Uji Dea

Austriakët nuk lejojnë dëbimin e shqiptares Leonesa

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Në një vendim të Ministrisë së Brendshme thuhet se Leonesa dhe familja e saj mund të kërkojnë qëndrim humanitar

Më në fund një dritë në fund tunelit për vajzën shqiptare nga Kosova me qëndrim në Austri. Leonesa 12 vjeçare bashkë me familjen, nuk do të dëbohen nga Austria, ku jetojnë prej pesë vitesh.

Një vendim paraprak i gjykatës së azilit, për dëbimin e familjes së saj në Kosovë kishte mobilizuar gjithë shkollën ku ndjek mësimet Leonesa, në Vjenë. Rreth 500 nënshkrime, ose afërsisht aq sa është numri i nxënësve dhe mësuesve të shkollës, kryesuar nga drejtori, ishin grumbulluar për të mos lejuar deportimin e nxënëses së shkëlqyer.

Mediet austriake, përfshirë edhe televizionin publik ORF, kishin ndihmuar në këtë fushatë, duke bërë portretime të Leonesës dhe duke theksuar idenë se ajo dhe familja e saj janë të integruar mirë aty ku jetojnë.

Vetë Leonesa, sipas mësuesve dhe drejtorit, është nxënësja më e mirë pikërisht në gjuhën gjermane, të cilën nuk e ka njohur fare para se të vinte në Austri.

Mobi Casa

Megjithatë, në vendimin e gjyqit të azilit, familja kritikohej për mungesë përpjekjesh për integrim. Në fakt, prindërit e Leonesës nuk punojnë dhe familja jeton nga ndihmat sociale. Por, ata duan të punojnë dhe vazhdimisht kanë kërkuar punë, thotë vajza 12 vjeçare për mediet austriake. Mirëpo, atyre nuk u lejohet të gjejnë punë për shkak të statusit…

Të premten, Ministria e Brendshme ka dërguar sinjale pozitive. Ajo i ka kujtuar familjes se ka mundësi të bëjë kërkesën për qëndrim humanitar. Këtë kërkesë, familja kosovare nuk e ka bërë ende. Së këndejmi, për dëbimin e tyre në Kosovë as që bëhet fjalë.

E intervistuar para këtij vendimi nga mediet austriake, Leonesa thoshte se po jetonte me frikën se çdo natë mund ta merrte policia për të huaj dhe ta deportonte.

Me përgjigjen e ardhur nga Ministria, Leonesa nuk ka më përse të qajë. Ajo shprehet e gëzuar dhe falënderon të gjithë ata që e kanë përkrahur.(albinfo)