar “veprimin e dyshuar terrorist ”. Qeveria ka siguruar qytetarët e se do të bëjë gjithçka në çdo moment për të siguruar jetën e tyre dhe do të garantojë siguri në vend.

Qeveria ka vlerësuar lart punën e Policisë së Kosovës në pengimin e këtij veprimi terrorist, dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim të gjithëmbarshëm në këtë situatë, përfshirë vendet e rajonit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet shumë e përkushtuar që Kosova të jetë vend i paqes dhe i tolerancës dhe kërkon nga organet përkatëse të hetojnë në tërësi këtë akt të dyshuar terrorist, dhe përgjegjësit të vendosen para drejtësisë”, thuhet në deklaratë.

Presidentja e Kosovës ka njoftuar se ka takuar kryeministrin Isa Mustafa dhe krerët e mekanizmave të sigurisë, drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, për të vlerësuar gjendjen e sigurisë në vend pas arrestimit të një të dyshuari me sasi të mëdha eksplozivi në kryeqytet.

“Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe për punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kërkova nga mekanizmat e sigurisë që të ngrenë sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe apeloj te qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit që po e hetojnë këtë incident”, thuhet në deklaratë.

Presidentja ka thënë se “duke marrë parasysh natyrën komplekse dhe serioze të këtij komploti të dyshuar terrorist, u bëj thirrje shteteve të rajonit të bashkëpunojnë në zbardhjen e rrethanave dhe të ndihmojnë në sjelljen e aktorëve të përfshirë në këtë akt terrorist para drejtësisë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj të ruhet dhe të garantohet”.

© KOHA.net