Aty ku vlerësohej poezia, mbretëresha e fjalës…
Gjilan – Nuk ka më madhore se poezia! Ajo të rrëmben kudo në jetë. Të bën për vete dhe të sjellë përtej fushave e maleve. Të shtie në botën e çudirave! Është hyjnore, por është edhe magjike. Pra, kjo është “fuqi” magjike e artit poetik. Pra, poezia është mbretëreshë e fjalës. Mbretëreshë që e kanë adhuruar me qindra e mijëra krijues nga kohërat e hershme të njerëzimit. Dhe, kjo “histori” e poezisë është e lashtë sa vetë njerëzimi.
S’ka me Arti poetik! Është “mbret” në vete. Shpërthen dhe ka forcë! Shemb male, fusha, por edhe ngrit forcë për jetë. Pra, ka “forcë” vullkanike. Me poezi, krijuesit kanë thurur vargje mbretërve, hyjneshave mbretërore dhe kanë thurur lavde për njeriun. Sa shumë poetë ka bota! Pa poetë, bota do të ishte e varfër. Rrofë mbretëresha e fjalës, Poezia! Ajo është Zot në vete. Kur vjen fuqia e shpërthimeve të brendshme, poeti stopohet. Ndalet për moment. Këtu fillon poezia. Kjo është fuqia e “mbretëreshës” së artit poetik. Andaj, duajeni mbretëreshën e fjalës, harrojeni injorancën dhe egoizmin e njeriut! Të ligat i takojnë të kaluarës. Të ecin përpara, por ndershëm si poezia e jetës…
Aty ku ishte fjala…
Dje, në mbrëmje, Biblioteka e Re Ndërkomunale “Fan S. Noli”, në Gjilan, pati një festë. Festa ishte një eveniment i rrallë kulturor, ku Biblioteka… në fjalë, në Orën e Madhe Letrare, të “Flakës…”, tuboi me qindra krijues të artit nga shumë mese shqiptare. Aty, në Orën e Madhe Letrare, u gjenden krijuesit tanë: Anton Nikë Berisha (Prishtinë), Dhimitër Pojanaku (Pogradec), Entela Kasi (Tiranë ), Flamur Shala (Prishtinë), Hajredin Kovaçi (Ulqin), Ibrahim Kadriu (Prishtinë), Izet Abdyli (Drenas), Kliton Nesturi (Tiranë), Prend Buzhala (Klinë), Rakela Yzeiri (Tiranë),Ramadan Mehmeti (Prishtinë), Ramadan Oraça (Podujevë), Rozafa Shpuza (Shkodër), Sadije Krasniqi (Lipjan), Sarë Gjergji (Vitia), Sinan Sadiku (Kamenicë), Xheladin Rexhepi (Frizaj) etj., etj. Por, aty u gjenden edhe shumë emra të krijuesve gjilanas, të cilët po kontribuojnë mjaft shumë në ecjen e jetës letrare përpara.
Dhe, fjala ishte edhe “diku” tjetër…
Aty në “qendër” të vëmendjes ishte arti, poezia. Krijues të fjalës së bukur. Kjo orë letrare e “Flakës…”, doli bukur. Edhe ato “defekte” që u vërejtën, ishin të natyrës normale. Një ambient ku pritej të dëgjohej fjala e artit (krijuesit). Krijuesit mezi pritnin të lexonin vargjet e tyre poetike. Ata i kishin ndarë krejt në një anë! Të tjerët, anëve tjera. Në ballë udhëheqja e Orës letrare. Por, kur filloi leximi i vargjeve poetike, aty u vërejt se, artistët “rrëfenin” artin e tyre. Këto “rrëfime” ishin pak të zgjatura. Ndjehej një lodhje nga të pranishmit. Pra, poezitë e tyre të gjata, të përkujtonin poemat e rrëfime të tjera në vargje. Përkundër kësaj, pati vargje të bukur, si A. N. Berisha, P. Buzhalës, E. Kasi, R. Izeiri (nga Tirana), H. Kovaçi e ndonjë tjetër.
Dhe, kthehemi në retrospektivë…
I madhi krijues yni, Lasgush Poradeci, duke folur për poezinë, në një rast ka shtuar: “Më mirë e shkruaj një studim, se sa ta shkruaj një poezi në vargje”! Pra, ai shtonte dhe meditonte se, të shkruash një varg poetik, është shumë rëndë dhe me përgjegjësi, sepse duhet të jesh me talent dhe “mjeshtër” i kësaj fushe. E çmonte vargun e shkurtër poetik. Këtu është fjala. E kësaj here, Ora e Madhe letrare, të lënte përshtypje se ishte me vargjet poetike pak të stërgjatura. Aty ishte dhe aty mbeti fjala, por aty ishte ndjesia e shpërfaqur me anë të një lloj “rrëfimi” poetik, gjë që poetika nuk e duron si të tillë. Edhe pas kësaj, mbeti fjala. Fjala për artin e bukur ose mbretëreshën e fjalës… Me këtë rast, shumë krijues shkëmbyen veprat e tyre në mes vete. Edhe kjo është një praktikë ku arti po i bashkon lexuesit nga anë të ndryshme të vendit. Kjo është madhështia e Orës letrare dhe e Organizatorit të këtij Manifestimi kulturor – letrar./tefik selimi/rajonipress/


