Fundamenti

Autobusët, për 55 franga sjellin në Zvicër refugjatët nga Kosova?!

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Azilkërkuesit kosovarë “sillen në kundërshtim me statistikat”. Në kohën kur është vendosur procedura 48 orëshe për trajtimin e kërkesave të tyre, numri i kosovarëve që kërkojnë azil duhej të ishte zvogëluar.

Një gjë e tillë edhe ka ndodhur me shtetas të disa vendeve tjera ballkanike të cilët i nënshtrohen një procedure të tillë. Por kosovarët, në të kundërtën, po bëjnë gjithnjë më shumë kërkesa azili në Zvicër, shkruan portali i radiotelevizionit publik zviceran, SRF online. Pas algjerianëve, kosovarët kanë shënuar rritjen më të madhe të kërkesave për azil brenda një viti, gjithsej 15.5%, transmeton albinfo.ch.

Zyra Federale për Migracion (BFM) e vlerëson si “befasuese” rritjen e numrit të kërkesave të azilit. Në këtë zyre thonë se nga muaji mars ka hyrë në fuqi vendimi për procedurat prej 48 orësh edhe për kosovarët. Ata kanë informata se edhe në disa vende tjera evropiane ka një rritje të konsiderueshme të numrit të azilkërkuesve nga Kosova.

E ngjashme është situata edhe në Austri. Gjatë pesë muajve të fundit, numri i kërkesave të azilit nga Kosova në këtë vend është katërfishuar. Kuota e njohjes së azilit për kosovarët në këtë vend është rreth 3 për qind. Nga Ministria e Brendshme e Austrisë i flasin SRF-së për bandat e trafikantëve që i sjellin kosovarët në Austri. “Bëhet fjalë për një veprim të ofertës dhe kërkesës, m ç`rast disa njerëz fitojnë para”.

Në Gjermani mediet njoftojnë për udhëtime me çmime të lira me autobusë që organizohen nga Kosova me destinim Evropën Perëndimore. Zyra Federale e Gjermanisë për Migracion dhe Refugjatë nuk mban statistika për udhëtimet refugjatëve deri në Gjermani. Por edhe këtu numri i kërkesave të azilit nga Kosova sillet “në nivele të larta”. Shumica e tyre janë romë, sipas zyrës në fjalë . “Krahas përvojave të diskriminimit, edhe shkaqet ekonomike luajnë një rol për kërkesat e azilit nga Kosova”, thonë nga kjo zyrë.

FIDANISHTJA

Dyshimi për udhëtimet me autobusë me çmim të lirë ekziston edhe në Zvicër. Por stacionet e autobusëve ndërkombëtarë si për shembull ai i Cyrihut nuk kanë statistika mbi vendet e prejardhjes së autobusëve. Sidoqoftë, BFM është duke e mbajtur nën vëzhgim këtë stacion. Atje informojnë se bileta nga Beogradi (ku nisen këta autobusë me kosovarë) për në Cyrih kushton vetëm 55 franga. Edhe në vitin 2009 kishte pasur oferta të ngjashme. Në atë kohë Zvicra u jepte azilkërkuesve (që ktheheshin) nga 300 franga para si ndihmë për kthim. Veç kësaj, azilkërkuesit përfitonin fjetje dhe ushqim pa pagesë për disa ditë kështu që “turistëve” në fjalë u shpaguhej shumëfish ky udhëtim.

BFM nuk e vërteton nëse edhe rritja aktuale e numrit të azilkërkuesve lidhet me një ofertë të tillë autobusësh. Por një arsye mund të jetë edhe kjo. Pastaj, sipas BFM, qoftë edhe vetëm një autobus në muaj, me 50 udhëtarë do ta ngarkonte mjaftueshëm statistikën mujore.

I pyetur nga SRF online, ambasadori i Kosovës në Bernë thotë se “kurrë nuk ka dëgjuar” për këto oferta dhe se ai po informohet nga mediet. Informacione burimore mbi ofertat e tilla nga Kosova ai nuk ka, është shprehur përmes telefonit.

Shanset e kosovarëve për të fituar azilin janë të pakta, siç e tregon edhe statistika e Austrisë, e cila njeh vetëm 3% të kërkesave kosovare për azil.

Por duket se shumë nga ata që ia mësyjnë rrugës nuk nisen nga faktet por nga thashethemet. Siç e dëshmon “Der Spiegel”, së fundi numri më i madh i azilkërkuesve në Gjermani vijnë nga Rusia., gjegjësisht nga Çeçenia. Arsye për këtë shtim është një dezinformatë që ka joshur rreth 40 mijë çeçenë në Gjermani. Njerëzit ia mësyjnë rrugës së gjatë edhe pse nuk ka pasur kurrë ndonjë ofertë nga Berlini. Dhe përkundër faktit se gazetarët në Çeçeni kanë informuar se informata ishte e rrejshme. Të vetmit që mund të përfitojnë nga kjo janë trafikantët, përfundon shkrimi i SRF online.