Austriakët luftojnë për familjen shqiptare

Shumë persona në Ennsdorf, lokalitetin ku jeton familja po angazhohen për mbetjen në Austri të familjes shqiptare.
Organizata “SOS Mitmensch” ka njoftuar të dielën për një rast të kërcënimit me dëbim të një familejeje shqiptare nga Maqedonia . “Rast i pakuptueshëm dëbimi” shprehet organizata në fjalë për vendimin e gjykatës së azilit për të kthyer mbrapshtë familjen gjashtanëtarëshe të integruar mirë në Austri.
Familja shqiptare, sipas “SOS Mitmensch” ka ikur para katër vitesh nga Maqedonia, pasi që një i afërm i saj ishte vrarë dhe për këtë arsye edhe familjarët ndjeheshin të pasigurtë. Ndërkohë, katër vjet pas ardhjes në Austri, procedura e azilit ka marrë një përfundim negativ dhe është marrë edhe vendimi për dëbimin e familje në vendin prej nga ka ardhur.
“Kjo, me gjithë faktin se familja prej kohësh është integruar në Niederösterreich. Babai punon si kuzhinier në një zonë shërbimi në St. Valentin dhe me të ardhurat e tij mban familjen. Fëmijët shkojnë në shkollë dhe ka kohë që më mirë e flasin gjermanishten se sa shqipen. Shumë persona në Ennsdorf, lokalitetin ku jeton familja po angazhohen për mbetjen në Austri të familjes shqiptare. Mes tyre është edhe klubi lokal i futbollit, shkruan “SOS Mitmensch”.
Shpresën e fundit familja e ka te e drejta humanitare e qëndrimit. Një trajner futbolli i juniorëve po mban kontakte të ngushta me ta dhe është zotuar që “të luftojë deri në minutën e fundit që familja dhe në veçanti fëmijët, të mos shkëputen sërish nga ambienti i tyre”, përfundon shkresa e “SOS Mitmensch`, shkruan agjencia autsriake e lajmeve Apa.(albinfo)